Vrasja e Pjerin Xhuvanit në 21 prill në lagjen “5 maj” të Elbasanit nga paramilitarët e organizuar të Lulzim Bashës në grupe kriminale me emrin Struktura e Mbrojtjes së Votës së Partisë Demokratike ka zgjuar më në fund prokurorinë e Elbasanit sepse SPAKU ka peshqit , ngjalat dhe kanalet.
Ja konkuzioni qesharak që nxjerr Prokuroria e Elbasanit mëse 1 vit pas ngjarjes së rëndë që tronditi Shqipërinë gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 2021. Në materialet e publikuara të dosjes hetimore nga media, saktësohet se dy ish-zv/drejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla kishin mundësi të reagonin në vendngjarje duke përdorur armët e tyre në mënyrë që të shmangej vrasja ose plagosje e mundshme e personave të pranishëm rreth zonës.
Jo vetëm kaq, por prokurorët e çështjes Ridvan Sukaj dhe Platin Aliçka konstatuan se dy zyrtarët e policisë Nushi dhe Palla kanë dhënë dëshmi të rreme duke dëshmuar të tjera informacione për vrasjen e ish-mjekut 56-vjeçar, të cilat kur u ballafaquan me pamjet filmike, hodhën poshtë deklaratat e tyre.
“Nuk evituan konfrontimin fizik, por as përdorimin e armëve. Ata nuk kanë ndërhyrë dhe kjo është një shkelje e rëndë. Në një situatë të tillë, ata mund të reagonin dhe të përdornin armët e zjarrit, jo vetëm për të mbrojtur jetën, por edhe për strukturën e tyre. Një tjetër moment i shpërdorimit të detyrës ka të bëjë me faktin që ata kanë lejuar përdorimin e armëve të trupave kriminal të PD-së të organizuar edhe me mjete motorike si struktur paralele policore dhe perdorimin e armëve të zjarrit nga personat që ndodheshin aty dhe nuk kanë ndërhyrë.
Këto janë shkelje të rënda dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale. Gjithashtu, ata kanë dhënë fakte të ndryshme, pasi janë ballafaquar me pamjet filmike”, thuhet në dosjen e vrasjes së Pjerin Xhuvanit. Kjo tregon se këta dy oficer policie kanë qenë në shërbim të militarëve dhe PD-së.
SMV e PD ndaloi Mehmet Grecën, Prokuroria e Elbasanit: Policia duhej ta shoqëronte
Një tjetër fakt interesant që ngarkon me përgjegjësi dy ish-eksponentët e policisë së Elbasanit Nushin dhe Pallën së bashku me 6 efektivët e njësisë policore “Shqiponja” është se ata nuk kanë shoqëruar në komisariat, Mehmet Grecën, “patronazhist” i PS dhe me precedentë penalë për trafik droge në Britaninë e Madhe. Automjeti “Benz ML” pa targa u ndalua paraprakisht nga SMV e PD në Elbasan, me pretendimin se aty kishte para, karta identiteti, listë votuesish dhe bllok me shifrat e shpërblimeve për ata që shisnin votën.
Sipas prokurorëve të çështjes, ky fakt ka lejuar që grupi i Grecës të përfitojë nga situata duke injoruar punonjësit e policisë për t’u përplasur me njësinë SMV të PD. “Nga ana e dy zv. drejtorëve, Albert Nushi, drejtor i Hetimit për Krimet, dhe Nikollaq Palla, drejtor i Hetimit për Rendin, dhe nga ana e trupës policore të Forcave të Posaçme ‘Shqiponja’ nuk është vepruar fillimisht për të shoqëruar Mehmet Grecën dhe mjetin e tij.
Moskryerja e këtij veprimi ka lejuar miqtë e Mehmet Grecës që të marrin territor dhe të dominonin në prani të Forcave të Policisë të Shtetit”, shkruhet më tej në dosje.
Si agravoi ngjarja deri në vrasjen e Pjerin Xhuvanit?
Lidhur me ardhjen deri te vrasja e Pjerin Xhuvanit, Prokuroria e Elbasanit raporton se Arjan Hoxhaj, përgjegjësi i SMV të PD në Elbasan po komunikonte me dy ish-zv/drejtorët e Policisë së Elbasanit Albert Nushin dhe Nikollaq Pallën se kishte ndaluar një automjet të dyshuar se mbante lista votuesish, para, karta identiteti dhe një bllok me shifrat e shpërblimeve për votuesit që pranon të shisnin votën. Makina drejtohej nga Mehmet Greca. Në këtë moment, kanë mbërritur në vend 3 automjete të tjera ku ndodheshin personat: Pjerin Xhuvani, Elton Bodinaku, Gentian Sharra, Marjol Çela, Marsel Rroka dhe Luan Tabako.
Bodinaku, dhëndrri i Xhuvanit shau dhe u konfliktua me Erjon Demushin, anëtarin e Strukturës së Mbrojtjes së Votës së PD. Shkak u bë se ky i fundit po filmonte ngjarjen. Në këtë moment mbërriti anëtari tjetër i SMV të PD në Elbasan, Arbër Paplekaj. Konflikti ka agravuar në përleshje fizike mes palëve dhe Paplekaj ka nxjerrë pistoletën me leje duke goditur ndaj Xhuvanit, i cili ndërroi jetë.
Më pas, janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe pala tjetër. Nga ky shkëmbim armësh u plagos rëndë Elton Bodinaku, oficerja e policisë Xhensila Sota, Emiljan Prenga dhe Pavlo Vuksani (dy të fundit, ish-anëtar të shtabit elektoral të PD). Paplekaj u vetëdorëzua në repartin RENEA një orë pas krimit.