Planet e presidentit Ilir Meta për të orientuar KED sipas interesave të tij duket se po dështojnë. Letra e pak ditëve më parë e dëshmon fare qartë se pritshmëritë e tij nuk janë përmbushur.
Presidenti mendoi se me largimin e Ardian Dvoranit nga KED institucioni do ishte në shërbim të tij, por nuk ka ndodhur kështu. KED u mblodh javën që lamë pas dhe nuk mori asnjë vendim sa i takon mandatit të Dvoranit. Ish-kreu i KED iu drejtua me një letër kryetares Vitore Tusha ku jepte argumentet se ligji i jep të drejtë të jetë anëtar, por gjithsesi kërkoi një mendim nga KED.
Kjo letër si duket alarmoi Metën, i cili po me një letër i kërkonte Tushës që të mbajë larg KED Ardian Dvoranin. Mirëpo gazeta ka mësuar se duke qenë se KED më datë 16.9.2020 nuk mori asnjë vendim sa i takon mandatit të Dvoranit, i ka hapur rrugë rikthimit të tij në mbledhje. Një burim nga KED bëri me dije se zoti Dvorani do të vihet në dijeni për diskutimet e KED dhe sipas gjasave ai në mbledhjen e radhës të KED do të jetë prezent.
Edhe pse në mediat pranë presidentit u interpretua se me këtë akt KED i mbyll derën Dvoranit, gazeta ka mësuar se ka ndodhur krejt e kundërta. Në mbledhje është bërë e ditur se KED do të duhet të bëjë të njëjtën gjë siç bëri me Arta Markun. Kjo e fundit ishte Kryeprokurore, por edhe pas dorëzimit të mandatit qëndroi anëtare. Madje dhe sot Marku vijon të jetë anëtare me kompetenca të plota.
KED në fillim të këtij viti e preku si çështje rastin e zonjës Marku, por në fund u vendos se nuk ka të drejtë të vendosë nëse i takon apo jo të jetë anëtare. Nga ana tjetër në ligj nuk ka asnjë institucion të përcaktuar që mund ta vendosë nëse një anëtari i takon apo jo t’i hiqet mandati.
Për këtë arsye Marku mbeti në detyrë. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me zotin Dvorani. Një burim në KED tha se përderisa nuk ka asnjë vendim që i ndalon të marrë pjesë, atëherë atij i është hapur dera që në mbledhjen e radhës të jetë prezent.
Ngritja e Kushtetueses
Ad by Valueimpression
Ngritja e Gjykatës Kushtetuese ka qenë në qendër të vëmendjes e javët fundit. Presidenti, kreu i Kuvendit dhe ambasadorët kanë reaguar fuqishëm.
Por në reagimet e tyre bie në sy qëndrimi i presidentit, i cili merakun e ka se nuk po i shkojnë në tryezë emrat e preferuar. KED skualifikoi për vakancën e datës 27.09.2019 të gjithë kandidatët e presidentit. Ajo që bie në sy është se KED po mban të njëjtin qëndrim si me vitet e kaluara.
Për 3 vakancat e plotësuara tashmë në Kushtetuese (2 nga Kuvendi e 1 nga Presidenca) u skualifkuan shumë kandidatë. Ajo që bie në sy është se disa emra kandiduan sërish, por në korrik të këtij viti u skualifikuan për herë të dytë. Këtu mund të përmendim emra si: Vasil Bendo, Dedë Kasneci, Ardita Alsula, Klodian Rado, etj.
Këta emra u skualifikuan dhe në aplikimet për dy vendet e shpallura nga Presidenti e Kuvendi më 21.08.2019 dhe 27.09.2019. KED ka momentalisht në dorë vakancën e tretë të presidentit, shpallur më datë 22.11.2019. Ajo që bie në sy është se edhe në këtë shpallje ka shumë emra që rrezikojnë të firojnë.
Emra si: Dedë Kasneci, Shaqir Hasanaj, Zhaklin Peto apo Sinan Tafaj janë skualifkuar më herët. Meta në letrën e ditëve të fundit i kërkonte llogari KED se përse i ka ndarë me faza procedurat e verifikimit dhe kjo pasi disa emra të besuar të tij kanë mbetur për në fazën e dytë. Por nëse shohim traditën e KED, ata që janë skualifikuar një herë nuk kalojnë më. Pritet që kështu të ndodhë dhe me të besuarit e tjerë të kreut të shtetit.