Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë padyshim personat më të humbur nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Qysh kur Ilir Meta dha dorëheqjen nga Lëvizja Socialiste për Integrim, drejtimin e kësaj partie për pak muaj e mori Petrit Vasili dhe më pas timonin e saj e ka marrë Monika Kryemadhi. Por kjo e fundit duket se e ka çuar në humnerë LSI-në. Nga numërimi i kutive të votimit deri në mesnatë, Lëvizja Socialiste për Integrim rezulton partia më e dëmtuar, pasi nga 19 mandate deputetësh që kishte marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017, në zgjedhjet e mbajtura këtë të diel, pritet të marrë 4 deri në 6 mandate.
Ky rezultat i dobët i korrur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, përveçse Kryemadhit, pritet të bëjë me dhimbje koke edhe presidentin Meta. Ky i fundit mund të gjendet përballë shumë situatash të pakëndshme dhe të sikletshme, duke i hapur shumë probleme marrja e mandatit të tretë nga kryeministri Edi Rama.
Nga dorëheqja te rreziku i shkarkimit
Gazeta i ka bërë një analizë të gjithë situatës dhe atyre që pritet të ndodhin brenda çiftit presidencial, pas fitores së zgjedhjeve të 25 prillit nga PS, ku rezulton se Ilir Meta do të vihet në presion për shkak të premtimit të tij të madh se do të dorëhiqet nga posti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë nëse zgjedhjet e 25 prillit i fiton Partia Socialiste pa u cenuar votat. Sipas burimeve, ditën e sotme pritet një reagim nga ana e presidentit të republikës dhe me shumë gjasë Meta pritet të japë dorëheqjen nga posti që mban. Por nëse nuk e bën, rrezikon shkarkimin.
Vetë kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se pas zgjedhjeve, do të nisë procedurat për shkarkimin e Metës me Kuvendin aktual, të cilit i mbaron mandati në shtator. Kështu që, Meta rrezikon të shkarkohet, duke qenë se në Parlamentin aktual, Partia Socialiste ka shumë gjasa të bëjë 93 votat që janë të nevojshme për të larguar Ilir Metën nga Presidenca.
Pra, për socialistët strategjia e ndjekur së fundmi nga Meta është e gabuar dhe ata kanë shumë arsye për të shkarkuar atë nga detyra, për shkak se thirrjet e tij për të rrëmbyer sfurqet dhe gjakderdhje, janë anti-kushtetuese. Ndërkohë rreziku tjetër që i kanoset Ilir Metës është ndjekja penale që mund t’i bëjë Prokuroria e Posaçme. Pak ditë më parë presidenti Meta shkëmbeu replika dhe akuza të forta me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim. Meta artikuloi me gojën e tij se ambasadorja Kim e kishte kërcuar dhe paralajmëruar se amerikanët kanë dosje për të.
Kështu që, nëse SPAK do të vihet në lëvizje dhe në tryezën e saj amerikanët do të dorëzojnë dosjet që kanë për Metën, ky i fundit rrezikon të hetohet. Ndërsa një tjetër rrezik që i kanoset Metës dhe që është më i thjeshtë për t’u bërë realitet është fakti se atij i mbaron mandati në korrik të vitit 2022.
Kjo do të thotë se në kushtet kur shumicë qeverisëse është PS, shanset që ai të rikonfirmohet president janë thuajse zero. Por me zhveshjen nga kostumi i presidentit, ky i fundit nuk ka imunitet dhe një hetim i mundshëm për të nga SPAK dhe shpallja “non grata” nga amerikanët, është plotësisht i mundshëm. Pra, të gjitha këto tregojnë se fitorja e zgjedhjeve të 25 prillit nga Partia Socialiste fundos Ilir Metën.