Ka marrë një tjetër rrjedhë gjyqi për vrasjen 20 vjeçarit, Hermes Beqiri, ngjarje e shënuar nëntorin e vitit të kaluar pas një sherri mes një grupi shokësh që në atë kohë u tha se nisi për një kapele. Ndryshe nga deklarimet e para, autori i dyshuar Elvis Hoxha tashmë ka ndryshuar dëshminë dhe mohon të jetë ai njeriu që qëlloi 6 herë ndaj Hermes Beqirit. Elvis Hoxhaj ka mohuar dëshminë e tij në lidhje me vrasjen e adoleshentit Hermes Beqiri, në nëntor të vitit që shkoi.
Ndërkohë që, në fillim 18-vjeçari pranoi se e kishte vrarë shokun e tij në ngjarjen e ndodhur në datën 04 nëntor të 2017-ës, në lagjen “Guerile” në rrugën “Hoxha Tahsim”. Në seancën e parë të shqyrtimit në themel, i riu e ka mohuar autorësinë e krimit. Si të bashkëpandehur me Hoxhën, janë edhe 22-vjeçari Bekim Torishta, i vënën në akuzën e “Moskallëzimit të krimit” dhe 18-vjeçari Ditmir Harifi, nën akuzën e “Vrasjes me dashje” në bashkëpunim.
Seanca e djeshme ka zgjatur shumë pak, ndërsa pritej të vazhdonte gjykimi normalisht, adoleshenti ka mohuar çdo gjë, duke thënë se ai ditën kur ka ndodhur vrasja ka qenë te dajat e tij dhe nuk është ai autori. Në këto kushte, gjykimi do të zhvillohet me gjykim të zakonshëm, ndërsa në seancën e radhës, pritet të dëshmojnë 8 dëshmitarë, që ishin prezent në lokalin ku ndodhi ngjarja.
Pas ndryshimit të dëshmisë të të riut prokuroria ka kërkuar qelizat telefonike të autorit për të gjetur vendndodhjen e tij në momentin e krimit. 20-vjeçari Hermes Beqiri u qëllua me automatik në një lokal, pas një konflikti të çastit me Elvis Hoxhajn dhe Ditmir Harifin. Edhe ndonëse ju dha ndihma e specializuar në spitalin e Shkodrës, e më pas në Tiranë, ai nuk arriti ti mbijetojë plagëve të marra.