Portali që njihet publikisht se financohet nga Shkëlzen Berisha dhe që zyrat i ka tek pallati i Ilir Metës në “Astir”, i cili drejtohet nga Çlirim Peka ka bërë një sdhkrim se përse 29-vjeçar që kurohej prej koronavirusit në Tiranë, ka vendosur të vetëvritet.
Gjëndja e tij shëndetësore ishte e stabilizuar dhe për këtë arsye, nuk dihet përse ai u vetëvra.
Por, portali i familjes Berisha-Meta e ka zbuluar. Sipas portalit në fjalë, që me sa duket ka parë nga “syri” i dhomës së spitalit, viktima u hodh nga ballkoni i spitalit, për shkak të Ramës, që po e mban sekret se çfarë ndodh nëpër spitale.
“Një pacient, një djalë i ri 29-vjeçar, i cili ishte shtruar në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ pasi vuante nga koronavirusi, zgjodhi që në vend që të vazhdonte kurimin aty të hidhej nga kati tretë dhe të vdiste në vend. Shumëkush; drejtuesit e spitalit, ministria e Shëndetësisë apo edhe vetë policia mund të thotë se njihet fenomeni i ‘depresionit të të sëmurit’ dhe me shumë gjasa do ta cilësojë këtë akt ekstrem, si një ‘vetëvrasje në kushte të rënduara psikologjike’.
Por të gjitha faktet dhe të dhënat e dala vetëm 24 orët e fundit, të çojnë në dyshimin se kemi të bëjmë me një ‘vrasje’ dhe madje të paralajmëruar”, shkruan ky portal, që shpjegon pse u “çmend” 29-vjeçari, pas lajmeve të fundit nga spitali ku ai kurohej.
“Disa media zbarkuan me gazetarë dhe kamera pranë këtij spitali dhe dëshmitë që u mblodhën ishin tronditëse. Familjarë që akuzonin se në spital mungonin jo vetëm medikamente, por edhe pajisje jetike për të shtruarit, siç janë pompat e oksigjenit.
Dy motra që kishin ardhur nga Franca, akuzonin se po ua vrisnin babanë aty brenda, si pasojë e kushteve skandaloze. Një tjetër tregonte se kishte blerë vetë pompën e oksigjenit për 1500 euro, por nuk ishte i sigurt nëse përdorej për prindin e tij.
Dhe ndërkohë që jepte këtë intervistë, kamera kapi rastësisht mes grumbullit të familjarëve të dëshpëruar te sporteli i spitalit, një dorë që zgjaste një 5-mijëshe lekëshe të re.
Por për të gjitha këto e shumë denoncime të tjera të forta dhe dëshpëruese të familjarëve të të shtruarve në këtë spital, drejtuesit e tij nuk ‘denjuan’ që të shkruajnë ndonjë sqarim, siç bënë me shpejtësi kundër Partisë Demokratike. Nuk reaguan dje, por edhe deri në këtë moment që po mbyllet ky shënim, pra mbi 5 orë pas ngjarjes së rëndë të pacientit të tyre që u hodh nga kati i tretë, nuk kemi asnjë fjalë, reagim dhe sqarim”, shkruan portal në fjalë.
“Këto nuk i duroi dot 29-vjeçari, që vdiq duke u hedhur nga dritarja e dhomës! Për të ikur përgjithmonë nga çfarë”, e mbyll shënimin e vet portal i financuar nga familja Berisha dhe i strehuar në pallatin e familjes Meta. (TemA)