Nga Alba Malltezi
Ajo që një pjesë e politikës, medias, opinionit publik po bën me zëdhënësen e trupës së re OFL, krijuar për gjurmimin dhe sekuestrimin e pronave të krimit të organizuar, nuk ndryshon me gurët që talebanët u kanë hedhur në trup e fytyrë grave dhe vajzave të akuzura për veprime jo të pëlqyeshme e të aprovueshme nga mendjet talebane.
Që në krye të herës, kësaj kategorie linçuesish publikë tashmë profesionistë të së keqes, nuk i pëlqeu se një formim i ri po i afrohej pasurive të krimit të organizuar. Pa pritur as 10 ditë për të parë të paktën se si do të punojë e funksionojë OFL e SPAK, pa u thënë punë të mbarë, pasi qëllimi, të paktën, duket të jetë ai që për 30 vite pjesa e shëndoshë e shoqërisë shqiptare ka dëshiruar, janë hedhur në një sulm të paprecedentë antishtet por sidomos antiindividë, sikur nuk janë hedhur kurrë më parë për çështje të tjera të një rëndësie mbarëkombëtare.
Janë të njëjtët njerëz që nuk panë nga u qëlluan 4 të vrarët më 21 janar, janë të njëjtët njerëz që nuk panë e nuk dinë si ndodhi Gërdeci, janë të njëjtët njerëz që nuk shohin vilat gjigande të politikanëve, të gjykatësve, të prokurorëve, të gazetarëve që u pasuruan dhe jetojnë falë parave të krimit e duke marrë, duke mbyllur hundët, rrogat prej tyre. Këta njerëz sot deshën me çdo kusht të mësojnë emrin, por sidomos të shohin e të tregojnë në sy, sidomos të kriminelëve, vajzën me flokë të verdhë, apo “bjonden seksi” siç vetëm seksistë e manjakë dinë të përcaktojnë një grua. I pabesueshëm “mëkati” i zëdhënëses së OFL: prej tri ditësh po bën publikë pronat në verifikim të eksponentëve të krimit, të paprekura në gjithë këto vite.
Dhe për këtë arsye “talebanët” tanë kanë marrë gurët në duar. Janë të njëjtët njerëz që nuk do të guxonin ta bënin të njëjtën gjë me një zëdhënës të maskuar të RENEA-s, pasi do të kishin frikë, si skuthë, muskujt e burrave. Këta nuk kanë frikë një grua siç nuk do të kenë asnjë brerje ndërgjegje nëse i ndodh nesër e pamenduara. Për fat të keq, janë ekzaktësisht të njëtat fytyra të shumë viteve më parë që i rrihnin shpatullat e bënin solidaritet me policin që kishte vrarë e hedhur në kanal bashkëshorten, nënën, vajzën e dy të moshuarve.
E gjithë kjo shfaqje e shëmtuar, ka vetëm një anë pozitive: Tregon gjithnjë e më hapur hendekun mes shqiptarëve që kërkojnë një Shqipëri drejt Europës, Perëndimit dhe normalitetit me gjithë mundimet e sakrificat, dhe atyre, që me çdo formë e çdo kusht shohin drejt errësirës. Fanatikë e ekstremistë janë frymëzuesit e tyre, por pas diktaturës, Shqipëria nuk ka dëshirë të tërhiqet më drejt së keqes.
Gjithmonë pas natës, është e pashmangshme ardhja e dritës. /Shqiptarja.com