Ndërkombëtarët nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga reforma në drejtësi dhe të lejojnë sulmet politike ndaj saj. Ditën e djeshme përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit jua bënë shumë të qartë të gjithë pushtetarëve të korruptuar se reforma në drejtësi nuk mund të ndalet dhe se akuzat ndaj procesit të vetingut janë të pabaza.
Për SHBA, spastrimi i gjyqësorit në Shqipëri është një prioritet kyç. Një fakt të tillë e bëri të ditur dje zëvendës/ambasadori i SHBA në Tiranë, Daniel Koski. Duke folur pas përfundimit të Programit Veror për Administrimin e Gjykatës, Koski theksoi se çdo qytetari duhet t’i sigurohet e drejta për një gjyqësor të paanshëm. “Sot jemi këtu për të vlerësuar një tjetër hap përpara drejt zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri: përfundimin me sukses të Programit Veror për Administrimin e Gjykatës. Reforma e gjyqësorit në Shqipëri është një prioritet kyç i Shteteve të Bashkuara. Çdo njeri ka të drejtën e një gjyqi të paanshëm dhe çdo entitet – përfshi edhe kompanitë amerikane – ka të drejtën e një gjykimi të drejtë nga një sistem gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm, dhe të bazuar në ligj. Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë punën mbi reformën në drejtësi me njerëzit dhe komunitetet në Shqipëri”, tha Daniel Koski. Reagimi i Calaverës Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera ishte në të njëjtën linjë me ambasadën e SHBA sa i takon ecurisë së deritanishme të reformës në drejtësi.
Ajo shprehu dje sigurinë se procesi i vetingut po ecën në drejtimin e duhur. Gjatë një prononcimi për mediat nga Podgorica, Calavera vlerësoi ecurinë e deritanishme të vetingut, ndërsa shtoi se një ritëm i tillë duhet të mbahet edhe më tej. Sipas saj, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve ka qenë i hapur për të gjithë qytetarët me qëllim që këta të fundit të kuptojnë sesi ecën procesi. Ajo theksoi se është shumë e domosdoshme që të mbështet më tej vetingu. “Unë mendoj se vetingu po ecën në rrugën e duhur. Tashmë kemi kaluar në veting 200 gjyqtarë dhe prokurorë. Ka qenë një proces transparent që është transmetuar nga televizionet dhe ka qenë i hapur, që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të kuptonin si po ecte procesi. Ende kemi shumë punë për të bërë, pasi jemi ende në fazat fillestare të procesit. Por deri tani jemi në drejtimin e duhur dhe është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të vazhdojë ta mbështesë këtë proces që është thelbësor për të gjithë reformën në drejtësi”, deklaroi Calavera. Ajo nuk la pa komentuar as mungesën e Gjykatës së Lartë dhe të Kushtetueses. Sipas shefes së ONM, vendit sot i mungojnë dy gjykatat më të rëndësishme sepse drejtësia kishte probleme.
Megjithatë, ajo dha shpresë se së shpejti Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese do të jenë gati. “Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë është rezultat i situatës jo të mirë që ishte në drejtësi. Shpresojmë që në muajt e ardhshëm të ketë përfunduar vetingu për kandidatët që të plotësohen edhe këto institucione, në mënyrë që t’i kthehemi normalitetit”, shtoi Calavera. E pyetur për vendimin e shumëpritur të tetorit, për çeljen e negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, Calavera tha se ka ardhur koha që vendit tonë t’i jepet një vendim pozitiv. “Komisioni Europian do të shkojë me një qëllim të qartë para këshillit të BE, që koha ka ardhur për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të vijojë të plotësojë të gjitha kushtet dhe të krijojë besueshmëri te vendet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Genoveva Ruiz Calavera./Mimoza IBRA