Gjykata Kushtetuese brenda vjeshtës pritet të jetë me 9 anëtarë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nisur procesin e verifikimit për 9 kandidatët dhe gazeta ka mësuar se janë rreth 50 institucione që janë angazhuar për verifikimin e tyre.
Sipas të dhënave të siguruara nga gazeta, KED ka dërguar shkresa në rreth 50 institucione private e shtetërore duke kërkuar të dhëna për secilin emër. Sa u takon institucioneve shtetërore, KED ka kërkuar të dhëna nga: Agjencia Shtetërore e Kadastrës; DPSHTRR, D.P.Tatimeve; Ministria e Drejtësisë; OSHEE; QKB; UKT; Prokuroria e Përgjithshme; SHISH; DSIK; ILDKP; Autoriteti i Dosjeve; Dhoma e Noterëve; Dhoma e avokatisë.
Në këto institucione janë kërkuar të dhëna sa i takon pasurisë, nëse personat në fjalë janë të dënuar apo jo si dhe nëse janë të dyshuar për aktivitete kriminale apo korrupsion. Si dhe po verifikohet nëse kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Ndërkohë një tjetër verifikim po bëhet në të gjitha bankat e vendit sa u takon llogarive bankare apo kredive të mundshme që mund të kenë 9 kandidatët.
Bankat ku po kryhen verifikime janë: Banka Alpha Albania; Banka Amerikane e Investimeve; Banka Credins; Banka e Bashkuar e Shqipërisë; Banka e Kreditit e Shqipërisë; Banka e Parë e Investimeve; Banka Intesa Sanpaolo; Banka Kombëtare Tregtare; Banka Ndërkombëtare Tregtare; Banka Procredit; Banka Raiffeisen; Banka Societe Generale; Banka Tirana dhe Banka Union.
Po ashtu një verifikim i ngjashëm po bëhet te institucionet mikrofinanciare, të cilat japin kredi në shuma të ulëta. Gjithashtu verifikime po bëhen dhe në fondet e pensioneve private. Sipas burimeve, pritet që KED në shtator të ketë gati informacionet dhe më pas të bëjë vetëm verifikimin dhe në fund renditjen e kandidatëve.
Apelet e KED
KED në momentin që ka nisur informacionet në institucione u është drejtuar dhe me një apel që të mos krijojnë vonesa dhe të zbatojnë detyrimet ligjore për kthimin e përgjigjeve. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit, më datë 12.07.2021, filloi zyrtarisht procedurat e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.
Në ligjin nr.115/2016 dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese, neni 7/ç pika 1, etj., parashikohet se institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë, paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë KED.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e konsideron këtë njoftim jo thjesht si një përmbushje të një detyrimi ligjor kundrejt publikut, pasi në përmbushje të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore KED synon të garantojë një proces të rregullt ligjor, transparent, me integritet dhe të besueshëm”, shprehet KED.