rokuroria e Tiranës ka thelluar hetimet ndaj Partisë Demokratike dhe kreut të saj Lulzim Basha sa i takon lobimeve të dyshimta në SHBA.
Pak muaj më parë nisi një hetim ndaj partisë kryesore në opozitë, pasi media vendase dhe të huaja nxorën në dritë një skandal tepër të madh. PD ka shpenzuar rreth 1 milion dollarë për lobime në SHBA, faktuar kjo sipas dokumenteve të Departamentit Amerikan të Drejtësisë.
Mirëpo në KQZ, Partia Demokratike ka deklaruar vetëm 160 mijë dollarë shpenzime. Pas kësaj prokuroria nisi një hetim.
Prokuroria e Tiranës ka marrë të gjithë dokumentet e nevojshme nga KQZ, po ashtu dhe nga PD, ndërsa ka dhe dëshminë e financierit të saj dhe të ish-deputetit Arben Ristani.
Pra dosja është kopsitur dhe tani autoritetet janë në pritje të homologëve amerikanë. Gazeta Sot ju drejtua përmes një shkrese Prokurorisë së Tiranës, ku kërkoi informacion zyrtar mbi hetimet dhe sa i takon bashkëpunimit me SHBA. Prokuroria bëri të ditur se pak kohë më parë ka dërguar një letër-porosi në SHBA.
“Në përgjigje të kërkesës suaj ju bëjmë me dije se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë po bashkëpunon me autoritetet amerikane të drejtësisë dhe hetimi është në fazën e pritjes së një letër-porosie drejtuar autoriteteve amerikane të drejtësisë”, ka deklaruar Prokuroria e Tiranës.
Por jo zyrtarisht gazeta ka mësuar se përgjigja e amerikanëve pritet të vijë brenda muajit, pasi është e angazhuar drejtpërdrejtë dhe ambasada e SHBA. Në varësi të përgjigjes që do të vijë prej tyre, do të varet dhe ecuria e hetimeve. Sipas burimeve të gazetës, prokuroria ka kërkuar të gjitha kontratat që kanë dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë kompanitë “Biniatta Trade LP” dhe “Stonington Strategies, sa i takon bashkëpunimit me PD.
Pasi të vijnë informacionet do të bëhet krahasimi i parave të deklaruara. Në faqen e Departamentit këto dokumente janë lehtësisht të aksesueshme dhe aty tregohet qartë diferenca e financave. Por duke qenë se prokuroria vepron vetëm zyrtarisht, do të pritet përgjigjja e vetë autoriteteve amerikane. Ajo që rëndon akoma më tepër pozitat e PD është se sipas medieve amerikane, PD është mbështetur nga rusët për të paguar lobimet./CNA