Ndërkombëtarët duket se po shfarosin kupolën e Ilir Metës dhe Sali Berishës në drejtësi. Deri më tani kanë ngelur në veting 68 gjyqtarë dhe prokurorë, shumica e të cilëve kanë pasur lidhje me PD-LSI ose janë emëruar prej tyre. Një pjesë tjetër kanë mbyllur dosjet e korrupsionit për shumë funksionarë të PD-LSI. Por çdo ditë që kalon, po tregohet qartë se ndërkombëtarët nuk po lejojnë asnjë emër që nuk është 100 për qind i pastër të mbijetojë.
Rasti më i bujshëm ishte ai i Xhezair Zaganjorit, i cili edhe pse i mbijetoi Shkallës së Parë, u fundos në Apel. Ashtu ndodhi me Bashkim Dedjen, Gentian Osmanin dhe shumë emra të tjerë. Por dje organet e vetingut kanë fundosur një tjetër emër të njohur. Bëhet fjalë për prokuroren e Krimeve të Rënda dhe kandidaten e SPAK, Manjola Kajana, e cila ka në dorë dosjen CEZ-DIA. Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK për konfirmimin e saj në detyrë. “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit administrativ, të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të mund të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore”, thuhet në vendim. Komisioneri ka gjetur shumë parregullsi në pasuri, duke kërkuar që KPA të vendosë nëse duhet shkarkuar apo jo.
Dosja e CEZ
Mandola Kajana është një emër jo pak i panjohur. Pak ditë më parë ishte juristi Romeo Kara, ai i cili bëri një denoncim publik ndaj saj. Zonja Kajana është prokurorja që ka në dorë padinë e Romeo Kara për aferën CEZ-DIA, ku janë kallëzuar Sali Berisha, Ilir Meta dhe 5 zyrtarë të tjerë të tyre. Por Kara ka deklaruar se kjo dosje është mbajtur në sirtar nga prokurorja në fjalë, ndërsa e ka akuzuar se ka ushtruar dhe shantazh ndaj tij. “Disa javë pasi unë dorëzova këtë kallëzim, prokurorja e çështjes, Manjola Kajana më dërgoi një shkresë ku kërkonte paraqitjen time pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të bërë deklarimet e duhura në mbështetje të kallëzimit. Kërkesa ishte bërë për t’u paraqitur brenda ditës. Që në momentin e parë të mbërritjes në zyrën e saj, kjo prokurore mu hakërrua duke përdorur pastër dhe pa doreza presionin kundër meje. “Ke parë ti korrupsion me sytë e tu?”, më tha. Ke parë ti të jepen e të merren para? Nuk ka korrupsion pa këto detaje, më tha, përndryshe do mbash përgjegjësi, më tha. Shkruaj çfarë unë po deklaroj, pa asnjë ndryshim, se për të tjerat mbaj unë përgjegjësi, i thashë. Po ashtu shtova: unë as që e kam ndërmend të intimidohem prej teje i thashë, dhe po lodhesh kot duke më bërë presion mua”, ka deklaruar Kara. Fakti që ankimohet vendimi, duket se është dhe një mesazh për Metën e Berishën. Të gjithë ata emra që kanë mbyllur dosjet e bujshme po bien njëri pas tjetrit. Të gjithë të ikurit e Gjykatës së Lartë janë emra që shpëtuan Metën e Bashën nga aferat. Ndërkohë, tani ankimohet vendimi për prokuroren që ka në dorë një nga dosjet më të bujshme të kohëve të fundit. Duke qartë se ndërkombëtarët po çojnë një mesazh për Metën, Berishën dhe gjithë pushtetarët e tjerë të akuzuar për afera. /Kliti Topalli