Ndërkombëtarët kanë pasur rol vendimtar te emrat e kandiduar nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike dy ditë më parë. Të gjitha palët tashmë kanë publikuar kandidatët dhe beteja e 25 prillit do të jetë e fortë.
Ajo që bie në sy është se numri i personave të inkriminuar është ulur ndjeshëm edhe pse ka akuza mes partive për promovim të tyre. Gazeta ka mësuar se Ambasada e SHBA dhe disa seli të tjera diplomatike në vend, përveçse kanë lëshuar mesazhe në publik se nuk duhen në lista kriminelë apo të korruptuar, kanë kontaktuar privatisht me partitë politike dhe u kanë dhënë emra konkretë që nuk duhet të kandidojnë.
Sipas burimeve, agjencitë ligjzbatuese të shteteve partnere kanë zbuluar para jashtë vendit për disa politikanë, sidomos të investuara në kompani “off shore” dhe mësohet se kreu i PS Edi Rama dhe kreu i PD, Lulzim Basha janë informuar për ta duke u kërkuar që t’i lënë jashtë. Nëse shohim me kujdes emrat që Rama dhe Basha kanë lënë jashtë, ka disa që janë vërtet problematikë.
Nëse shohim listën e PD, kemi disa ish-ministra që janë sulmuar për pasuri jashtë vendit. Nëse shohim listën e PS ndodh e njëjta gjë, ku kemi emra që kanë pasuri shumë të lartë. Madje gazeta ka mësuar se në mbledhjen e Kryesisë, Basha ka deklaruar se nuk mund të hyjë në luftë me SHBA dhe për disa emra të caktuar dhe për këtë arsye i ka lënë jashtë.
Dekriminalizimi
Ajo që bie në sy është se edhe PS i është bindur paralajmërimit amerikan. Dy emrat që pritej të ishin në listën e kandidatëve për deputetë nuk janë futur: Aqif Rakipi dhe Gleidon Rehovica. Që të dy u penalizuan nga ligji i dekriminalizimit. Rehovica bëri shumë fushatë për PS dhe disa herë foli në media ku linte të kuptohej se priste të kandidonte në Berat. Rama nuk futi fare në lista.
Aqif Rakipi është emri tjetër që u dogj nga dekriminalizimi dhe flitej se do të kandidonte në Tiranë apo Elbasan po nga PS. Edhe ai u la jashtë. Ndërkohë PS ka kandiduar një familjar të tij, në Tiranë, por që është jashtë listës fituese. Ndërkohë i vetmi emër që ka shkaktuar debat është ai i Rrahman Rrajës, ku të afërm të tij janë arrestuar jashtë për trafik droge, por që ai vetë nuk është i dënuar për asnjë krim.
Në pamje të parë bie në sy se “kriminelët” janë larguar nga Parlamenti, por kjo nuk do të thotë se nuk fshihen pas emrave të caktuar. SHBA e bëri të qartë se kush nuk zbaton ligjin nuk do i ketë mirë punët dhe si PD ashtu e PS duket se i janë bindur ambasadores duke i hequr emrat nga lista, ndërkohë për mbështetjen në prapaskenë nuk e ndal dot askush pasi ligji i dekriminalizimit nuk shkon dot aq larg.
Nis verifikimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë bashkë me listën e kandidatëve është formularët e dekriminalizimit për çdo emër. Ishte Ilirian Celibashi, ai i cili njoftoi se do të nisë menjëherë verifikimi i emrave dhe atje ku kemi prekje nga ligji i dekriminalizimit, emrat do hiqen nga lista.
“Menjëherë pas dorëzimit të listave shumemërore nga subjektet zgjedhore, KQZ ka filluar verifikimin e dokumenteve të kandidimit. Verifikimi i formularëve të vetë-deklarimit (dekriminalizimi) po bëhet në bashkëpunim me DPGJC dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve“, shkruan Celibashi në një postim në Twitter.
Ndërkohë, kryekomisioneri njofton se në KQZ kanë depozituar listat shumemërore subjektet zgjedhore: LSI; LRE; LN; ADR; PLDSH; PNTH; PBK; PBD; koalicioni “Aleanca – AL”; koalicioni “ABEOK”; PSD; PS; koalicioni “PD-Aleanca për Ndryshim”. / KLITI TOPALLI