Alfred Lela ka bërë një shkrim, për të treguar se ai ka qenë në pritjen e Ambasadës amerikane, me rastin e marrjes së detyrës nga zv.ambasadorja, Leyla Moses.
Që në titull ai thotë se është njeri i amerikanëve, ndryshe nga socialistët.
Dhe pastaj tregon se cila është strategjia e Lulzim Bashës, për të mundur Ramën.
“Lulzim Basha, lideri i opozitës, e lyp nëpërmjet një kronike të përditëshme mbushur me beteja të pafundme, me qëllim rraskapitjen e kundërshtarit dhe, rrjedhimisht, fitoren në zgjedhjet parlamentare të radhës.
Kjo, me sa duket, është strategjia, pa përjashtuar as taktikën afatmesme të asaj që ai quan ‘qeveri e konsensusit kombëtar pa Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn’”, shkruan Lela, që ashtu si shefi i vet, vijon më tej, duke thënë se fajin pse në pushtet është Rama, e kanë shqiptarët.
Sipas Lelës, ata janë në gjumë.
“Për t’u kthyer te mbrëmja amerikane në ‘Georgetown’-in poshtë Nënë Shqipëri; te biseda me Rudinën; te Don Lu që mund të ikë në shtator, por mund të jetë këtu edhe një vit si Alex Arvizu; te Leyla Moses, me atë mbiemër hebraik që evokon shpresën biblike; te shqiptarët, thuajse të dëshpëruar, që shpresojnë se Washington-i mund ta thyejë këtë akullnajë, që e ka zënë poshtë perpetuumin politik; te kjo dhe ajo tjetra; e kështu me radhë…
Të gjitha janë variabla, por shqiptarët janë në gjumë ose në ikje e sipër. Edhe kur thonë ‘opozita nuk frymëzon’, e pranojnë këtë letargji apo këtë mërgatë. Sepse, opozicioni nuk është një ndërtesë, një sigël, një njeri.
Sa kohë kështu do të jemi, Edi, Taulanti dhe Ergysi, do të dalin dhe me lehtësi do të na i paraqesin shkeljet e tyre si ‘ëndrra të një nate vere’”, e mbyll Lela.(TemA)