Besnik Muçi, anëtar i gjykatës Kushtetuese me dekret të Presidentit Ilir Meta, ndodhet sot në seancën e radhës para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit , i cili do të njihet me konkluzionet përfundimtare të palëve.
Ish-prokurori Muçi kaloi me sukses shkallën e parë të vettingut, por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik.
Gjatë seancës Komisioneri Publik deklaroi se subjekti ndodhet në kushtet e mosdeklarimit të saktë të pasurisë, pasi nuk e justifikoi plotësisht atë.
“Për pasurinë 57 m2 blerë në vitin 2006, subjekti ka deklaruar disa hua nga babai dhe xhaxhai. Nga krahasimi i deklaratës së vitit 2006 me deklaratën veting ka mospërputhje.” shprehet Komisioni Publik i cili vlerëson se nuk ka dokumentacion të mjaftueshëm për huatë e marra. “Po ashtu nuk ka dokumentacion te mjaftueshëm për aftësinë financiare të të afërmve që i kane huajtur para.” shtoi më tej ai.
LIDHJA ME BIZNESMENIN
Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda me argumentet se ka probleme me pasurinë dhe figurën morale.
Sipas raportit të DSIK, Muçi ka kontakte të papërshtatshme me një biznesmen, i cili rezulton me probleme ligjore.
Bëhet fjalë për biznesmenin Armand Lilo, pronar i kompanisë së ndërtimit ”Arlis shpk” në Tiranë , person që sipas DSIK rezulton me probleme ligjore.
Sipas raportit të DSIK, gjyqtari Besnik Muçi i detyrohet biznesmenit Lilo shumën prej 21 mijë euro , pasi te ai ka blerë një banesë.
Kontakti me ketë person konsiderohet si i papërshtatshëm.
Anëtari i Kushtetueses tha se Lilo është taksapaguesi më i madh i Bashkisë së Tiranës dhe një ndër punëdhënësit më të mëdhenj. Muçi tha se nuk e ka hetuar asnjëherë Lilon dhe se nuk kishte dijeni se ai kishte probleme me ligjin.