Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë kapërdirë çdo lloj akuze që kanë lëshuar ndaj njëri-tjetrit. Gjatë kohës që Meta ka qenë kryeministër dhe më pas kryetar Kuvendi, Berisha ka lëshuar një mal me akuza ndaj tij.
Kur Meta ishte kryeministër, i kujtonte vrasjet te Mali me Gropa, ndërsa në vitin 2015 kur Meta ishte kryetar Kuvendi, nuk la gjë pa i përmendur. Pamfleti ka siguruar procesverbalin e seancës parlamentare të datës 5 mars 2015, në të cilën u shënua një prej përplasjeve më të ashpra të Metës dhe të Berishës. Në atë kohë, Tom Doshi akuzonte Metën se kishte dashur të eliminonte dhe opozita kërkonte dorëheqjen e tij.
Berisha i kërkoi publikisht Metës të largohej, duke e akuzuar si kokën e krimit të vend. Më pas Meta duket se i nxori të palarat e aleancës së tyre kur ishin në qeveri. Meta i përmend vrasjen e Azem Hajdarit, teksa shprehet se në videot që kishte Dritan Prifti figuronte dhe Shkëlzen Berisha prandaj ai dha dorëheqjen. Po ashtu ai i përmend Berishës tragjedinë e Gërdecit dhe skandalin që nuk njihte kunatin. Ndërsa Berisha e cilëson atë si “kokë të qelbur”.
Por sot të gjitha këto akuza janë kapërdirë. Meta e Berisha janë zyrtarisht aleatë. Ata u takuan pak ditë më parë dhe zyrtarizuan aleancën, teksa premtojnë një vjeshtë të nxehtë protestash. Në Shqipëri politika i ka këto. Askush nuk ka moral, por të gjithë bredhin pas interesit.
Debatet e plota Meta-Berisha
Sali Berisha – Të dashura qytetare dhe qytetarë shqiptarë që ndiqni këtë parlament, i cili sot më shumë se kurrë ngjan si një zonë krimi, si një teatër dramatik krimi dal vivo…. Por çfarë ndodh? Këtë herë jo nga opozita, por nga pozita vjen një akuzë, të cilën unë personalisht e kisha denoncuar disa herë në parlament. Unë e kisha denoncuar disa herë tentativën për eliminimin e Tom Doshit. Nga çfarë jemi në këtë sallë dhe çfarë janë në Shqipëri, nëse ka një njeri që ka qenë më agresiv ndaj Tom Doshit, është Sali Berisha.
Por ka një gjë: Sali Berisha është njeri i ligjit. As për Tom Doshin, as për Koço Kokëdhimën, as për Ilir Metën, as për Edi Ramën, as për Saimir Tahirin nuk kërkoj gjë tjetër, përveç ligjit. Kërkoj ligjin dhe vetëm ligjin. Nuk ka forcë në botë që të më çojë përtej kësaj. Tre muaj më parë, njerëzit që thirri Ilir Meta, për të më faturuar vrasjen e Tom Doshit, ia përplasën në fytyrë siç e meritonte. E mora vesh: nuk u shqetësova dhe nuk u mora me të, përderisa afera e vrasjes ishte mes jush dhe ju po e mbyllnit. Për mua, ajo ishte terciare. Ata patën dinjitetin të më çojnë fjalë dhe të më thonë se i thirri Ilir Meta. Se Ilir Meta u tha që është Sali Berisha ai që “do të vrasë Doshin dhe vëllanë tuaj”. Çfarë ndodhi? Doli që një deputet kryesor juaji… Të garantoj, zoti Paulin, që kërkon të të përdorë Edi Rama si Tomën. Po ia lejove vetes, do ta pësosh më keq, sepse nuk ke pse barazon veten më të tjerët…
(Ndërhyrje nga salla.)
Të njoh.
Ilir Meta – Zoti Berisha, mos kërcëno deputetët, të lutem!
Sali Berisha – Unë të them se nuk bën mirë të keqpërdoresh.
(Zëra nga salla.)
Ilir Meta – Jemi kundër kanosjes. E kërcënoi deputetin. Të lutem! Më vjen keq!
Sali Berisha – Më falni, një minutë!
(Zëra nga salla.)
Ilir Meta – Të lutem, zoti Sterkaj, e keni fjalën më pas!
Sali Berisha – Zoti Sterkaj, vazhdo e bëj çfarë të të thonë. Unë të dhashë një këshillë, ti bëj të kundërtën. U denoncua Kryetari i parlamentit se ka organizuar vrasjen e dy deputetëve. Qe pozita ajo që e denoncoi. Cili ishte akti i Kryetarit të parlamentit?
Ilir Meta – Po ti, more zotëri, e paske ditur para tre muajsh dhe nuk e ke denoncuar një tentativë për vrasje?!
Sali Berisha – E kam denoncuar këtu në parlament.
Ilir Meta – Denoncohet në prokurori ajo.
Sali Berisha – E kam denoncuar këtu në parlament.
Ilir Meta – Vazhdo! E nise si lider demokracie dhe po e mbaron si aksioner pularie.
(Zëra nga salla.)
Sali Berisha – Përderisa Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Ilir Meta, ishin akuzuar indirekt nga Tom Doshi, dhe nuk ndërmerrnit asnjë masë, prezantimi im për atë hilen tënde prej bizantini, nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe për mua.
Ilir Meta – Ky mezi po priste të ndodhte vrasja brenda maxhorancës.
(Zëra nga salla.)
Sali Berisha – Nëse unë mezi po e prisja, je i pamend. Përndryshe, si mund ta denoncoja këtu në parlament! Që të mos ndodhte vrasja, e denoncova. Unë nuk kam mekanizëm tjetër: kam këtë sallë, këtë foltore. Jam i dënuar dhe i destinuar që të denoncoj çdo akt. Akti i parë që bëri i akuzuari, i cili u akuzua direkt nga viktima që do të ishte, u akuzua nga dorasi, tha se këtë e ka Sali Berisha. Fajin e ka Saliu!
Logjikë njerëzore mbi tokë si kjo e Ilir Metës! Këtë mund ta pranonte vetëm logjika e atij që do të kapet pas çdo fijeje bari. Për t’i rënë më shkurt, sepse mund të flasësh gjithë ditën për krimin dhe lidhjet tuaja me krimin, unë mendoj se në këtë moment kritik për vendin, duhet t’i japim shans hetimit. Unë mbetem njeri i vendosur te ligji. Është në interesin absolut të të gjitha forcave pozitive në vend, që t’i japin ligjit mundësinë që të zbatohet dhe të veprojë.
Ky është kushti më minimal që kërkohet në interesin më të mirë të çdo shqiptari: kush sine qua non. Imagjinojeni, të dashur miq, çdo gjë që mund t’ju ndodhë ju, edhe juve këtej, por ajo është puna juaj, nuk do të keni hetues prokurorin, nuk do të jeni gjykatës prokurorin, por Saimir Shullazin. Do të jetë Saimir Shullazi ai që do të bëjë hetimin, gjykimin, komunikimin. Kjo është situata. Ndaj doli mbrëmë Saimir Shullazi, pasi e përpunoi bandën e tij – kishte heshtur tri ditë – dhe përbalti, nga prokurori i Përgjithshëm e poshtë, gjithë botën, për të shpëtuar Ilir Metën. Të dashur qytetarë, situata është kritike. Çfarë kërkojmë ne?
Ne kërkojmë që Ilir Meta, si i akuzuari kryesor, për një akuzë që nuk është dëgjuar për 25 vjet me radhë – më e rënda – të heqë dorë nga Kryetari i parlamentit, të zbresë në deputet të thjeshtë dhe të bëhen hetimet. Unë them se kjo është rruga më paqësore. Kjo është rruga në interes të çdo shqiptari. Për ne, politikisht, sa më gjatë ta mbani, aq më shumë do të kundërmojë. Në këtë rast, nuk kemi interesa partiake, politike në këtë rast. Ne kemi vetëm interesa të të gjithë shoqërisë shqiptare. Në Europë e botë, sot nuk ka kryetar parlamenti të akuzuar në këtë mënyrë, nga një deputet i maxhorancës…
Ilir Meta – Kush është ky deputet, ju lutem?
Sali Berisha – Nga një deputet i maxhorancës…
Ilir Meta – Kush është ky deputet, ju lutem?
Sali Berisha – Nga deputeti Tom Doshi.
Ilir Meta – Është miku juaj. Është miku juaj prej muajsh. Mos u shqetëso!
Sali Berisha – Po të them vetëm një gjë: vetëm sa fakton shkallën e krimit, sepse, o i mjerë, më vjen keq të të them kështu, kur arrin…
Ilir Meta – Kush është i mjerë? Sali Berisha – Ai që mendon se mund ta shesë Doshin si të Sali Berishës. Aq ka edhe të mjerë. Sepse Tom Doshi është njeriu më i sulmuar nga Sali Berisha. Bashkë me Koço Kokëdhimën, Edi Ramën dhe Saimir Tahirin bëhen katër njerëzit që kam sulmuar më shumë në maxhorancën aktuale. Këtë e dini ju dhe çdo shqiptar. Përpjekja jote për ta shitur Tom Doshin si njeriun tim…
Ilir Meta – Çfarë propozimi ke, se nuk po të kuptojmë? (Zëra nga salla.)
Ta dëgjojmë propozimin, se nuk po e kuptoj.
Sali Berisha – Propozimi im është ky: jep dorëheqjen nga parlamenti dhe hapi rrugë hetimit. Mos shfrytëzo kuotat e krimit, për të qëndruar në post! Je kokë e qelbur!
Ilir Meta – Më dëgjo pak. Ruaje zërin…
Sali Berisha – Mos shfrytëzo kuotat e krimit! Jep dorëheqjen!
Ilir Meta – Mos ulërit, doktor, të lutem!
Sali Berisha – Jep dorëheqjen!
Ilir Meta – Jepjani ilaçet. Ju lutem, jepjani ilaçet! Sepse kemi përgjegjësi për shëndetin e doktorit. Ju lutem, zoti Beqja, merrni masa!
Sali Berisha – Mos shfrytëzo kuotat e krimit, po të them, në krye të parlamentit!
Ilir Meta – Të ta jap përgjigjen?
Sali Berisha – Jep dorëheqjen!
Ilir Meta – Të ta jap përgjigjen?
Sali Berisha – Të garantoj se do ta japësh.
Ilir Meta – Të ta jap përgjigjen?
Sali Berisha – Jep dorëheqjen!
Ilir Meta – Mbylleni mikrofonin, sepse tani do t’ia jap unë një përgjigje doktorit. (Zëra nga salla.) Pastaj ta hap prapë: s’ka problem. (Zëra nga salla.) Më kërkoj të jap dorëheqjen, do t’i jap përgjigje apo jo?
(Zëra nga salla.)
Përgjigja ime, doktor, është kjo: për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën e kam dhënë dorëheqjen një herë. Nuk e jap dy herë dorëheqjen për Shkëlzen Berishën!
(Zëra nga salla.)
Sali Berisha – Kjo alibi që kërkon, është e turpshme. Të gjithë deputetët e tu po qeshin. Shikoji si qeshin deputetët e maxhorancës për marrëzinë që thua! Nëse ti do të shesësh Tom Doshin, nuk e shet kurrë, mor zotëri! Tom Doshi nuk ka asnjë lidhje, dhe nuk do të ketë lidhje, dhe nuk ka pasur lidhje… E di ti si është Tom Doshi apo jo? Njeriu që ti e merrje me helikopter dhe fluturoje Alpeve…
Ilir Meta – Përralla! Këto janë përrallat e supergjyshit, që ia tregon supermbesës.
(Zëra nga salla.)
Ju lutem, do të vazhdojë doktori!
Sali Berisha – Tom Doshin e merrje me helikopter qeveritar dhe shtroje dreka e darka…
Ilir Meta – Dërgojini pak ujë Doktorit. Të pijë pak ujë.
Sali Berisha – …gjysmë ore në telefon, se “po drekoj dhe po ta marr”. Morali ishte: po ta marr Tom Doshin. Më mirë jep dorëheqjen. Mos e ço vendin drejt atyre situatave që nuk duhet të shkojë vendi. Mos mendo ti…
Ilir Meta – Ulu, Doktor, se nuk ke moshë “për të ngrohur vezët e krimit”. Të lutem! Ti je njeri serioz.
Sali Berisha – Këto janë përpëlitjet e atij që po mbytet, por ti nuk mund të mbytësh vendin për veten tënde! Ne të themi: jep dorëheqjen! Nuk po të themi ke bërë këtë apo atë.
Ilir Meta – Zoti Berisha, nuk e jap dy herë dorëheqjen për Shkëlzenin. Për ty do të bëja çdo gjë. Për Zenin e kam dhënë një herë dorëheqjen. Për Zenin dhe Dritan Priftin. Apo jo? Se të kërcënon ty Dritani me videot e Zenit, bashkë me Tomën, kjo është çështje tjetër, nuk është çështja ime, të lutem shumë!
Sali Berisha – O primitiv, pasi u përpoqe…
Ilir Meta – Po lëre çfarë u përpoqa, se unë të kam mbajtur për njeri serioz.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Për njeri serioz e kam mbajtur.
Sali Berisha – Zotëri, unë u them shqiptarëve që ky është e zeza e vendit. Pse? Jam unë në këtë Parlament që i kam thënë Ilir Metës “Jep dorëheqjen, sepse Edi Ramës i kanë kërkuar të të arrestojë!”. Edi Rama ta ka thënë ty këtë, se ma kanë kërkuar në kancelarinë gjermane, në Bruksel dhe të tjera, të të arrestoj, sepse Edi Rama të ka dorëzuar dosjen ty, sepse e kam të verifikuar nga tre burime. Cila ishte zgjidhja? Ti e ke marrë këtë për ofendim. Jo, i kam shumë të sakta.
(Ndërhyrje pa mikrofon.)
Ilir Meta – Ju lutem, ju lutem, ta dëgjojmë përrallën deri në fund!
Sali Berisha – I kam burime shqiptare që kanë qenë bashkë me ty dhe i kam burime të tjera të pavarura, dhe kam ardhur këtu i kam thënë Ilir Metës: “Jep dorëheqjen! Shko para drejtësisë!” Unë, të isha në vendin e tij, i kisha thënë edhe qeverisë apo institucioneve të tjera: “Sillni një njeri të më hetojë, të më gjykojë dhe unë nuk mbaj me barrë krimi postin e Kryetarit të Parlamentit”. Në vend që ta kuptonte këtë si burrë shpirtvogël që është, u fut pastaj në intriga nga më makabret dhe më të pashembulltat, u fut pastaj të bindte të tjerët, se Sali Berisha do t’u vriste vëllanë apo do të vriste këtë apo atë.
Ilir Meta – Jo, Sali Berisha, por kunati i Sali Berishës. Këto i ka thënë Tomë Doshi dhe do të verifikohen gjatë hetimit.
Sali Berisha – Dëgjo këtu!
Ilir Meta – Po, patjetër!
Sali berisha – Tani unë nuk dua të flas për këtë.
Ilir Meta – Ashtu ka thënë ai, se po të ishte për ta trilluar ne, thoshim do paguante Shkëlzeni, se është më e besueshme. Por jam i bindur që kunati yt vështirë ta bëjë atë gjë, se është njeri i nderuar, më thonë. Sali Berisha – Do t’ua tregoj historinë e kunatit tim me të. Kunati im është një biznesmen.
Ilir Meta – Ore, e ka përmendur Toma kunatin tënd, nuk e kam përmendur unë.
Sali Berisha – Jo, jo me ty, me ty e ka.
Ilir Meta – Do të sqarohet ajo gjatë hetimeve.
Sali Berisha – Cila është historia e këtij me të? Atë pak kohë që ishte Kryeministër…
Ilir Meta – Po ti je mësuar të mohosh. Mohove baxhanakun, mohon kunatin, të gjithë i mohon, nuk e ke problem.
Sali Berisha – Nuk e kalon dot me këto ti. (Ndërhyrje pa mikrofon.)
Sali Berisha – Nuk kalon dot me këto ti. Ti je kokë e krimit këtu, por rri rehat! Ato pak kohë që ishte Kryeministër, çfarë bëri? I mori dhe i çoi t’i konfiskojnë shtëpinë. Shkon t’i konfiskojnë shtëpinë me një letër. Nga kush? Nga Kryeministri. Po pse?
Sepse ke njëqind e ca mijë euro borxh tek iks firmë piramidale. Ai përnjëherë i thotë: “Unë, kurrë në jetën time”, dhe merr numëratorin. Kishte vetëm emrin e tij. “Kush të ka thënë, – pyet. “Kryeministri”. “Ma jep numëratorin!” Marrin numëratorin telefonik. Kishte nja 25 Agim Rama. Në fakt, Agim Rama, që kishte marrë lekët, ishte një LSI-st, sikundër Bami është një LSI-st.
Ilir Meta – Ke parë keq shumë nga LSI-ja ti. Doktor, mos u nxeh, doktor, të lutem! Ruaj
qetësinë!
Sali Berisha – Prit, prit!
Ilir Meta – Ruaj qetësinë!
Sali Berisha – Prisni, një minutë! Kush ia dha Doshit Profarmën?
Dhe ç’bëri me kunatin që i ka ngelur inati? I doli që ai që kishte marrë lekët ishte një LSIst. U vërtetua me të gjitha që ishte LSI-st. Megjithatë e çoi në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Ilir Meta – Doktori ka gjithmonë të drejtë, ju lutem, dëgjojeni!
Sali Berisha – Prisni, një minutë! Kaq ishte historia me kunatin e tij. Donte t’i merrte shtëpinë për inat të Sali Berishës. Pra, këta janë të turpshëm, ore djalë. Ik, jep dorëheqjen, se të jesh i bindur që dorëheqja jote është kushti më minimal për të rivendosur një lloj mekanizmi hetimi. Përndryshe, absolutisht, ndarja është përfundimtare dhe ne do t’i qëndrojmë, se nuk do të pranojmë kurrë që parlamentin ta drejtojë një njeri i akuzuar për dy vrasje.
Ilir Meta – Dërgoji në prokurori këto të dhëna! Pse nuk i dërgon në prokurori? Sali Berisha – Jo, jo,…
Ilir Meta – Dërgoji në prokurori! Pse me fjalë do të merremi ne këtu? Të ka akuzuar gjysma e partisë që ke nxjerrë në pritë Azem Hajdarin dhe ne nuk ta kemi kujtuar ndonjëherë, apo jo? Nuk të ka akuzuar njeri!
Sali Berisha – Unë nuk po akuzoj njeri, por ty të ka akuzuar Tom Doshi. Ke bërë edhe një veprim shtesë, sepse ke thirrur familjarët e Fufit.
Ilir Meta – Zotëri, mos fol në emër të të tjerëve! Çdo njeri flet në emrin e vet! Të gjithë do të shkojnë në prokurori! Edhe mua, po më thirrën, do të shkoj në prokurori! Çfarë shqetësimi ke ti? Në qoftë se ke shqetësimin për të zbardhur ngjarjen, duhet të kishe shkuar me kohë në prokurori. Ti nuk e ke këtë shqetësim, apo jo?
Këtë hall ke ti! Sali Berisha – Shqetësimi im është zbardhja e ngjarjeve. Ngjarjet nuk zbardhen, me ty Kryetar parlamenti nuk ka hetim. Për 700 mijë euro dhe dorëheqjen herën e parë. Ilir Meta – Herën e parë, dorëheqjen e dhashë prej Shkëlzenit, se ai ishte në videon e Dritan Priftit, dhe ti e di shumë mirë, dhe më the:
“Shiko çfarë ka bërë ky budallai”. Ashtu më the! Vazhdo ende me mendtë e Shkëlzenit! Vazhdo, se unë nuk kam çfarë të bëj për ty! Sali Berisha – Unë po të them një gjë, mos mendo se e kalon lehtë me këto gjëra, se do të zhytesh më thellë. Edhe një herë u bëj thirrje forcave racionale… Ilir Meta – Shko, merru me këto gjëra, se këtë herë do të marrësh më shumë vota!
Sali Berisha – Të mos shkojmë aty, ku vendi nuk duhet të shkojë! Kjo është thirrja ime, përndryshe në mënyrë absolute raptura është totale. Ne kurrë nuk do të pranojmë që parlamentin ta udhëheqë një njeri i akuzuar për dy vrasje. Nuk të pranojmë kurrë edhe vendime si tuajat.
Ilir Meta – Të ikë Doktori? Në asnjë mënyrë nuk duhet të ikë. Fjalën e ka zoti Paulin Sterkaj, se ia ndërpremë fjalën. Zoti Paulin, keni fjalën! Fol nga vendi, të lutem! Nuk ka problem. (Deputetët e opozitës flasin nga foltorja e Kuvendit.) Ju lutem, lëreni deputetin të flasë! Doni të flisni prapë? Flisni, nuk ka problem! /Pamfleti