Deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve kanë shpërthyer dje në akuza të forta ndaj presidentit Ilir Meta. Ky Komision ka vijuar me procedurat e shkarkimit të presidentit, ndërsa nuk ka kaluar pa u komentuar letra që Meta i dërgoi Ulsi Manjës pak ditë më parë.
Për mazhorancën, letra e presidentit ishte e turpshme dhe fyese. Deputeti socialist Bashkim Fino u shpreh se gjuha që ka përdorur Meta ka nota ironie dhe hipokrite.
Sipas tij, ç’dekreti i datës së zgjedhjeve nuk është një dekret zyrtar, por thjeshtë një copë letër e titulluar si e tillë. “Më bën përshtypje letra e Metës pasi ka përdorur një gjuhë ironike, paragjykuese dhe hipokrite. Po të ishte se jemi verbërisht të orientuar politikisht, e kishim shkarkuar më herët. Meta ka marrë një copë letër, ka shkruar çfarë ka dashur, i ka vënë titullin dekret dhe na e ka shitur si të tillë.
Mund ta titullonte dhe VKM, por mbetet thjesht një letër. Jemi përpara një shkelje të nenit 92 të Kushtetutës dhe për shkak të kësaj me dhimbje kemi marrë këtë masë që po ia paraqesim Kuvendit”, tha Fino.
Presidenti shantazhon deputetët
Po ashtu, edhe deputetja socialiste Vasilika Hysi kritikoi ashpër gjuhën e përdorur nga presidenti në letrën që i dërgoi Ulsi Manjës. Sipas saj, presidenti po fyen dhe po shantazhon deputetët, duke shtuar se gjuha e përdorur në letër është denigruese. “Ne jemi në Republikë parlamentare dhe nëse palët bihen dakord për të shtyrë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, bëhet me ndryshime dhe nga partitë politike.
Si mund ta lexojmë paragrafin e fundit, si kërcënim, shantazh tërheqje vëmendje për Parlamentin, kur thuhet se “Presidenti i republikës garanton Kuvendin e Shqipërisë se është në detyrë, i gatshëm që me përgjegjësi të plotë të ndërrmarë të gjitha vendimet e rëndësishme që do të diktojnë në situata të këtij vendi”. Çfarë do të thotë me këtë? Çfarë mesazhi dëshiron tu jap 140 deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë? Kujt i shërben në këtë rast? Do doja që Ornela Zonja ti jepet një përgjigje. Gjuha e përdorur është denigruese, fyese por dhe precedent i rrezikshëm që një zonjë të godasë Parlamentin dhe të jap një gj të tillë” Presidenti i Republikës është i gatshëm që të ndërmarrë të gjitha”, tha Hysi.
Shkarkimi i Metës
E duke iu përgjigjur kërkesë së 55 deputetëve të cilët firmosën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja u shpreh se kreu i shtetit do të shkarkohet, edhe po të mos vijë në Komision për tu mbrojtur. “E kam njoftuar Presidentin për mbledhjen e komisionit Kreu i Shtetit i ka kthyer përgjigje Komisionit të Ligjeve me shkrim dhe nuk e çmon të nevojshme të paraqitet para komisionit.
Kjo nuk e pengon punën e komisionit për të vijuar procedurën e shkarkimit. E konsideroj tërësisht gjuhë ironike, hipokrizi, por edhe fyese për institucionin nga ku ka lindur Presidenti i republikës. Të fyesh atë që të ka dhënë votën për të shkuar në atë karrige, është një arsye dhe një argument më tepër që komisioni hetimor parlamentar të involvohet edhe në hetimin e kësaj korrespondence me Kuvendin si pjesë e veprimtarisë së Presidentit”, tha Manja.
Por deputeti Ralf Gjoni kërkoi që komisioni t’i drejtohet edhe një herë përmes një letre presidentit për t’u paraqitur për t’u mbrojtur, por një gjë e tillë u refuzua nga Manja, i cili theksoi se procedura parashikon që kreu i shtetit të mbrohet edhe në komisionin hetimor.
Komisioni parlamentar i Ligjeve do të mblidhet sërisht ditën e nesërme ku pritet të votohet raporti në të cilin do kërkohet nisja e hetimit parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikë Ilir Meta. Raport pritet të kalojë për votim në seancën parlamentare ditën e enjte. /Elisjeda Kiko