Një trafikant shqiptar njerëzish që qesh me tragjedinë e 39 emigrantëve të gjetur të vdekur në një kontejner transportues duke thënë: “thjesht shorti i fatit”. Me këtë titull të madh është hapur një nga gazetat më të mëdha britanike këtë të diel, “Mail on Sunday”.
Shqiptari nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rastin e fundit tragjik që ka tronditur jo vetëm Britaninë e madhe, por gazetarët janë përpjekur që më anë të tij të kuptojnë se si funksionin ky trafik njerëzish nëpërmjet kamionëve dhe kontejnerëve. Shqiptari ka pseudonimin “Kace Kace”, por në fakt sipas gazetarëve quhet Kastrijot Ahmati. Ai jeton në Walthamstow, në verilindje të Londrës. Ai pretendon se edhe vetë ishte kontrabanduar në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e pasme të një kamioni.
Media britanike e identifikon atë si Kastriot Ahmati. Ai jeton në Londër dhe prej andej është pjesë e një grupi trafikimi klandestinësh për në ishull. “DailyMail” thotë se gjatë investigimit ka përdorur një gazetare të maskuar si person që kërkonte të hynte ilegalisht në Britaninë e Madhe.
“Rrugët që i ofron trafikanti janë dy. E para, përmes dokumentacioneve false dhe nisjes nga Tirana me avion kundrejt 17 mijë paundëve. E dyta është hyrja në Angli si klandestin duke u fshehur në një kamion që niset nga Belgjika, që kushton 14 mijë paundë”, thotë “DailyMail”.
Media britanike thotë se përveç kësaj, shqiptari Kastriot Ahmati e publikonte nëpër rrjetet sociale aktivitetin e tij, përmes pseudonimit Kaçe Kaçe, madje duke postuar edhe numrin e telefonit ku mund të kontaktohej.
“Ahmati reklamonte shërbimet që ofronte dhe postonte numrin e tij të telefonit në Facebook në faqen “Albanian in London”, që ka më shumë se 16 mijë ndjekës”, thuhet në artikull.
“DailyMail” pretendon se herën e fundit që gazetarja e infiltruar ka komunikuar me Ahmatin në telefon ka qenë ditën e premte, vetëm dy ditë nga tragjedia e Eseksit, ku 39 klandestinë aziatikë u gjetën të vdekur në një kamion frigoriferit.
“Ka qenë e shkruar!”, citon media britanike të ketë thënë në telefon trafikanti shqiptar.