Valdrin Pjetri si kandidat i Partisë Socialiste të Shkodrës nuk ishte një zgjedhje e rastësishme. Pjetri ka një karrierë të gjatë ku ka mbajtur poste të rëndësishme në administratën shtetërore. Ai e ka nisur karrierën që në kohën e qeverisë Berisha në vitin 2010 deri në vitin 2014 kur ka mbajtur detyrën e Administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi)
Në maj të 2018 ai mori postin e kreut të Hipotekave, deri kur ky institucion u shkri në fillim të këtij viti, për t’iu bashkuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Pak para zgjedhjeve të këtij viti u emërua prefekt i Qarkut të Shkodrës.
Më herët Valdrin Pjetri ka shërbyer në disa pozicione drejtuese në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, pozicione të cilat të pajisin edhe me një certifikatë sigurie (CSP).
*CSP, është dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ose i një autoriteti kompetent të sigurisë së një vendi tjetër i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar*
Pra që do të thotë që në momentin e pajisjes më CSP do duhet të ishte kontrolluar edhe historiku i jetës së tij jashtë vendit për t’u evidentuar shkeljet ligjore në shtetin italian.
Karriera e plotë e Valdrin Pjetrit
Nga viti 2010 deri 2014 ka mbajtur detyrën e administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara në kuadër të ligjit antimafia. Më pas mori detyrën e drejtorit në Drejtorinë e Pronave në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ai ka mbajtur edhe pozicionin e kryetarit të Komisionit të Demontimit të Municioneve po në këtë Ministri. Në 2015 u emëruar drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mbrojtjes.
Sa i takon formimit profesional, Valdrin Pjetri ka përfunduar studimet për Financë në Fakultetin Ekonomik të Tiranës.
Nga 2012 deri në 2014 ka punuar si pedagog i jashtëm në Universitetin Europian të Tiranës. Pjetri gëzon një diplomë “Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare” dhe certifikatën “Për Drejtim Strategjik” lëshuar nga Britania e Madhe. Ai është i certifikuar edhe si auditues i brendshëm dhe zotëron gjuhët e huaja anglisht dhe italisht.
Llogaria e Valdrin Pjetrit me shtetin italian
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi publikoi dje disa dokumente sipas tij kartela e nxjerrë nga kuestura e Firences, që tregon se kryebashkiaku i Shkodrës Valdrin Pjetri ka qenë dënuar në Itali me 18 muaj burg dhe një mijë euro gjobë për shpërndarje droge.
Sipas këtyre dokumenteve Pjetri e ka pranuar krimin pas arrestimit në 27 janar 2003 dhe është dëbuar. PD thotë se për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata urdhëroi pezullimin e dënimit, por në fakt sipas drejtësisë italiane kur dënimi është poshtë dy viteve dhe për herë të parë pezullohet.
Pra kjo do të thotë se Valdrin Pjetri e ka paguar llogarinë me shtetin italian dhe nuk rezulton i shpallur në kërkim. Dënimi që ai ka marrë nuk rezulton as në dëshminë e penalitetit në Itali, vendim ky i marrë nga Gjykata italiane. /Shqiptarja.com