Një ndër komplekset më të bukura të qytetit të Shkodrës, që përfshin një bar-restorant-hotel, ka kaluar në pronësi të shtetit shqiptar. Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, objekti tre katësh me një sipërfaqe ndërtimi në total 900 m2 është konfiskuar me vendim të gjykatës.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.9, datë 22.06.2023, ndër të tjera, ka vendosur konfiskimin e pasurive të paluajtshme, si më poshtë:
SPAK bën me dije se shtetasi Gëzim Cafi është deklaruar fajtor, me vendimin nr. 44, datë 26.09.2005, të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Siç shihet dhe nga pamjet në internet, objekti trekatësh me emrin “Prince of Lake”, është ndërtuar në majën e një shkëmbi buzë liqenit të Shkodrës. Me një pamje të mrekullueshme nga gjithë zona përreth, “Princi i Liqenit” të Shkodrës tashmë është i shtetit.
Pak vite më parë, shtetasi Gëzim Cafi ka qenë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit që nisi në gjithë Shqipërinë, ku eksponentëve të botës së krimit ju kërkua të justifikonin pasurinë. Vëllezërit Gëzim dhe Bledar Cafi njihen si persona me pushtet dhe ndikim në Shkodër, të dënuar nga drejtësia shqiptare dhe ajo e huaj.