Sezoni i ri parlamentar pritet të sjellë ndryshime të mëdha në sistemin e drejtësisë dhe duket se nuk do të mungojnë as përplasjet e forta për vendimet që do të merren.
Tashmë dihet që, nga sezoni i shkuar janë lënë shumë çështje të rëndësishme pezull, të cilat nëse arrihen këtë vit do japin shumë ndikim në objektivat e reformës në drejtësi. Së pari, kujtojmë se në këtë sezon duhet të zgjidhen patjetër 5 anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe 5 anëtarë të rinj për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Risitë në këto institucione mund të shkaktojnë pakënaqësi dhe mosdarkodësi në institucionet përkatëse. Sakaq, po kaq i rëndësishëm do të jetë edhe përzgjidhja e subjekteve që do të emërohen në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që këto dy institucione të fillojnë të funksionojnë normalisht. Ndërkohë, akoma nuk dihet se çdo të bëhet me procesin e vetingut.
Sipas ligjit të Kushtetutës së Shqipërisë, në verën që vjen Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik iu përfundon mandati për të drejtuar këtë proces. Sipas informacioneve, akoma nuk dihet nëse do të zgjatet mandati për dy institucionet e lartpërmendura, apo procesi do të kalojë nën kompetencat e KLP dhe KLGJ. Vendim shumë i rëndësishëm që duhet të arrihet patjetër në këtë sezon është edhe plotësimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit me 60 anëtarë.
Deri më tani janë emëruar 27 hetues të rinj, ndërsa në këta muaj janë në trajtim edhe disa hetues të rinj, për të përzgjedhur edhe 33 anëtarët e rinj që i duhen BKH për të filluar të funksionojnë. Kompletimi i BKH është edhe një nga kërkesat e SHBA, të cilët po asistojnë në plotësimin e saj, sepse së bashku me SPAK do të fillojnë luftën e vërtetë antikorrupsion.
Priten ndryshime ligjore të shumta
Ndër të tjera, burimet tregojnë se ky sezon do sjellë zhvillime të forta sepse priten edhe një sërë ndryshimesh ligjore në reformën në drejtësi. Nga këto ndryshime priten ndryshime apo përforcime kompetencash të disa drejtuesve apo disa institucioneve përkatëse. Një ndër to përmendim mosdakordësi të mëdha mes KLP dhe Prokurorisë së Përgjithshme për ndarje e kompetencave të emërimeve.
Sipas informacioneve nga prokuroria, kryeprokurori Olsian Çela ka dërguar në Komisionin e Ligjeve një draft ligjor ku kërkon forcimin e kompetencave të institucionit që drejton. Konkretisht, përmes këtij drafti Prokurori i Përgjithshëm kërkon ndarjen e disa kompetencave nga KPL dhe kthimin e tyre tek programi i prokurorisë. Ndër të tjera evidentohet se, Çela kërkon me më shumë ngulm që kompetencat e emërimeve dhe transferimeve të krerëve të prokurorive t’i kalojnë zyrës së tij, duke qenë se deri në vitin 2017 i përkisnin prokurorisë.
Kryeprokurori kërkon që në vijim të mund të ketë nën kompetencat e tij emërimin dhe transferimin e drejtuesve të prokurorive në rrethe, ndërsa emërimet dhe transferimet e prokurorëve të thjeshtë t’i lihen Këshillit të Lartë të Prokurorisë.