Reduktimi i numrit të lindjeve nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por i përket botës perëndimore, thotë sociologu Gëzim Tushi. Ai tregon se shqiptarët kanë vite që bëjnë gjithnjë e më pak fëmijë, e pikërisht ky trend është ajo që e shqetëson.
Me ardhjen e demokracisë u rrit numri i aborteve, por sipas sociologut Tushi, edhe më problematike është preferenca e shqiptarëve për të pasur fëmijë të gjinisë mashkullore.
“Shumë shqetësues është aborti selektiv. Jemi një nga vendet, sipas studimeve të Këshillit të Europës, që e abortojmë fetusin për shkak të seksit të tij”, thotë më tej sociologu Tushi.
Tranzicioni i stërgjatur është një tjetër arsye që ndikon në plakjen e popullsisë. Gëzim Tushi drejton gishtin drejt emigracionit, nga i ka sytë edhe pjesa më dinamike e shoqërisë.
“Një nga faktorët që po ndikon fuqishëm në plakjen e popullsisë është emigracioni shumë i lartë. Nga ai emigracioni katastrofik i viteve ’90, deri te ky emigracioni i ditëve tona. Mirëpo ata që ikin janë të rinjtë, që do të riprodhohen. Largimi i tyre ndikon në plakjen e popullsisë. Papunësia ka ndikimin e saj, varfëria padiskutim, situata ekonomike ka ndikimin e vet”, vijon sociologu.
Sociologu Tushi vëren se shqiptarët e mijëvjeçarit të ri i frikësohen më shumë martesës. Rritja e numrit të divorceve është vetëm një tregues, ndërsa fenomeni i dhunës në familje rëndon gjendjen.
“Sidomos vajzat, mendojnë se më mirë se të hysh në një grackë ku ndihesh keq, humbet lirinë, humbet sovranitetin, qenien tënde, dinjitetin, personalitetin, i nënshtrohesh një burri të dhunshëm apo një martese që nuk funksionin, atëherë është më mirë të qëndrosh jashtë martese. Mirëpo kjo ka kosto sociale”, thotë ai.
Gëzim Tushi paralajmëron se Shqipëria nuk do të kthehet ndonjëherë te numri i lartë i lindjeve që ka pasur dikur, por apelon për politika shtetërore që synojnë të mbajnë të rinjtë në atdhe.