Ndërsa një kod penal, tërësisht i ri, po qarkullon prej disa muajsh, qeveria synon t’i japë zgjidhje disa problemeve të cilat i cilëson emergjente, duke nisur nga mbrojtja e territorit te fenomeni i zjarreve. Pavarësisht ndërhyrjeve me disa akteve normative që kanë për qëllim të frenojnë abuzimet e panumërta të vërejtura ndër vite, dhe dështimi për të vënë në kontroll këtë fenomen, disa ndryshime në Kodin penal ashpërsojnë dënimet.
Neni 200 i Kodit aktual “Pushtimi i tokës” ka vetëm një fjali, dhe konsiderohet kundra vajtje penale që dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 vjet.
Me propozimet e reja, ky nen ndryshon përkufizimin në “Zënia e tokës” dhe përfshin 4 paragrafë. Dënimet vijnë në rritje, dhe në varësi të cilësimit të kundërvajtjes penale, kalon nga një minimum prej 6 muajsh deri në 6 vjet burg.
Në këtë rast, ndëshkimi maksimal prek zyrtarët e agjencive dhe institucioneve që merren me mbrojtjen dhe kontrollin e territorit, kur janë ata vetë, autorë të shkeljeve. Atyre u hiqet dhe e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5 vjeçare.
Për ndërtimet pa leje, janë shtuar dy paragrafë të rinj. Kur verifikohet në zonat e mbrojtura, apo të trashëgimisë kulturore ose cenohet infrastruktura kritike dënimi nis me 5 dhe shkon deri në 10 vjet. Ndërsa kur përfshihen zyrtarë publike dënimi shkon nga 3 deri në 7 vjet, e sërish me heqjen e të drejtës për të punuar në administratë.
Këtë verë Shqipëria u përball me një situatë problematike të zjarreve të cilat vunë në rrezik edhe jetën e qytetarëve, duke lënë pasoja shumë të rënda financiare.
Ndryshimet në Kodin Penal, parashikojnë disa ndërhyrje me përkufizime të reja që i shtohen veprave penale ekzistuese.
Nëse zjarri ndodh gjatë periudhave që favorizojnë flakët, pra gjatë stinës së verës apo në terrene ku përhapja është më e shpejtë, dënimi kur preket prona shkon nga 3 deri 8 vjet, ndërsa kur përfshihen pyjet nga 5 deri 8 vjet. Në këtë rast, nëse zjarri është nga pakujdesia dënimi shkon nga 3 në 6 vjet
Kur nga zjarri përfshihen zonat e mbrojtura apo objekte të trashëgimisë kulturore, në rastin e shkatërrimit si të pronës dhe të pyjeve, dënimi nis nga 4 vjet dhe shkon deri në 10 vjet burg. Nëse zjarri në pyje ka ardhur si pasojë e pakujdesisë dënimi i parashikuar është 4 deri në 7 vjet.
Për herë, të parë, ashtu siç dhe ishte paralajmëruar nga kryeministri Rama, kur zjarri vihet me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, përveç një dënimi nga 7 deri në 15 vjet, gjykata vendos që klasifikimi i terrenit të prekur të mos ndryshojë për një periudhë 30 vjeçare.



