Nga Ylli Pata
Portali i njohur politico.eu, i cili merret me analizat dhe komentet mbi zhvillimet në BE, ka publikuar një reportazh të hollësishëm të modelit portugez të përballimit të krizës së koronavirusit.
Portugalia, ka zbatuar ekzaktësisht atë që taskforca dhe qeveria shqiptare ndoqi për të përballuar koronavirusin.
Dhe sot, ky vend i Bashkimit Europian gjendet në një pozitë mjaft të mirë sa i përket goditjeve të katastrofës së Covid 19.
Politico thekson se Portugalia, ka një sistem shëndetësor të dobët krahasuar me vendet e tjera të BE-së, ka një popullsi të re, si dhe popullsia e saj në shumicë ka bërë disa vite më parë vaksinën e tuberkulozit, ҫka konsiderohet nga ekspertët si një mundësi mbrojtëse ndaj Covid 19.
Pra, Portugalia ka karakteristika të afërta me Shqipërinë, që normalisht mund të merret si një lakmus analize për të parë rezultatet me një diapazon më të zgjeruar.
Politico, thekson në reportazhin nga Paul Ames, se “Rrugët e Portugalisë janë boshe, plazhet e saj janë të mbyllura, ekonomia është e asfiksuar – megjithatë ekziston një optimizëm i kujdesshëm se vendi mund të jetë duke tërhequr një fitore të pakundshme ndaj koronavirusit. Me një të katërtën e popullsisë së Spanjës fqinje, Portugalia ka rreth një të dhjetën e numrit të rasteve. Dhe ndërsa niveli i saj i vdekshmërisë koronavirus ngjitet pak më shumë se 3 përqind, shifra është mbi 10 përqind në Spanjë, 12 përqind në Sh.B.A dhe 15 përqind në Francë”.
Portugalia ka vetëm 4.2 shtretër të kujdesit kritik për 100,000 njerëz, më e ulta në BE. Spanja ka mbi nëntë shtretër të tillë për 100,000, Gjermania pothuajse 30.
Pikërisht si pasojë të sistemit shëndetësor të dobët, në Portugali masat drastike u morën më herët se në vende të tjera.
Portugalia mbylli shkollat kur kishte vetëm 245 raste në vend. Spanja tashmë kishte 2.140 infeksione kur shumica e qeverive europiane mbyllnin shkollat.
Në mënyrë thuajse identike me ne, edhe Portugalia zbatoi një sistem të ashpër mbylljeje të ambjenteve publike dhe të distancimit social.
Por Portugalia kishte një ndryshim thelbësor me Shqipërinë: politika e saj.
Qeveria dhe opozita në këtë vend u bënë totalisht së bashku për të përballuar pandeminë. Madje lideri i opozitës së qendrës së djathtë portugeze, Rui Riu, mbajti një fjalim emblematik në Parlament, ku deklaroi duke ju drejtuar kryeministrit socialist Antonio Costa se deputetët e opozitës duhet të llogariten si “ushtarë nën drejtimin e kryeministrit në luftën ndaj pandemisë së Coronavirusit”.
Politico, citon një deputet të opozitës së djathtë, i cili thekson se “Populli Portugez e kuptoi shumë qartë se nëse duam ta mbijetojmë këtë, ne do të duhet të bënim edhe më shumë se të tjerët në shtypjen e kurbës, në zgjatjen dhe shtyrjen përpara të numrit të çështjeve të reja.
Ngjashmëritë me Shqipërinë janë edhe në aspektin gjeografik, pasi Portugalia është një vend mesdhetar me breg të gjatë detar dhe një industry të rëndë jo shumë të përqëndruar ҫka ndikon në mos ndotjen e ajrit.
Portugalia mbylli shkollat në 16 mars kur kishte vetëm 245 raste në vend, ndërsa në Shqipëri u mbyllën më 8 mars kur kishim 2 pacientët e parë.
Spanja kishte tashmë 2.140 infeksione kur shumica e qeverive rajonale mbyllën shkollat në 12 Mars. Italia kishte mbi 2.500 raste para se studentët të dërgoheshin në shtëpi në 4 Mars.
Gjendja e jashtëzakonshme në Portugali u shpall 18 Mars kur vendi kishte 448 raste. Spanja ndërmori masa të ngjashme tre ditë më parë me gati 10 herë më shumë raste; Italia kishte mbi 9,000 njerëz të infektuar nga koha kur bllokimi i saj mbarëkombëtar erdhi më 10 mars.
“Vetëm zbatimi i hershëm i masave mund të ndihmojë në shpjegimin e ritmit të ngadaltë të infeksionit,” tha Inês Fronteira, pedagog i shëndetit publik ndërkombëtar në Universitetin NOVA të Lisbonës.
Megjithëse epidemia është përqendruar në veri, rreth qytetit Porto, sistemi i centralizuar i qeverisjes i Portugalisë lejoi masa të shpejta mbarëkombëtare sesa veprimin rajonal të pjesshëm të miratuar diku tjetër.
Politikanët dhe ekspertët e kujdesit shëndetësor vlerësojnë gjithashtu disiplinën e shfaqur nga populli Portugez në respektimin e bllokimit.
Edhe në Portugali, si dhe në Shqipëri, prodhimi industrial nuk është ndalur, atje siҫ bën të ditur Politico, “Fabrikat dhe vendet e ndërtimit mund të qëndrojnë të hapura. Qytetarëve u lejohet stërvitja e përditshme, si dhe udhëtimet për ushqim dhe farmaci. Megjithatë, shumica e njerëzve preferojnë të qëndrojnë brenda”.
“Që nga fillimi i kësaj krize Portugezët kanë kuptuar se qëndrimi në shtëpi është mënyra më e mirë për t’i mbështetur punonjësit tanë shëndetësorë në linjat e prapme,” tha Kryeministri António Costa në një intervistë në radio të martën. “Ne duhet të festojmë vetë-disiplinën e madhe që kanë treguar njerëzit.”
Politico, duke shpjeguar paqen politike në vend, e konsideron një model suksesi edhe bashkëpunimin politik. Portali europian shkruan se “Për dallim nga Spanja dhe Italia, Kosta nuk ka vuajtur sulmin opozita. Politikanët kanë vendosur një armëpushim për koronavirus që provokoi zili hapur në Madrid.
Podemos i majtë i Spanjës, partia e vogël në koalicionin qeverisës, postoi një tweet me duartrokitje pas një fjalimi në të cilin lideri i opozitës së qendrës së djathtë të Portugalisë Rui Rio premtoi mbështetje për betejën e qeverisë Socialiste për të përmirësuar virusin”, shkruan Politico.
“Kjo është një kohë për bashkëpunim, jo për kundërshtim,” tha Baptista Leite nga PSD e opozitës.
“Në këtë rast nuk kemi në krye më qeverinë Socialiste ndaj së cilës jemi kundërshtar politik dhe rival për të marrë pushtetin, por kemi të bëjmë me qeverinë e Portugalisë”, tha ai.
“Ne kemi takime shumë të sinqerta por mbështetëse për të paraqitur kritikë konstruktive dhe zgjidhje përmes kanaleve të pasme, duke treguar një ndjenjë uniteti për interesin kombëtar”.
Solidariteti politik u ruajt pasi qeveria morri masa të tilla si ndjekja e shpejtë e të gjitha kërkesave të qëndrimit nga migrantët dhe azilkërkuesit për t’u dhënë atyre qasje në kujdesin shëndetësor dhe sigurinë shoqërore; dhe dhënia e lirimit të parakohshëm për mbi 10 përqind të të burgosurve për të zvogëluar rrezikun e infektimit në burgje.
Shifrat e së mërkurës së javës së shkuar treguan Portugalinë me 18.091 raste të konfirmuara, ditën e pestë radhazi në të cilën rritja e infeksioneve ka qëndruar nën 4 përqind. Numri i vdekjeve ishte 599, me 32 gjatë 24 orëve.
Numrat në kujdesin intensiv ranë në 208 nga 245 gjatë javës së kaluar.
Planet për të ngritur struktura spitalore në terren kanë filluar të duken të tepërta. Në qoftë se nuk ka një ngritje të papritur, shërbimi shëndetësor duket sikur mund të përballojë situatën.
Megjithë ritmin e ngadalësuar të pandemisë, kryeministri Costa thotë se është shumë herët të mendosh për një lehtësim të masave kufizuese për të lehtësuar dhimbjen ekonomike të Portugalisë.
Ministri i Financave Mário Centeno tha se çdo muaj mbyllje do të tkurrë ekonominë me 6 përqind. Ai parashikoi një tkurrje të tremujorit të dytë deri në pesë herë më keq se gjithçka që ka shkuar më parë. Mund të duhen dy vjet para se ekonomia të kthehej në nivelet e vitit 2019, tha Centeno për rrjetin TVI.
Me këto tregues krahasimorë në bazë të popullsisë edhe të të dhënave të tjera, mund të thuhet fare mirë se Portugalia vlen si një rast krejt i ngjashëm për të analizuar me vendin tonë, nga ku mund të studiohen natyrisht edhe rrugët për të dalë nga kjo situatë në një kohë sa më të shpejtë.
Por Portugalia, duket se ka një fat të madh, nuk ka politikanët shqiptarë dhe terrenin e debatit publik natyrisht e ka më të pjekur e brenda logjikës normale, e jo ҫmendurisë së emisioneve të televizioneve tona e analistëve që vetëm i hedhin benzinë zjarrit.
Sipas këtij krahasimi, i bie që ajo që stonon në model është shembulli i Lulzim Bashës dhe opozitës së tij të ҫorientuar që nuk di qartë se ҫ’kërkon dhe ku kërkon të shkojë…