Mustafa Nano ka reaguar pas disa lajmeve që po qarkullojnë në portalet online se djali i tij është plagosur me thikë të mërkurën në Tiranë, duke e mohuar këtë gjë.
Në një reagim në rrjetet sociale, analisti thotë se ai nuk është babai i një djali 34-vjeç dhe me emrin Gerian, siç raportohet në disa media dhe rrjetet sociale.
Mustafa Nano paralajmëron me padi në rast se mediat nuk e heqin lajmin. “Në mos, do t’i çoj në gjyq, ku alibia se “e morën nga të tjerët” nuk do t’u vlejë”, shkruan analisti.
“Fake neës!!! Ka qysh dje që një numër portalesh, të Shqipërisë e Kosovës, kanë nxjerrë një lajm me titull “Plagoset me thikë i biri i Mustafa Nanos”. Unë nuk kam ndonjë djalë me emrin Gerian. Nuk kam as ndonjë djalë 34 vjeç.
Është një lajm krejt i rremë, i sajuar kotmëkot bazuar te mbiemri Nano.
Dhe e bukura është se edhe mbiemri i të plagosurit nuk është Nano.
Por është Mano. Dhe kjo e bën gabimin edhe më të pafalshëm. Është një lajthitje që nxjerr në pah edhe një herë papërgjegjshmërinë e disa reporterëve, që bëjnë lajme (ose marrin lajme nga njëri-tjetri) pa bërë asnjë lloj verifikimi, duke shmangur edhe mundimin e një telefonate. Turp!
Ka ende disa portale që e mbajnë këtë “fake neës”. Ju bëj thirrje ta heqin urgjentisht. Në mos, do t’i çoj në gjyq, ku alibia se “e morën nga të tjerët” nuk do t’u vlejë”, shkruan ai.