Precedenti “Llalla” po sjellë valë dorëheqjesh në sistemin e drejtësisë. Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ishte i pari person që dha dorëheqjen, pasi kishte nisur procesi i vetingut dhe pas këtij veprimi procesi i rivlerësimit për të u shua. Por ky precedent duket se po ndiqet edhe nga prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët nuk e kanë të sigurt kalimin e procesit të vetingut.
Kështu, pas dorëheqjeve të disa ditëve më parë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Haxhialushi; kryetares së Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi dhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Agim Bendo edhe gjyqtarja e Gjykatës për Krimet e Rënda, Liljana Baku është dorëhequr nga detyra. Mësohet se dorëheqja është paraqitur nga Baku pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor më 2 dhjetor, ndërsa mësohet se gjyqtarja Baku ka dhënë dorëheqje nga detyra për arsye personale. “Do angazhohem në biznes privat”, mësohet të ketë thënë Baku. KLGJ pritet ta shqyrtojë kërkesën e saj në seancën plenare të datës 10 dhjetor, pak ditë përpara se të bëjë emërimin e përkohshëm të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. \
Sipas ligjit, gjykatësja Baku automatikisht emërohej pranë Gjykatës së Posaçme, pasi më herët ishte njohur me aktet e vetingut dhe kishte shprehur pëlqimin dhe kishte autorizuar autoritetet të kontrollonin periodikisht llogaritë bankare të saj dhe familjarëve, si dhe telekomunikimet vetjake.
Ikën edhe gjyqtarja e dosjes “Tahiri”
Liljana Baku, është bërë pjesë e sistemit të drejtësisë, prej më shumë se 20 vitesh. Prej themelimit të saj, ajo ka ushtruar funksionin pranë Gjykatës për Krime të Rënda, ku ka shqyrtuar mjaft dosje të vështira. Çështja më e fortë që ka shqyrtuar së fundmi, është ajo e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në krye të herës, ajo vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë duke i bllokuar pasaportën Tahirit, e në këtë mënyrë edhe lëvizjen jashtë vendit. Vendimi i saj u rrëzua nga Apeli, pavarësisht deklaratës së fortë që erdhi asokohe nga ambasadori amerikan Donald Lu, që shënjestronte hapur gjykatësit e shkallës së dytë dhe ngrinte dyshime të forta për përfshirjen e tyre në korrupsion.
Pavarësisht kësaj, në maj të 2018, gjykatësja Baku firmosi masën e dytë për Tahirin, atë të arrestit shtëpiak. Por edhe kjo masë u shfuqizua dhjetë ditë më vonë nga Apeli. Gjyqtarja Baku ka dhënë vendim për burgim 126 vjet për “grupin terrorist” të imamëve. Gjithashtu, gjyqtarja Baku ka marrë edhe vendimin kundër nipit të diktatorit Hoxha, Ermal Hoxha, i kapur në krimin e prodhimit dhe trafikimit të drogave të rënda.
10 gjyqtarë dhe prokurorë braktisin detyrën
Por interesant është fakti se gjyqtarët dhe prokurorët që e dinë se do të shkarkohen nga vetingu po përdorin si precedent atë që bëri ish-kryeprokurori Adriatik Llalla disa muaj më parë, në mënyrë që t’i shpëtojnë ndëshkimit. Sipas statistikave të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, deri tani janë mbi 40 gjyqtarë dhe prokurorë që i janë shmangur procesit, duke mos hyrë në veting, ose kanë dalë në pension. Ndërkaq plot 10 njerëz të drejtësisë kanë dhënë dorëheqjen pasi janë njohur me aktet e rivlerësimit. Bëhet fjalë për prokurorin Petrit Fusha dhe gjyqtarët Astrit Haxhialushi, Joana Qeleshi, Agim Bendo, Arjana Fullani, si dhe së fundmi gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Liljana Baku. Pra, këto dhjetë dorëheqjet e fundit dhe ato të parat, e çojnë në mbi 40 numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që tentuan t’i shpëtojnë reformës në drejtësi. /Rigels Seliman