Deklarata e kreut të SPAK, Arben Kraja duket se ka tundur themelet e Partisë Socialiste. Këta të fundit duket se përgatiten për arrestime në radhë deputetësh, ministra dhe kryebashkiakësh, etj.
Bazuar në deklaratën e kreut të SPAK, gjykojmë se më të rrezikuarit janë ish-ministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Giknuri, por edhe kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, të përfshirë në dosjen e bujshme të inceneratorëve, që ka “ngrirë” deri më tani në duart e Prokurorëve të Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Skandali i inceneratorëve ka çuar në arrestimin e ish ministrit Lefter Koka, i cili ndodhet në burg dhe po pret gjykimin nga drejtësia e re për skandalin e inceneratorit të Elbasanit, ku SPAK akuzon ish ministrin se ka përfituar 3.7 milion euro me kompani fiktive.
Kompania “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) kanë marrë fatura dhe kanë kryer pagesa për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.
Albtek Energy dhe ITS, kanë zhvilluar aktivitet financiar me kompani fiktive, të krijuara nga Ish Ministri i Mjedisit Koka dhe njerëz të lidhur me të, për të grabitur paratë e qytetarëve. Mirëpo, të njejtat kompani fiktive kanë ndërvepruar edhe me Inceneratorët e Tiranës dhe Fierit.
Tabela e mëposhtme të shërbejë si një rikujtesë për organet e drejtësisë, të veprojnë sa më parë edhe ndaj inceneratorëve të Tiranës dhe Fierit dhe kompanive fiktive, për të shpëtuar sa më shumë nga taksat e qytetarëve.
Sipas SPAK, janë edhe 2 dosje të bujshme që pritet të tronditin nga themelet mazhorancën socialiste. Mendohet se dy dosjet e bujshme janë ajo e inceneratorit të Tiranës dhe Fierit,
Ndërkohë, një paralajmërim është bërë ditën e djeshme nga kryeministri Edi Rama, për të gjithë ata që kanë guxuar të “fusin duart” tek paratë e taksapaguesve shqiptarë. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama u shpreh qartë bazuar në deklaratën e SPAK, se asnjë deputet apo ministër nuk gëzon imunitet nga partia. Sipas kryeministrit, kush ka shkelur ligjin, të përgjigjet para ligjit.
Rama bëri të qartë se Partia Socialiste, sipas tij, nuk do të jetë kurrë streha e dikujt që me veprimet e veta cënon PS-në. Madje ata do të distancohen ndaj kujtdo që mban në ballë logon e PS-së dhe ekspozohet si përfitues i paligjshëm i të mirave publike, apo që përfshihet në skandale korruptive dhe jo vetëm.
Rama paralajmëroi deputetët e rinj dhe të vjetër se çdo ndërhyrje apo ndikime në tendera do të konsiderohet shkelje e madhe, duke iu dhënë mesazh të qartë se nëse ata do të kenë punë me SPAK, PS jo vetëm që do të distancohet, por do të inkurajojë organet e drejtësisë që t’i shkojnë deri në fund hetimeve për zyrtarët e saj.
Mesazhi i Ramës në grupin parlamentar dhe deklarata e bujshme e kreut të SPAK, paralajmërojnë arrestime në radhët e socialiste, të cilët të konsumuar nga pushteti pothuajse 10 vjeçar, nuk mund t’i mbajnë më dot “karriget”, veçse duke lëshuar hallkat e dobëta të partisë në duart e drejtësisë, për të gjithë skandalet e vjedhjet që kanë bërë këto vite.
Kohët e fundit flitet për një arrestim të mundshëm të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ish ministrin Arben Ahmetaj, për inceneratorin e Tiranës dhe të Fierit. E provuar me dokument, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke mos pasur votat e Këshillit Bashkiak, ka firmosur dhe i ka dhënë “dritën jeshile” bashkë me 128 milion euro, për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, dy kompanive fiktive që janë vënë nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme.
Kompania “Integrated Energy BV” u angazhua që do të ndërtonte inceneratorin e Tiranës, i cili do të financohej nëpërmjet një tarife për djegjen e mbetjeve nga njësitë e qeverisjes vendore të qarkut Tiranë. Sipas të dhënave të mëvonshme që nxori Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe të bëra publike nga opozita, kjo qe një ndërmarrje korruptive që do ti kushtonte publikut shqiptar tre fish më shtrenjtë.
Po cili qe roli i Veliajt në këtë “grup të strukturuar” kriminal, që dyshohet se ka ndyer duart në një grabitje shtetërore? E para, se me qëllim përshpejtimin e ndërtimit të një vepre, disa nga nismëtarët e së cilës sot janë në arrest nga SPAK, Erion Veliaj ka tejkaluar kompetencat e tij duke marrë edhe ato të këshillit bashkiak. Por sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Veliaj nuk e ka tagrin për ta miratuar projektin, pasi ai vetëm e propozon buxhetin e bashkisë, i cili miratohet nga Këshilli Bashkiak.
“Angazhimi për dakordësinë duhet të përfshijë marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak përkatës, si autoriteti kompetent për miratimin e buxhetit, ndërkohë që aprovimi është dhënë nga autoriteti i kryetarit të Bashkisë që ka për kompetencë vetëm propozimin e buxhetit në këshill,” thekson KLSH.
Por, përpos këtij implikimi të drejtëpërdrejtë kryebashkiaku akuzohet edhe tërrthorazi se në bashkëpunim me të tjerë, është bërë pjesë e devijimit të procedurave për ngritjen sa më shpejt të inceneratorit të Tiranës. Gjatë një korrespondence mes ministrisë së Ekonomisë, asaj të Mjedisit dhe Bashkisë Tiranë, është kërkuar që të jepej miratimi i katër Bashkive të qarkut të Tiranës (pra Vora, Kamza dhe Kavaja) që do të digjnin mbetejet e tyre dhe do të paguanin inceneratorin. Por procedura është kryer duke marrë vetëm firmën e Veliajt dhe duke i anashkaluar tre të tjerat.
I afërt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe me lidhje në të dyja krahët e politikës, Mirel Mërtiri qëndron në hijen e koncesioneve të mbetjeve në Shqipëri përmes një rrjeti kompanish satelite. Ai tentoi të replikonte të njëjtin model në Afrikë, por atje zyrtarë të lartë përfunduan në pranga nga skema e tij.
Ministri i Financave Arben Ahmetaj rrezikon të arrestohet pasi ka përfshirë në buxhetin e 2018-ës disa miliona euro si pagesa për inceneratorin e Tiranës. Arben Ahmetaj tentoi fillimisht të gënjente publikisht se nuk kishte lidhje me biznesmenin kontrovers Mirel Mërtiri, i cilësuar si personi që qëndron pas inceneratorit të Elbasanit, por faktet dëshmojnë të kundërtën.
Më 16 korrik 2017, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe tre miq të tjerë po ktheheshin nga një udhëtim tre ditor në një makinë “Range Rover”. Ndërsa po udhëtonin në autostradën Tabanoc-Kumanovë, rruga që lidh Serbinë me Maqedoninë e Veriut, ata u përfshinë në një aksident të dyfishtë. Prej aksidentit të fuqishëm nisi dhe një hetim u nga Prokuroria e Kumanovës.
Nga ky hetim dolën në pah disa emra në regjistrat e drejtësisë fqinje, ku do të zbulohej lidhja e ministrit Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit, ky i fundit një personazh kontrovers që qëndron në hijen e koncesioneve të inceneratorëve në Shqipëri dhe me tentakula të shtrira së fundmi deri në Afrikë.
Sipas disa të dhënave të siguruara nga BIRN, përmes dokumenteve zyrtare, hetimeve të arkivuara dhe burimeve njerëzore tregojnë se Mërtiri, 42 vjeç, ka përfituar prej gati dy dekadash një duzinë kontratash për punë publike dhe koncesionesh me vlerë qindra milionë euro, pa u ekspozuar asnjëherë personalisht.
Koncesionet e mbetjeve urbane janë simboli më i debatuar i politikave të partneritetit publik-privat të qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe sipas një vlerësimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, parashikohet t’u kushtojnë mbi 350 milionë euro taksapaguesve shqiptarë për tre dekadat e ardhshme.
Mërtiri, miku i Arben Ahmetaj, është i lidhur ngushtë me firmëtarët zyrtarë të dy prej kontratave. që janë Stela Gugallja (partnerja e tij) dhe Klodian Zoto (jurist dhe bashkëpunëtor i hershëm). Në fund të gushtit, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar regjistroi një procedim penal me akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”.
Afërsia e Mërtirit me ish-ministrin e Financave Ahmetaj, ngre pikëpyetje për konflikt të mundshëm interesi në përzgjedhjen e fituesve të tre koncesioneve të mbetjeve urbane, që mund ta çojnë ish-ministrin prapa hekurave./Ekskluzive.al