Katër shqiptarë, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që kryente dërgesa të parave cash nga Britania e Madhe për në Shqipëri janë arrestuar në Londër, pas një hetimi të gjatë nga Agjencia Kombëtare e Krimit.
Të dyshuarit u arrestuan më 13 prill pas një serie bastisjesh që nisi me arrestimin e një 48-vjeçari shqiptar në Dover, të cilit iu gjetën në makinë para që kishin destinacion final Shqipërinë.
Brenda furgonit të tij “Mercedes Sprinter”, i cili ishte nisur për në Tiranë, oficerët gjetën gjithsej 390,000 £ të mbështjellë në pako të ndryshme prej kallaji.
Shtëpia e të dyshuarit në Haringey, Londër, u kontrollua dhe oficerët zbuluan 150,000 £ të tjera.
Dy burra të tjerë, të moshës 34 dhe 22 vjeç, dhe një djalë 17-vjeçar u arrestuan më pas në Tottenham Hale, të Londrës, dhe rreth 150.000 paund u sekuestruan në një automjet të dytë.
Ndërkohë, 34-vjeçari rezultonte i arrestuar më parë në shtator 2022, kur oficerët zbuluan mbi 20,000 £ në makinën e tij. Në gusht 2023, u sekuestruan edhe 43,980 £ të tjera, të cilat besohej se ishin të destinuara për t’u transportuar nga grupi.