Katër muaj pas zhdukjes së biznesmenit italian Davide Pecorelli, 45 vjeç dhe dy muaj pas dërgimit të eshtrave ende nuk mund të përcaktohet nëse ato janë mbetje të eshtrave njerëzore apo shtazore.
Sipas autoriteteve italiane është absurde dhe nuk ka gjasa që një zjarr aq i madh sa ai që shkrumboi makinën e biznesmenit të ketë shkatërruar trupin deri në atë masë, ndërsa telefoni celular të jetë i paprekur fare dhe në gjendje pune.
Prokuroria e Perugias është në pritje që magjistratura shqiptare të dërgoj në Itali, një grup të dytë të provave në makinën e djegur e që për të cilat autoritetet italiane kanë bërë një kërkesë zyrtare.
Prokuroria italiane e Perugias e cila ka ngarkuar Policinë shkencore të Romës për analizimin e të gjitha provave të mbledhura për çështjen “Pecorelli” e kërkojnë mbërritjen në Itali të të gjitha elementeve që autoritetet policore shqiptare kanë rikuperuar në automjetin e djegur të sipërmarrësit të zhdukur.
Analiza dhe krahasimi i ADN-së ka shumë rëndësi për autoritetet dhe hetuesit pasi konsiderohet i domosdoshëm për të sqaruar nëse sipërmarrësi u vra vërtet në rrethana dramatike apo ka ndodhur diçka tjetër që mund ta lidhë atë me mafien.
Prokuroria e Perugia -e drejtuar nga Raffaele Canton ka hapur një dosje për vrasje dhe trafik të drogës kundër personave të panjohur për të verifikuar pistat e vrasjes hipotetike të sipërmarrësit dhe nëse kjo është e vërtetë për të gjetur lidhjen me botën e nëndheshme që organizon trafikun e drogës në aksin Tiranë-Perugia. Javët e fundit, hetuesit kanë kërkuar më shumë informacione në lidhje me jetën e Pecorelli, duke dëgjuar familjen dhe miqtë për të rindërtuar interesat e tij në Shqipëri dhe dëshirën për t’u zgjeruar me sipërmarrje në zonën e Vlorës.