Gazi kishte shpërndarë sot gjithandej njoftimin për mitingun nën sloganin “kilometri i fundit”. Meqë këtë e tha Doktori një javë më parë, tani kjo u bë si slogani kryesor i protestës.
Muli është shumë i shqetësuar për këtë pasi i rriten problemet për vazhdimësinë e protestave.
Duke biseduar me Lelon si ta shpjegojmë këtë që nuk bëhet fjalë për fund të protestave, po përpiqen të gjenin një formulë se si ta shpjegonin këtë budallallëk.
— Tani, i tha Muli, ne kemi 13 vjet në opozitë. Nëse ky është kilometri i fundit varet se kë do quajmë kilometër. Po quajtëm një mandat një kilometër ka kuptim, se mund t’u themi që ky është mandati i fundit në opozitë. Po e quajtëm me vite, i bie të jetë viti i trembëdhjetë, por zgjedhjet janë në vitin e 16. Atëherë jemi në tre kilometrat e fundit dhe jo në kilometrin e fundit.
Po ta zëmë me muaj, jemi në muajin e 150 në opozitë. Nëse do ta quajmë kilometri i fundit, duhet që në muajin e 151, dmth në mars, të fitojmë. Kjo është pak e rrezikshme, pasi këta pastaj në prill nuk të vijnë më.
— Duhet të gjejmë ndonjë parametër tjetër, tha Lelo. Për shembull ta llogarisim mbi bazën e shpejtësisë, jo kohës. Zgjidhja është te Ligji i Dytë i Njutonit që lidh forcën me masën dhe përshpejtimin. Formula është: F = m · a, ku F = forcë, m = masë (kg), a = përshpejtim (m/s²).
Dhe kështu nuk na kapin dot se nuk dinë të bëjnë llogari. Kur të na kapin te forca, u ndryshojmë masën; kur na kapin te masa, u rrisim përshpejtimin. Dhe kështu u themi kur të duam sa të duam.
— Si është kjo, se nuk e kuptova, tha Muli.
— Po ja, u themi jemi në kilometrin e fundit. Kjo varet nga forca që do tregojmë. Nëse jemi 100 mijë vetë në shesh, plus sulmojmë me forcë, atëherë formula na nxjerr fitues për një ditë. Po ra forca, shkon një muaj. Po ra fuqia goditëse, shkon një vit e kështu me radhë. Duhet të nxjerrim patjetër që Luli kishte goditur përshpejtimin, ndërsa Doktori po e nxit atë.
— Qenka më e vështirë se kjo që thotë Gazi, tha Muli. Lëre atë të Gazit “kilometri i fundit”. Po na thanë pse s’po mbaron, u themi kilometri i fundit është mandati i fundit. S’kemi ç’bëjmë.






