Vendimi për të vonuar përsëri hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk është thjesht vetëm tradhti, por një gabim, pasi siguria e Europës varet nga një juglindje e qëndrueshme.
Nga Jasmin Mujanovic, Birn
Vendimi i takimit të ministrave të jashtëm europian për të shtyrë përsëri fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 18 qershor ishte zhgënjyes, por jo një surprizë.
Asnjë që ka ndjekur diskutimet brenda BE-së, dhe sidomos retorikën që vjen nga Franca dhe Holanda, priste që Shkupi apo Tirana të merrnin dritën jeshile për të filluar bisedimet zyrtare të anëtarësimit.
Disa mbeten me shpresë se në tetor, të paktën Maqedonia e Veriut, do të lejohet të fillojë negociatat, por zor se beson njeri se Shqipëria do të marrë lajme të ngjashme në atë moment.
Franca dhe Holanda – dy shtetet më përgjegjëse për këtë vonesë – jo vetëm që kanë zgjedhur të shpërfillin rekomandimet e Komisionit Europian, por kanë vendosur të nënshtrojnë një shtyllë kryesore të politikës së jashtme të BE-së – marrëdhëniet e saj me fqinjët – ndaj qëndrimeve nativiste dhe dritëshkurtra të klasave politike dhe të votuesve të tyre.
Por francezët dhe holandezët nuk janë të vetmit që duhen fajësuar. Edhe pse kancelarja gjermane Angela Merkel ka dalë në favor të ofertës së Maqedonisë së Veriut, parlamenti gjerman ishte tepër i vakët për hapjen e negociatave.
Në të vërtetë, ai ka rënë në një amalgamë të çuditshëm të anëtarëve të BE-së në Europën Lindore dhe Qendrore, plus Italinë, duke përfshirë edhe vendet e veçuara si Polonia dhe Hungaria, për të përkrahur haptazi zgjerimin e vazhdueshëm në Ballkanin Perëndimor.
Ky bllok mund të ketë arsyet e veta, jo krejtësisht dashamirëse, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, por megjithatë ata po vazhdojnë para me një politikë që është së paku në përputhje me atë që Brukseli dhe shtetet anëtare kanë mbajtur për gati dy dekada si bazë të politikës së BE-së kundrejt rajonit.
Që nga samiti i Selanikut të vitit 2003, BE-ja ka këmbëngulur jo vetëm në një politikë për dyert të hapura ndaj Ballkanit Perëndimor, por e ka karakterizuar shpesh përfshirjen e rajonit në bllok si një pashmangshmëri historike.
Ky argument mijëvjeçar ka qenë gjithmonë i keq këshilluar, pikërisht sepse shërbente për të errësuar qasjen shpesh të papërshtatshme dhe të dobët të BE-së për të trajtuar mungesën e progresit thelbësor politik në rajon, sidomos që nga kriza financiare e vitit 2008.
Por ishte ngushëlluese dhe bindëse për shumë qytetarë të zakonshëm në Ballkanin Perëndimor – dhe shpresa është një komoditet i fuqishëm. Kjo ishte derisa Franca dhe Holanda e kthyen kundër atë retorikë.
Tani, qasja e BE-së në Ballkanin Perëndimor duket se është zhvendosur, nga “anëtarësimi është i pashmangshëm” në “anëtarësimi është i pamundur”. Ky nuk është një ndryshim i vogël. Është një ndryshim që mund të interpretohet vetëm si tradhti, sidomos nga ata në rajon të angazhuar sinqerisht në axhendën më të gjerë euroatlantike, siç është qeveria aktuale në Shkup.
Kampi kundër zgjerimit të BE-së në Francë dhe Holandë nuk ka gjasa t’i interesojë. Në fund të fundit, nëse atyre do t’u interesonin opinionet e publikut të Ballkanit Perëndimor, pikë së pati ata nuk do të ndërmerrnin këtë qëndrim.
Por kjo nuk është thjesht një çështje drejtësie – një koncept që nuk ka pasur kurrë rëndësi në politikë gjithsesi. Problemi i vërtetë është se politikëbërësit francezë dhe holandezë, dhe shumë nga kolegët e tyre në kryeqytetet e tjera, duket se besojnë se BE-ja mund të kalojë nga një politikë zgjerimi në të ashtuquajturën “mbajtje nën kontroll” në Ballkanin Perëndimor dhe të mos pësojë kosto reale.
Ky është një iluzion i rrezikshëm.
Patrimonializmi dhe kriminaliteti që ende karakterizojnë shumë nga politikat e Ballkanit Perëndimor nuk mund të amputohen artificialisht nga thelbi i BE-së, jo më shumë sesa BE-ja qe në gjendje të frenonte krizën e emigracionit të Lindjes së Mesme nëpërmjet një regjimi kufitar mesjetar. Këto janë fantazi që politikanët populist i shesin turmave foshnjore; nuk është një politikëbërje e kthjellët.
I gjithë qëllimi i politikës së BE-së pas vitit 2003 në rajon ishte i rrënjosur në njohjen se siguria dhe stabiliteti i bllokut varet nga transformimi i juglindjes së kontinentit. Në praktikë, BE-ja shpesh u përpoq të përmbushte idealet e veta. Por të paktën teoria që qëndronte pas politikës ishte e shëndoshë, edhe nëse vënia në zbatim e saj ishte e dobët.
Ajo që po avancojnë tani Franca dhe Holanda nuk ka kuptim as në teori. Është marrëzi të besohet se BE-ja mund t’i lajë duart nga Ballkani Perëndimor – ose nëpërmjet refuzimit në mënyrë eksplicite të rajonit, ose, siç duket rrjedha aktuale, duke i zvarritur popujt dhe liderët e tij për një kohë të pacaktuar.
Të dyja qasjet do të kenë të njëjtin rezultat: vazhdimin e një emigracioni masiv drejt BE-së dhe Perëndimit nga qytetarët e zakonshëm dhe përkeqësim të dinamikës politike për ata që mbeten pas – duke rezultuar në eksternalitete të pashmangshme të sigurisë për BE-në.
Më të keqja nga të gjitha, të dy skenarët do të forcojnë duart e Rusisë, Kinës, Turqisë dhe aktorëve të tjerë të huaj malinj, tashmë aktivë në rajon dhe të etur për të shkaktuar kaos për Brukselin dhe Uashingtonin në këtë fushë strategjike të brishtë.
Secili prej këtyre faktorëve, dhe shuma e tyre, do të krijojë në mënyrë të pashmangshme një shumëllojshmëri krizash për BE-në. Ballkani Perëndimor do të mbetet pjesë e kontinentit europian, duke u shtrirë kundër kufijve të BE-së. Gardhet, muret dhe kufizimet në udhëtime nuk do ta ndryshojnë kurrë këtë – siç e dinin edhe brezat e mëparshëm të liderëve europianë. Dhe cedimi i rajonit ndaj gjasave të Moskës dhe Ankarasë është thjesht një plagë vetë-shkaktuar nga ana e BE-së.
Sigurisht, askush nuk pretendon se “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor” – Bosnja, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria – janë gati për anëtarësim sot. Është e dyshimtë nëse ndonjë prej tyre do të jetë gati për një dekadë. Por procesi i pranimit siguron një kuadër të gjerë për të stabilizuar, reformuar dhe transformuar rajonin.
Sado i papërsosur, është skela më e mirë që kemi në dispozicion për të mbrojtur ndërtesën në shkatërrim e sipër të projektit të shtet-ndërtimit dhe demokratizimit në Ballkanin Perëndimor.
Nëse BE-ja lejon që rajoni të shembet në vetvete – qoftë nëpërmjet neglizhencës së qëllimshme apo dashamirëse – reja e ardhshme e rrëmujës do të fshijë shpejt të gjithë kufijtë realë dhe të imagjinuar në kontinentin e vjetër.