Kuvendi i 11 dhjetorit i mbledhur nga ish-kryeministri Sali Berisha pati një sërë pikëpyetjesh dhe dyshimesh. Kjo qasje duke nisur jo vetëm nga procesi i votimit për ndryshimet statusore të Partisë Demokratike ku delegatët votuan duke ngritur dorën duke sjellë kështu paqartësi votash, por edhe ndaj votimit për shkarkimin e kreut demokrat Lulzim Basha.
Në të gjitha mediat ka qarkulluar një video ku shihet se anëtarët e komisionit të numërimit po mbushnin kutitë e votimit me një mori fletësh.
Çka shton dyshimet akoma dhe më tej se për procesin e shkarkimit të kreut demokrat, janë manipuluar votat. Lidhur me këtë situatë ka reaguar ish-deputeti i PD, Azgan Haklaj i cili u shpreh se veprimi i anëtarëve të komision it të numërimit është përpjekja më e shëmtuar e Berishës për të rrëmbyer partinë. Haklaj e cilësoi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit një platformë kriminale e cila është e financuar nga miliarda lekë të korrupsionit.
Ai u shpreh se Partia Demokratike nuk mund të blihet me grupe kriminale, falsifikime firmash dhe mbushje të kutive. Sipas tij, kjo platformë kriminale është fundi i Berishës dhe përpjekjeve të tij për të pushtuar partinë si dhe krijimi i një partie antiperëndimore dhe kundër Amerikës.
“Berisha një Tartuf që dështoj turpshëm në sipërmarrjen kriminale për grabitjen e PDSH-së. Kjo që shihni në video është përpjekja e shëmtuar për ta rrëmbyer PDSH-së, pikërisht në ditëlindjen e saj dhe për ta shitur si rithemelim.
Kjo platformë kriminale e sponsorizuar me miliarda para korrupsioni, shoqëruar me shpërdorim logoje e vule, falsifikim firmash e mbushje fiktive të kutive me formularët e sëndukut të Palokës, mbështetur nga nëntoka dhe trekëndëshi i Bermudës është fundi teatral i Berishës dhe Berishizmi për të zhbërë historinë e partisë misionare të Kombit Shqiptar dhe për të krijuar një parti antiperëndimore konkretisht kundër SHBA-së”, tha ai.
Ish-deputeti: Sulmet e Berishës janë të paskrupullta
Nga ana tjetër Haklaj u ndal edhe tek sulmet e Berishës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai e cilësoi Berishën një kameleon që këtej mundohet të zgjidhë çështjen me rrugë gjyqësore dhe nga ana tjetër kërcënon ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim.
Ish-deputeti tha se sulmet e Berishës janë të paskrupullta teksa e quajti Kuvendin një parodi të turpshme. Sipas tij, strategjia kriminale dhe foltorja e sponsorizuar me shuma marramendëse shteroi në mënyrë tragjikomike teksa shtoi se nuk mund të grabitet historia e PD.
“Tartufi ynë ju drejtua solemnisht SHBA-së: O ma hiqni shpalljen non grata ose do ta vazhdoj betejën deri në fund! Çfarë kameleoni?! Nga njëra anë thotë e kam dërguar çështjen në gjyq, nga ana tjetër kërcënon publikisht superfuqinë botërore në krye foltoren e stadiumit kombëtar të sponsorizuar nga shuma marramendëse parash.
Çfarë marrëzie?! Berisha sulmoj ambasadoren amerikane në mënyrë të paskrupullt duke e cilësuar si e ardhur nga Moska. Çfarë parodie e turpshme teksa sheh një komision hajnash që përpiqen të grabisin historinë 31-të vjeçare të PDSH-së?! Çfarë dështimi i turpshëm?! Strategjia kriminale shteroi në mënyrë tragjikomike”, tha ai.