Pronarët e disa bizneseve në “Rrugën e Kavajës” kanë dalë sot në protestë duke denoncuar para mediave marrjen e pronave të tyre nga qeveria. Ata thanë se qeveria ka nxjerrë një VKM për shpronësimin e tyre, duke i vlerësuar me 300 mijë lekë metrin katror. Sipas tyre, qeveria thotë për interes publik, se do t’i jepen prefekturës por se kanë informacione se aty do bëhet një 20 katësh.
“Vjen një VKM e qeverisë për të shpronësuar për interes publik. Interes publik për t’i kaluar prefekturës. Interes publik s’ka për zyra por për zgjerim rruge, çerdhe e kopshte.
Shpronësimi në mënyrë qesharake. Na e kanë vlerësuar me 300 mijë lekë metrin. Por ne nuk kemi këtë problem, problem është pse na merren pronat. Është vënë syri për të ngritur një 20 katësh në këtë vend, kemi dyshime dhe informacione sepse kanë ardhur këtu dhe na kanë pyetur sa metra kërkoni për të na e liruar.
Ne i kemi kundërshtuar. Ne në Apel e kemi çuar çështjen, kemi 2 vjet dhe nuk është kthyer asnjë përgjigje. Para 5 ditësh kanë ardhur në 5 të mëngjesit me polici e na kanë bllokuar dyqanet. Bizneset na i kanë mbyllur, një pjesë i kanë hequr. Asnjë lajmërim nuk kishim. Ne presim vendim gjyqi”, deklaroi një pronar.
Një tjetër theksoi se do e mbrojë pronën me gjak. “Nuk ka shans të vijë njeri në pronën time. Le t’i vënë drynin, do e shqyej. Është një turp që ndodh në shekullin e 21. Po na merr shpirtin”, deklaroi një tjetër.