Moska ka kthyer sytë nga presidenti Ilir Meta, për të realizuar planin e destabilizimit të vendit. Deri më tani kanë dalë në dritë fakte që tregojnë se pas skenarëve të PD e LSI fshihen rusët, të cilët, po tentojnë të ngjallin kaos në vend me qëllim bllokimin e integrimit europian të vendit.
Por ditët e fundit situata ka ndryshuar, pasi falë presionit ndërkombëtar, kreu demokrat Lulzim Basha është tërhequr nga dhuna dhe kaosi. Protestat e fundit kanë qenë të qeta, vetëm me disa incidente sporadike. Por ai që i ka hedhur benzinë zjarrit ishte presidenti Ilir Meta. Të mërkurën ai deklaroi se është gati dhe të japë dorëheqjen dhe të vetësakrifikohet.
Por ndryshe nga sa deklaroi se këtë do e bëjë për të zgjidhur krizën, të gjithë e kuptuan se ky ishte një mesazh i Metës për qeverinë se ai është gati të japë dorëheqjen për të dalë në rrugë krah Berishës dhe për të thelluar akoma dhe më tej përplasjet. Kjo deklaratë e Metës ka tërhequr sigurisht vëmendjen e shumë mediave ndërkombëtarëve, por një jehonë të madhe ka bërë në ato ruse.
Agjencia qeveritare e lajmeve ruse “Sputnik” dhe media të tjera ruso-serbe si “rts.rs”, “nspm.rs”, etj, i kanë kushtuar shumë rëndësi deklaratës së kreut të shtetit.
Pasqyrimi i “Sputnik”
Gazeta ka monitoruar prej muajsh mënyrën e pasqyrimit të mediave ruse, e sidomos “Sputnik”. Ajo që bie në sy është se “Sputnik” raporton pothuajse të gjitha deklaratat e presidentit Meta. Po ashtu kjo medie dhe portale të tjera pasqyrojnë gjithmonë protestat e opozitës. E njëjta gjë ka ndodhur edhe ditët e fundit, ku “Sputnik” i ka kushtuar shumë rëndësi deklaratës së Metës.
Titulli i artikullit është: Presidentit i Shqipërisë gati të japë dorëheqjen. Më pas fokusi i artikullit është pikërisht në këtë çështje, ku thuhet se Meta duke komentuar situatën politike deklaroi se është gati të japë dhe dorëheqjen. Po ashtu theksi vihet te kërcënimi dhe me vetëflijim si Allende dhe akuzat ndaj qeverisë se po instalon juntë ushtarake e policore.
“Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira që të mos sakrifikojnë shtetin për karrige dhe interesa të caktuara. Në këtë drejtim, edhe pse vetë nuk është përgjegjës, Meta tha se ai i ka bërë të gjitha përpjekjet në dy vitet e fundit, në mënyrë që të parandalohej një situatë të tillë”, thuhet në artikull. Po ashtu një tjetër theks është vënë te sulmet e Metës ndaj qeverisë, duke e akuzuar se nuk zgjidhet situata me polici dhe blerje deputetësh. Artikulli mbyllet me kritikat e Metës ndaj deputetëve të rinj. Pra, ashtu si përherë, “Sputnik” theksin e ka vënë te sulmet ndaj qeverisë.
Loja e Moskës
Fakti që rusët i japin rëndësi shumë të madhe presidentit Meta duket se fshihet diçka. “Ku ka zë nuk është pa gjë”, thoshte popullit. Sinjalet janë se Moska tani ka kthyer sytë nga Meta për të destabilizuar vendin. Shpresat e tyre ishin te Basha, por lideri i PD duket se dështoi dhe tani vëmendja është te presidenti. Deri më tani kanë dalë në dritë fakte të qarta se si Meta është rreshtuar krah rusëve dhe deklarata e bërë prej tij nga Pogradeci nuk ishte spontane. Ajo ishte mirëmenduar dhe përçonte mesazh të qartë për ndërkombëtarët dhe për qeverinë.
Meta tregoi se është gati ta përkeqësojë situatën politike në vend. Kjo gjë nuk i shërben aspak vendit, por i shërben padyshim Moskës. Nëse analizojmë të gjitha zhvillimet e ditëve të fundit, sinjalet janë se Moska e sheh destabilizimin te Meta.
Të hënën presidenti u pyet për ndikimin rus dhe ai e mbrojti Rusinë. Ndonëse të gjithë liderët ndërkombëtarë kanë dhënë alarmin, Meta tha se nuk ka ndikim rus, ndërsa shtoi se nuk duhet parë Moska dhe me aq shqetësim. Pra ai u rreshtua krah tyre. Fakti që më pas kërcënon me dorëheqje dhe mediat e Putinit i bëjnë jehonë, tregon qarët se Moska i ka sytë te dyshja Meta-Berisha tani e tutje, duke shpresuar se ata do e çojnë në zgrip vendin. /Kliti Topalli