Nga Reldar Dedaj
Ajo çfarë duket se ka mbetur pas nga kthimi në politikë i aktores së njohur shqiptare Rajmonda Bulku nuk është asgjë tjetër veçse një pamje e zymtë, si e ngrirë në celoloid, që rron tashmë falë lëmoshave të rralla të buzëqeshjeve që i hedhin fantazmat kur hapin një çast sytë teksa rrotullohen në krahun tjetër.
Fantazmat ende vazhdojnë të qëndrojnë aty. Gjatë këtyre 32 viteve kështu i kemi parë, gjithmonë në radhën e parë; herë duke kërcënuar, e herë tjetër duke trembur. Nuk kanë aspak ndërmend të ndalen. Ata që kanë ndryshuar në këto vite jemi ne, së bashku me “Nënën Shqipëri”. Kjo e fundit u shfaq ndryshe. Kishte shumë nga ne që e kishin hamendësuar më të re, sigurisht ka edhe nga ata që e kanë menduar më të vjetër, më të lodhur edhe më të robëruar.
Pamja e Rajmonda Bulkut në rolin e “Nënës Shqipëri”, ishte e frikshme. Dukej se monumenti i saj, pra, i “Nënës Shqipëri” ishte ndarë në dyshë. Ashtu si kemi ndarë shqiponjën në dy koka në flamurin tonë kombëtar, njëlloj ishte ndarë edhe monumenti i saj, veçse kësaj radhe me një ndryshim. Pjesa që ishte arratisur, që ishte shkulur me dhunë nga gjysma tjetër, dukej se fliste me kokën e kastës politike.
Kështu, dashur pa dashur, mbërritëm tek thelbi i teatrit: te maska, loja dhe ajo që fshihet pas saj. Siç ndodh me ngjarje të tilla që ndrydhin mister, ne ndiejmë dëshirën të shkojmë tek vendi që zë fill gjithçka, këtu në Shqipërinë tonë, në vendin që s’ka as mbretër e as princa e trumbeta. Por që ka tre individë, të tre kryezotë të kësaj toke, që qeverisin, me sa duket, bashkarisht… duke i hapur rrugën herë njërit, e herë tjetrit, sipas një rregulli të vetëpërcaktuar nga ata.
Është i shëmtuar si spot, pasi Rajmonda Bulku në rolin e “Nënës Shqipëri” nuk vjen si thirrje e shoqërisë civile, e qytetarëve shqiptarë që mezi arrinë të sigurojnë jetesën e tyre të përditshme, nuk vjen as si rezistencë e artistëve shqiptarë ndaj mënxyrës së përditshme që ka kapluar vendin dhe as si revoltë e rinisë shqiptare. Aktorja e njohur në këtë spot publicitar vjen si “kukull” në duart e kastës politike shqiptare, e cila pas vdekjes së Mbretëreshës Elisabetë, rezulton si kasta më e vjetër politike në Evropë.
Pikërisht atëherë kur elitat shqiptare janë korruptuar, mediat janë blerë dhe artistët janë kompromentuar, burrat dhe gratë e këtij vendi e kanë parë të udhës që të merren me hallet e përditshme të familjeve të tyre dhe, qytetarët kanë të drejtë që s’dinë të bëjnë asgjë tjetër, veçse të pajtohen me fatin e tyre të dhjerë dhe të zhysin turinjtë në filxhanin e kafes, të birrës apo rakisë.
Fytyra e vërtetë e mjeruar e “Nënës Shqipëri” në spotin publicitar të “Rithemelimit” të Sali Berishës, më shumë se gjithçka tjetër personifikon fytyrën e vërtetë të kastës më të vjetër politike në Evropë, me të cilën personifikohet sistemi dhe kjo kastë politike, hiq disa militantë strukturash partiake, kasta po ndjehet gjithmonë e më e vetmuar, e braktisur dhe e tradhtuar.
Po shkon tragjikisht drejt fundit të saj, sepse drejt fundit shkojnë të gjithë ata që i kanë shërbyer keq qytetarëve të tyre. Historia ka treguar se liderët joautoritarë largohen, liderët autoritarë i zbojnë. Dhe kur i zbojnë, nuk e kuptojnë pse. A nuk ishte i habitur Gadafi kur po ia fusnin hurin në prapanicë, pikërisht ata që e kishin “adhuruar”. “Pse, pse- thoshte ai, – çfarë ju kam bërë?”.
A nuk ishte i habitur Çaushesku me të shoqen teksa e fishkëllenin me mijëra “adhurues” të tij në një shesh të Bukureshtit. A nuk ka qenë i habitur Benito Musolini, kur po e varnin bashkë me të dashurën e vet, Klarën, në një shesh të Milanos? Po Hitleri në bunkerin e tij? Po Mubaraku, teksa e rrasnin në burg gjeneralët e tij bashkë me aleatët ndërkombëtarë? Po, Sadami i nxjerrë nga pusi teksa ia numëronin dhëmbët si të kalit?
Shembuj historia ka plot, por liderët autoritarë nuk e lexojnë historinë, mendojnë se e bëjnë historinë. Ata nuk e lexojnë as realitetin, megjithëse ai i jep pafund shenja për përkohshmërinë e tij. Pikërisht në momentin që kasta politike e ndjen veten më të fortë se kurrë, pavarësisht se e kanë poshtëruar në maksimum popullin e tyre dhe ia kanë zhytur thikën aq shumë në palcë, përsëri mendojnë se mund të ngjallin shpirtin e rebelizmit dhe të rezistencës. Por sot ky nerv ka vdekur. Shqiptarët nuk janë aq budallenj sa i pandehin për të mos kuptuar dot se ku janë ata sot dhe ku gjendet kjo klasë politike që sa herë u kërcënohen interesat personale, thirrin popullin në mbrojtje të tyre.
Spoti publicitar i “Nënës Shqipëri” na tregoi më shumë se gjithçka tjetër se bajraktarët e politikës shqiptare nuk duan të ndryshojnë dhe as të largohen nga skena politike, mungesa e një mekanizmi që mund ta bënte të mundur ndryshimin e kësaj skene, e bën akoma edhe më të padobishëm spotin, madje edhe më të pakuptimtë se kaq, sa e detyron qytetarin që të qëndrojë në heshtje, me dyshimin se përballë tij nuk ka më tre kundërshtarë ideologjikë, por partnerë me halle të përbashkëta, duke u shtirur në sytë e gjithë botës si kundërshtarë.
Na tregoi edhe diçka tjetër, frikën nga reforma në drejtësi. Kjo treshe politike që luajnë luftash me njëri-tjetrin sa herë ua kërkon nevoja, duke mos pasur mundësi t’ia përdredhin asaj kërthizën, veç e veç, iu është dashur të mblidhen në mos për ta zhbërë, të paktën për ta penguar aq sa do munden. Dhe përpjekjet nuk kanë të sosur. Megjithatë, pozat e kastës Berisha-Meta me turma njerëzish nga pas, që iu ndërsehen institucioneve, nuk do i ndihmojnë dot ata, sado të lodhen, ta trajtojnë rrezikun që u kanoset atyre personalisht, si një rrezik që i kanoset gjithë Shqipërisë./Liberale.al/