Qeshni, mos qani!-satirë politike/
Dje CNA.al i drejtoi një letër presidentit të SHBA-ve, SHTZ Donald Trump dhe kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel. Një letër me shumë dashuri dhe me shumë sinqeritet nga ana jonë, pas daljes televizive të Lulzim Bashës, i cili kërkonte revolucion, por qahej se nuk e linte Trump me Merkel. Pa folur pastaj për të gjitha budalliqet e tjera dhe sa qesharak u bë Lulzim Basha në emisionin “Të paekspozuarit” e Ylli Rakipit.
Por, pas letrës tonë ka ndodhur ajo që nuk pritej. Vërtetë Donald Trump ka telefonuar Lulzim Bashën. Stafi i tij dhe mesa duket njerëzit diku e kanë parë sikletin e Lulit dhe miku i madh i shqiptarëve ka bërë atë që duhej. Ka telefonuar Lulin. Në mësuam se Luli i ngazëllyer nga telefonata e Trump po i merrej goja dhe ju drejtua me fjalët, “Zoti President, nuk e di ç’ju thonë për mua, por unë ju dua shumë. Ju dua më shumë se Edi. Ai ka ardhur dhe ju ka sharë. Ai ka thënë për ju se jeni fatkeqësia e botës. Unë nuk e kam bërë këtë. Edhe unë kam shkuar tek Hillary Clinton tek konventa e demokratëve, por unë nuk isha kundër teje. Edhe unë jam me Sorosin, por unë s’jam kundër teje. Ai është kundër teje. Ai të ka sharë e unë s’të kam sharë. Unë jam djalë i mbarë”.-u mësua nga burime konfidenciale t’i ketë thënë Lulzim Basha presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Më tej, disa burime pranë Fatbardh Kadillit dhe Grida Dumës, që nuk shkojnë aq mirë sa duhet me njëri-tjetrin, na sollen ne disa informacione, duke na thënë se presidenti Trump i kishte folur shumë mirë Lulit, duke i thënë: “Lulzim, unë ty të dua shumë. Unë ty të dua më shumë se Edin, megjithëse vetëm ai më kupton mua, ashtu siç ndodhi te konferenca e NATO-s, ku vetëm ai mori vesh se çfarë unë thashë. Prandaj, ti mos ki frikë. Shko dhe bëj revolucionin tënd, pastaj shohim e bëjmë”.
Por, një tjetër burim nga PD-ja, edhe ky shumë i konfirmueshëm dhe i besueshëm, shumë afër Lulzimit, vetë Enno Bozdo ka thënë se Trump i ishte shprehur Lulzim Bashës se “Ti more djalë, jo që revolucion nuk bën dot, por ti nuk nxjerr dot as 50 vetë në rrugë, se ke hallin e kunatit, ke hallin e vjehrrit, ke hallin e parave. Ah more Luli, more Luli, ti je djalë i mirë, por nuk je për këtë punë”-mësohet ti ketë thënë Enno një shokut të tij për bisedën e Trump me Bashën.
E gjitha kjo përmblidhet me dy fjali. Mesa duket presidenti i SHBA-ve, i ka hapur rrugën Lulit për të bërë revolucion, për të bërë protesta, por Luli e di që nuk e bën dot dhe pritet që të ketë dhe një komunikim me kancelaren Merkel për të vendosur se çdo bëjë më tej me fatin e tij dhe të opozitës./CNA.al