Për mbi 3 orë, pronari i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, është pyetur paraditen e sotme në SPAK.
Nuk dihet me siguri çështja për të cilën është marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm.
Allajbeu është përfolur si i përfshirë në dy nga dosjet e nxehta të shëndetësisë: atë të koncesionit të laboratorëve dhe dializës.
Kujtojmë se Allajbeu është në hetim edhe në Kosovë për pastrim parash përmes spitalit Amerikan.
Detajet nga dokumenti që ka shkuar në SPAK
Avokatja Orgesa Serani ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme kallëzimin penal ndaj “oktapodit të koncesioneve” duke kërkuar që ai të hetohet për akuzat e “falsifikimit të dokumentave”, “vjedhjes me anë të mashtrimit të pasurisë publike”, “korrupsionit aktiv të funksionarëve publikë”, “fshehjes së të ardhurave” dhe “pastrimit të parave”. Përveç këtyre akuzave, avokatja ka kërkuar hetime edhe për një sërë kompanish, për të cilat ka dyshime të forta se kontrollohen në mënyrë indirekte nga Klodian Allajbeu, përmes personave të besuar. Hetimi është kërkuar për shoqëritë “Ëestern Balkans University”, “Evita” shpk dhe administratoreve, Elona Saraci dhe Majlinda Fetiut, e cila dyshohet si ortake fiktive e “Evita” shpk.
Lista e kompanive për të cilat është kërkuar hetimi vijon me “Anamark” shpk (ish ndërmarrja e karburanteve), “Blue Sea Mariculture”, “Con Energy Albania”, “Energy projekt”, “Future Cement”, “Medidal Recycling”, “Internacional Hospital (spitali Hygea), “Dia Vita shpk”, “Balkan Alliance Healthcare BV”, e krijuar në shtetin e Holandës, “KA Healthvare limited’, “Diaverum International AB”.
Pjesë e kallëzimit janë edhe zyrtarët përgjegjës të mbikëqyrjes së kontratave koncesionare dhe e para është Ogerta Manastirliu, ish-ministre e Shëndetësisë, e cila është kallëzuar për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore. Pas saj në listë vjen Erion Manohasa, Alketa Hila, Anila Denaj, Adela Xhemali, Rudina Degjoni, Elsa Berziu, Albana Çela, ish-drejtues të Fondit të sigurimit të detyrueshëm Shëndetësor. Rasim Hamzaraj, Jani Karathano, Sokol Ramizi, dyshohet se janë “maskat” e Allajbeut përmes të cilëve kontrollon koncesionet miliona euro. Ka dyshime se paratë përmes një zinxhiri kompanish trasferohen në Holandë e prej andej në Britaninë e Madhe ku investohen në pasuri të paluajtshme. Këtu përmendim “Diavita Sh.P.K” një kompani që u krijua nga dy kompani të tjera, përkatësisht 15% zotërohej nga American Hospital i Klodian Allajbeut dhe 85% nga Evita sh.p.k.
Pas marrjes së koncesionit së hemodializës, për të humbur gjurmët, Evita sh.p.k shiti aksionet e saj tek një kompani guackë në Holandë për vetëm 160 mijë euro. E njëjta gjë vlen edhe për koncesionin e laboratorëve i cili u fitua nga bashkimi i kompanive “Labopharma” me qendër në Tiranë, “Exalab” me qendër në Francë dhe një kompani guackë me emrin “AB Laboratory Solution” B.V e cila rezulton e regjistruar në Holandë. Për Allajbeun situata do të jetë edhe më e vështirë, pasi gazeta “SOT” raportoi pak ditë më parë se të gjitha raportet e KLSH për koncensionin e dializës për të sëmurët nga veshkat, me vlerë 84 milionë euro, që ka dalë se është po aq korruptiv se edhe 3 koncensionet e tjera kanë përfunduar në SPAK. Me provat dhe faktet që janë kapur për këtë koncesion, këtë herë SPAK nuk e amniston dot Klodian Allajbeun, pronarin e Spitalit Amerikan, i cili vazhdon t’i shkaktojë dëme marramendëse shtetit shqiptar me hemodializën.