Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj vizituan ambientet e Njësisë Speciale për Kapjen e Personave në Kërkim, ose e pagëzuar ndryshe si Njësi kundër të Fortëve. Njësia u prezantua javën e kaluar në Poloni, me synim aderimin në Rrjetin ENFAST, që është rrjeti evropian për kapjen e personave në kërkim.
Zv.ministri i Brendshëm, Besfor Lamallari u shpreh se kjo njësi përbëhet nga dy komponentë kryesorë të cilët janë komponenti i Inteligjencës dhe Njësia Operative. “Jemi këtu së bashku me Drejtorin e Policisë Kriminale, në Njësinë Speciale për Kapjen e Personave në Kërkim. Është njësia më e re speciale pranë Policisë së Shtetit, për identifikimin, gjurmimin e vendndodhjes dhe kapjen e personave më të rrezikshëm. Kjo njësi përbëhet nga dy komponentë, komponenti i Inteligjencës, i cili ka për detyrë të mbledhë informacionin, ka një pikë kontakti 24 orë në 7 ditë të javës dhe bashkëpunon intensivisht me agjensitë homologe në nivel evropian; si dhe Njësia Operative e cila funksionon në shërbim të Njësisë Inteligjente, për bërjen të mundur të ekzekutimit të urdhrave të arrestimit të personave më të rrezikshëm, qofshin këta në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar. Janë shumë mirë të trajnuar dhe plotësojnë gjithë kushtet e parametrat e nevojshëm për të funksionuar si homologë të denjë të Njësive në vendet e Bashkimit Evropian”, tha zv.ministri Lamallari. Pjesë e kësaj njësie pritet të jenë 50 efektivë të specializuar.
Mësohet se në përbërje të këtij reparti do jenë ish-efketivë policie dhe anëtarë e ish-anëtarë të Forcave Komando. Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme, policia shqiptare po bashkëpunon me partnerët e huaj për krijimin e kësaj strukture që është pjesë e rrjetit evropian të njësive aktive për gjetjen dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe quhet ENFAST. Projekti ENFAST ka si qëllim që të rrisë sigurinë në Bashkimin Evropian, duke përmirësuar eficencën e bashkëpunimit të policisë të finalizuar me lokalizimin dhe arrestimin e kriminelëve të kërkuar në nivel ndërkombëtar dhe që kanë kryer krime të rënda.