Zbardhet vendimet e para të qeverisë Rama 3. Ndër ligjet e para të miratuata është edhe ai trajtimi financiar i fëmijëve që kanë humbur prindërit në krye të detyrës. Këtu përfshihen edhe ato fëmijë të cilët familjarët e tyre, mjekë apo infermierë kanë humbur jetën nga Covid.
“Personat sipas kategorive të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji, kanë të drejtën për të përfituar statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” pavarësisht nëse prindi apo kujdestari ligjor ka humbur jetën përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji. Gëzon të drejtën për të përfituar statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” personi që nuk ka mbushur moshën 18 vjeç, prindi apo kujdestari ligjor i të cilit i përket kategorisë mjek apo infermier, që ka humbur jetën, qoftë edhe përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, si rezultat i infeksionit SARS-COVID 19, të marrë gjatë apo për shkak të kryerjes së detyrës në institucionet e specializuara/spitalet Covid-19”, thuhet në ligj.
Kriteret
Neni 5
Kriteret për marrjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”
Gëzojnë të drejtën për marrjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” kategoritë e mëposhtme të personave që nuk kanë mbushur ende moshën 18 vjeç:
a) Fëmijët apo personat nën kujdestari të një personi të shpallur apo të njohur me statusin “Dëshmor i Atdheut”;
b) Fëmijët apo personat nën kujdestari të shtetasve shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve të marra, në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi apo patriotizmi;
c) Fëmijët apo personat nën kujdestari të shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve apo të sëmundjeve të marra, si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte apo situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
PROJEKTLIGJI I PLOTË PËR STATUSIN “FËMIJË NË PËRKUJDESJE TË REPUBLIKËS”
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij ligji është përcaktimi i kritereve dhe procedurës për përfitimin e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” si dhe i të drejtave e përfitimeve që rrjedhin nga ky status.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është marrja në mbrojtje dhe në përkujdesjen e shtetit të fëmijës, njëri ose të dy prindërit e të cilit apo, në mungesë të tyre, personi i ngarkuar ligjërisht me kujdestarinë e tij, kanë humbur jetën në kushtet e përcaktuara nga ligji “Për statusin “Dëshmor i Atdheut”, në përpjekje për mbrojtjen e pronës publike apo mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi ose patriotizmi, për shkak të plagëve të marra apo të sëmundjeve të shkaktuara si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të detyrës dhe ushtrimit të profesionit në kushte të jashtëzakonshme apo të fatkeqësisë natyrore. Ky ligj garanton mirëqenien dhe zhvillimin e jetës së fëmijës, nëpërmjet ndihmës dhe përkujdesjes efektive të shtetit, bazuar në interesin më të lartë të fëmijës.
Neni 3
Subjektet
Subjekte të këtij ligji janë personat, të cilëve u jepet statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, familjarët e tyre, organet e pushtetit qendror e të njësive të vetëqeverisjes vendore që ngarkohen për ndjekjen dhe zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj.
Neni 4
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Dëshmor i Atdheut” ka të njëjtin kuptim sipas përcaktimit të dhënë në ligjin nr.109/2018, “Për statusin “Dëshmor i atdheut””.
2. “Personi i ngarkuar me përkujdesjen ndaj fëmijës”, kujdestari ligjor, i cili, sipas ligjit apo një vendimi gjykate, i ofron fëmijës një mjedis familjar, kushte për mirërritje, përkujdesje fizike, mbështetje emocionale dhe kushtet për arsimim e formim.
3. “Akt vetëmohimi”, veprimi apo mosveprimi i kryer me vullnet të plotë nga ana e një individi, pa kursyer edhe jetën e tij, në mbrojtje të interesave të shtetit, të mirës publike ose të jetës së personit.
4. “Subjekte kërkuese”, përfaqësues ligjorë të fëmijës së mitur, për të cilin kërkohet që të jepet statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, drejtues të organeve shtetërore, organizatave jofitimprurëse, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
KREU II
KRITERET PËR MARRJEN E STATUSIT “FËMIJË NË PËRKUJDESJE TË REPUBLIKËS”
Neni 5
Kriteret për marrjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”
Gëzojnë të drejtën për marrjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” kategoritë e mëposhtme të personave që nuk kanë mbushur ende moshën 18 vjeç:
a) Fëmijët apo personat nën kujdestari të një personi të shpallur apo të njohur me statusin “Dëshmor i Atdheut”;
b) Fëmijët apo personat nën kujdestari të shtetasve shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve të marra, në përpjekje për të ndihmuar popullsinë, për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin e mbrojtjen e jetës së individit, si rezultat i një akti vetëmohimi apo patriotizmi;
c) Fëmijët apo personat nën kujdestari të shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën, qoftë edhe për shkak të plagëve apo të sëmundjeve të marra, si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit apo detyrës publike në kushte apo situata që lidhen me ngjarje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësive natyrore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
Neni 6
Humbja apo përjashtimi nga statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”
Statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” nuk e përfiton ose, në rast se e ka përfituar, e humbet, personi:
a) i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për:
i. krime kundër njerëzimit;
ii. krime kundër rendit kushtetues;
iii. veprimtari me qëllime terroriste;
iv. vepra penale kundër pronës dhe interesave të shtetit.
b) për të cilin vërtetohet gjyqësisht se vendimi për njohjen e statusit është bazuar në dokumente të falsifikuara.
Neni 7
Dokumentet për marrjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”
Për marrjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” vlejnë si burime parësore vendimet e organeve publike të marra në kohën e ngjarjeve, aktet dhe ekspertizat mjekësore për vërtetimin e lidhjes shkak-pasojë të humbjes së jetës, çdo lloj dokumeti autentik, dëshmues për statusin civil dhe lidhjen familjare të personit si një prej rasteve të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji.
Neni 8
Kërkesa për marrjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”
1. Statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” jepet me vendim të Komisionit Qendror për dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, me kërkesë të paraqitur nga subjektet e interesuara, si më poshtë vijon:
a) Familjarë të fëmijës (prindër, vëllezër ose motra), kujdestari ose përfaqësuesi ligjor i fëmijës;
b) Përfaqësues të autorizuar të organeve të qeverisjes qendrore ose vendore;
c) Çdo organizatë joqeveritare me qëllim jofitimprurës që ka për synim mbrojtjen dhe mirëqënien e fëmijëve.
2. Formati i kërkesës, llojet e dokumenteve që paraqiten për marrjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” si dhe kushtet teknike të plotësimit të tyre përcaktohen me udhëzim të kryetarit të Komisionit Qendror të statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
KREU III
TË DREJTAT QË RRJEDHIN NGA STATUSI “FËMIJË NË PËRKUJDESJE TË REPUBLIKËS”
Neni 9
Përfitimi i statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”
Statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” përfitohet deri në moshën 18 vjeç dhe i siguron personit një trajtim të veçantë material e moral, sipas parashikimeve të këtij ligji, deri në moshën 25 vjeç, nëse ndjek arsimin e lartë. Pas kësaj moshe statusi ruhet gjatë gjithë jetës, por nuk jep të drejtë për trajtim të veçantë material, përveç shoqërimit, nderimit dhe përkujdesjes morale nga organet publike përkatëse, sipas parashikimit të pikës 2, të nenit 10, të këtij ligji.
Neni 10
Të drejtat që rrjedhin nga statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”
1. Personi, të cilit i jepet statusi “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, gëzon këto të drejta:
a) Përfiton trajtim financiar mujor që llogaritet në bazë të pagës mujore me të lartë të prindit apo kujdestarit ligjor që ka humbur jetën, pavarësisht nga periudha e sigurimit të të ndjerit, përkatësisht në masën:
– 100 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka vetëm një fëmijë që gëzon statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”,
– 70 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka dy fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”,
– 50 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka tre fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”,
– 40 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka katër fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”,
– 30 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka më shumë se katër fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Në këtë rast trajtimi financiar mujor për të gjithë fëmijët përfitues të mos tejkalojë shumën 150 % të pagës më të lartë të prindit apo kujdestarit ligjor që ka humbur jetën.
Në rastin e përfitimit të trajtimit financiar sipas parashikimeve të ligjeve të tjera, ka të drejtë të zgjedhë trajtimin financiar më të favorshëm. Pagesa e trajtimit financiar sipas kësaj pike do të kryhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
b) Përfiton shërbim falas shëndetësor e spitalor në institucionet shëndetësore publike apo kur është e nevojshme edhe private sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) Në sistemin arsimor parauniversitar përfiton trajtim financiar sipas kuadrit ligjor për përfitimin e bursave e të pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore parauniversitare publike dhe tekste shkollore falas ;
ç) Përfiton bursë të plotë nga fondi i mbështetjes studentore dhe përjashtohet nga tarifa vjetore e shkollimit sipas kuadrit ligjor në fuqi, kur fiton të drejtën e ndjekjes së një programi studimi në arsimin e lartë në institucionet publike të arsimit të lartë;
d) Përfiton orientim profesional falas sipas kërkesës në fund të çdo cikli arsimor;
dh) Përfiton mbështetje për një trajtim preferencial për punësim në administratën publike dhe/ose biznesin privat, në përfundim të studimeve të arsimit të lartë, sipas kushteve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Personi, që merr statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, ka gjithashtu të drejtë:
a) të përkujtojë sakrificën dhe vetëmohimin e prindërve të tij, në kuadër të një ceremonie nën përgjegjësinë e organeve publike qendrore e lokale;
b) të organizohet në shoqata, qendra dhe fondacione jofitimprurëse me synim vlerësimin e sakrificës dhe vetëmohimit të prindërve dhe dhënien e shembullit te brezat;
c) të bëhet pjesë, sipas përcaktimeve të Ceremonialit të Republikës së Shqipërisë, përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, të ceremonive dhe organizimeve madhore me rastin e festave kombëtare dhe atyre zyrtare.
3. Përfitimet sipas këtij neni mbulohen nga buxheti i shtetit.
KREU IV
ORGANET E PARAQITJES SË KËRKESËS, SHQYRTIMIT DHE MARRJES SË VENDIMIT
Neni 11
Komisioni Qendror i statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”
1. Pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale krijohet Komisioni Qendror i statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, si autoriteti që ka kompetencë dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, pas shqyrtimit të kërkesave dhe propozimeve të paraqitura nga subjektet e përcaktuara në nenin 8, të këtij ligji.
2. Komisioni Qendror për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” është organ kolegjial ad hoc, i përbërë nga 7 anëtarë. Komisioni kryesohet nga ministri përgjegjës për çështjet sociale dhe në përbërje ka 4 anëtarë në nivel zëvendësministrash dhe 2 anëtarë nga organizatat e mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve apo të mbrojtjes së njeriut. Komisioni Qendror, për ushtrimin e përgjegjësive të caktuara në ligj, përfiton një shpërblim financiar, sipas legjislacionit në fuqi dhe mbështetet nga një staf teknik. Përgjegjësi i stafit teknik kryen dhe detyrën e sekretarit teknik të Komisionit Qendror. Përbërja, rregullat e detajuara për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Qendror dhe sekretariatit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet sociale.
3. Komisioni Qendror shqyrton dhe vendos për çdo kërkesë apo propozim brenda 30 ditëve nga depozitimi i tyre në mënyrë shkresore apo elektronike në sekretarinë e Komisionit, sipas përcaktimeve në udhëzimin e miratuar me vendim të Komisionit.
4. Komisioni Qendror raporton të paktën 1 herë në vit pranë Këshillit të Ministrave mbi punën e kryer në kuadër të kompetencave të tij.
KREU V
E DREJTA E ANKIMIMIT
Neni 12
Ankimimi
Kundër vendimit të Komisionit Qendror të statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” si dhe në rastet kur ky komision nuk shprehet brenda afatit të përcaktuar në nenin 11, të këtij ligji, subjektet e interesuara mund të paraqesin ankim pranë ministrit përgjegjës për çështjet sociale, i cili shprehet brenda 15 ditëve nga depozitimi i ankimit. Kundër urdhrit të ministrit ose kur ministri nuk shprehet brenda afatit të parashikuar në këtë pikë paraqitet ankim pranë gjykatës kompetente, në përputhje me rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 13
Dispozitë kalimtare
1. Personat sipas kategorive të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji, kanë të drejtën për të përfituar statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” pavarësisht nëse prindi apo kujdestari ligjor ka humbur jetën përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Gëzon të drejtën për të përfituar statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” personi që nuk ka mbushur moshën 18 vjeç, prindi apo kujdestari ligjor i të cilit i përket kategorisë mjek apo infermier, që ka humbur jetën, qoftë edhe përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, si rezultat i infeksionit SARS-COVID 19, të marrë gjatë apo për shkak të kryerjes së detyrës në institucionet e specializuara/spitalet Covid-19.
Neni 14
Akte nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 10 dhe 11, të këtij ligji.
2. Ngarkohet kryetari i Komisionit Qendror të statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, që, brenda 30 ditëve, të nxjerrë udhëzim në zbatim të pikës 2, të nenit 8, të këtij ligji.
3. Ngarkohet Komisioni Qendror i statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” që, brenda 30 ditëve nga krijimi i Komisionit, të nxjerrë vendim në zbatim të pikës 3, të nenit 11, të këtij ligji.
Neni 15
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA