Ilir Meta ka dalë sot në një prononcim për mediet, ku iu përgjigj gazetarëve në lidhje me nisjen e procedurave nga ana e PS për shkarkimin e tij.
Ai tha se presidenti është i Republikës dhe Republika e shqiptarëve.
“Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti, natyrisht jo nga ky; por nga një Parlament tërësisht legjitim.
Presidenti i takon Republikës dhe Republika i takon qytetarëve”, tha Meta.
Në deklaratën e tij, Ilir Meta la të kuptojë se nuk e njeh këtë Parlament.
Dhe, nuk është çudi, që në marrëzinë e ditëve të fundit, të nxjerrë edhe ndonjë dekret për shpërndarjen e këtij Parlamenti, meqë nuk e njeh.
Ai ndërkohë tha se do të thërrasë shumë shpejt Lulzim Bashën dhe Edi Ramën, për të caktuar një datë të re zgjedhjesh.
Deklarata e tij duket ironike, duke qenë se Lulzim Basha thotë se nuk hyn në zgjedhje me Ramën, ndërkohë që ky i fundit po vazhdon fushatën zgjedhore, pasi njeh vetëm 30 qershorin, si datën për mbajtjen e zgjedhjeve.
Ilir Meta tha se ç’dekretoi 30 qershorin për mbajtjen e zgjedhjeve, për të qetësuar situatën dhe zgjidhjen e krizës politike, por ai thjesht e ka thelluar këtë krizë.
Dhe tani bën sikur po bën përpjekje për zgjidhjen e saj duke thirruar tryeza diskutimesh për caktimin e një date të re zgjedhjesh, ndërkohë që data është dhe për më tepër, palët janë në të njëjtat pozicione, si ma parë.