Sigurisht që koha e sotme ka nxjerrë në pah dhe iniciatorë dhe emra të rinj “fantastikë të publikut”, por dhe të dashur, përdorur sigurisht për mirë, të depërtuar dhe ngritur në skenë të famshme, që kanë në administrim paratë e publikut! Po sigurisht të dhuruara, por që gjithsesi të publikut janë.
Të mbledhura duke shfrytëzuar rrjetet sociale, shoqatën e tyre përkatëse, individualitetin e tyre të shquar, mirësitë dhe bamirësitë në sajë të këtij divulgacioni gjigant në rrjete, elokuencës apo ardhjes në mënyrë të natyrshme si “beniaminë” të publikut.
Patjetër që i bëjnë disi karshillëk shtetit dhe mirë ja bëjnë, por edhe ato si shteti po mbledhin paratë e njerëzve. Kanë një dallim, sepse ata luten, shtrojnë një arsye të rëndësishme dhe luten, kurse shteti shpik taksa dhe i çon ligje pastaj jua merr njerëzve apo publikut, gati gati, diku diku, si me pahir dhe pse në mënyrë ligjore. Por kanë të përbashkët se si shteti dhe të tillë individë apo shoqata, religjionarë apo dhe personalitete – mbledhin lekët dhe krijojnë fonde nga paratë e njerëzve. E kam fjalën se nuk janë fondacion i parave të tyre apo biznesit të madh të tyre. Megjithatë rrofshin, bravo ju qoftë, sidomos po të kesh gjithmonë në vëmendje qëllimin për të cilat këto para dhe fonde mblidhen. Janë për tu përgëzuar dhe inkurajuar. Por ka diçka që ashtu si të gjitha pjesët e tjera të bëra pa respektin e ligjit, transparencës dhe sidomos kontrollit të plotë financiar dhe ekonomik – krijojnë sërish një “kult dhe arrogancë sëpaku deri tani mediatike” të shitjes mend, të daljes orë e minutë në TV dhe media dhe sidomos të mbartjes së lavdisë së bamirësisë së fondeve të dhëna nga qytetarët brenda dhe jashtë vendit, drejt individëve kryesues të organizmit administrues së pikërisht këtyre parave!
Po po, është e vërtetë se as zoti Naçi dhe as zoti Hajdari nuk na kanë futur “dorën në xhep” si bën nganjëherë shteti me taksa, bie fjala në karburante, por këta (gjithë respektin) përveç parave të xhepit të tyre po administrojnë qoftë dhe me rregullat e grupit të tyre ose organizatës së tyre – paratë e publikut. Natë për natë në TV po flasin për paratë e publikut dhe administrimin e tyre në vetën e parë, duke filluar seriozisht me këtë dalje kaq të shumtë, absolutisht jashtë thjeshtësisë së bamirësve, arrogancë pothuaj të barabartë me ministrat e shtetit. Tani seriozisht ka filluar jo arroganca, por dhe një marrëzi mediatike (i thërret një TV dhe o burra të tjerët për të bërë audiencë), të cilën nuk po e menaxhojnë si duhet dhe me përunjësi! Po gati gati harrojnë se janë administratorë të parave të publikut dhe duhet të qëndrojnë të përmbajtur.
Po, por seriozisht ka filluar jo arroganca, por dhe një marrëzi mediatike, të cilën nuk po e menaxhojnë si duhet dhe me përunjësi! Po gati gati harrojnë se janë administrator të parave të publikut dhe duhet të qëndrojnë të qetë dhe jo të shesin mend apo bëjnë debat. Duket sikur po i dhurojnë ato para nga vetja. Mbase dhe dhurojnë dhe pse nuk dimë se sa e kanë “nivelin e jetesës për të dhuruar shifra që një qytetar i mesëm në Shqipëri nuk i mbledh dot kurrë”. E kam fjalën kur japin paratë e tyre dhe jo nga ato të dhuruara nga publiku. Po pra, sepse teorikisht duhet të jenë – portofole të ndara! Tani duke dalë kështu duke thënë shumë fjalë, duke u bashkuar me politikanë, duke bërë rrugë të përbashkëta po fillojnë dhe bëjnë protagonistët e zakonshëm të “parave të publikut” dhe kjo është një fatkeqësi e madhe. Zëri i ulët, “strukja” në qoshet e punës dhe distanca e duhur me mediatizimin kur mbledh fonde publike dhe je privat, përbën atë të ndryshmen nga shtetarët e “parave tona” të marra nga taksat.
E them këtë, sepse po vazhduan kështu, duke mos pasur dhe sisteme të sigurisë së kontrollit të parave të dhuruara sigurisht nga publiku, po ngjajnë me deputetë dhe politikanë që premtojnë administrimin e parave tona, duke “dhuruar vepra” në fushatë elektorale. Shpresoj të mos ketë shkuar puna deri këtu, por ky delir në atë drejtim dhe rrugë po i çon. Sepse hapet TV-ja dhe nuk shikon vetëm KM-në dhe kryetarin e opozitës, as vetëm ministrat dhe deputetët pushtetarë që janë administratorët të taksave tona, por tani shikon orë e minutë administratorë dhe të parave të falura nga publiku, të cilave (realisht) nuk i dihet praktikisht as buxheti, hyrja apo dalja ligjore e tyre. Sepse vetëm në këtë vend të “marrë” paratë publike dhe pse mblidhen nga individë jashtë pushteteve, mund të trajtohen kështu si model personal. Po po, askush në botën e qytetëruar nuk të lejon të thuash po bëj këtë apo po bëj atë, pa u konsultuar nëse ka ligj ku mund të bësh kështu, apo ka ligj që të lejon të ndërtosh kështu apo ashtu, këtu apo aty.
Vetëm në Shqipërinë e sotme dhe atë të djeshmen e afërt, individë që nuk kanë një mandat politik mund të vendosin të bëjnë si t’ju thotë “zemra” me paratë publike mbi tokën e shtetit apo pronësinë publike dhe private. Këto marrëzi ndodhin në shtetin e “benevrekëve dhe folklorizmit politik” sepse në Gjermani të vjen financa dhe pastaj ti ju tregon atyre se si i mblodhe, ku i mblodhe, kush t’i dha, si t’i dha, e se ku mund t’i përdorësh sigurisht në bazë të ligjeve të shtetit mbi paratë publike dhe pse janë donacione apo dhe dhurata. Apo jo? As shet dot mend dhe as bën dot debate dhe marrëzi të tilla të ditëpërditshme dhe natë përnatshme në televizione dhe media përgjithësisht. Po po, të pyesin dhe për shifrat e mëdha se “kush është donatori”, çfarë mundësie ka pasur ai të dhurojnë një shifër të tillë dhe nëse rezulton para kriminale apo afërsisht e tillë apo jo?! Nuk ka para të mbledhura që kalojnë pa një model kontrolli dhe përgjegjësie kolektive, ligjor,e shtetërore dhe pse është para e dhuruar për fatkeqësi, për donacion, apo për të bërë mirë.
Mjaft me këtë mungesë të madhe thjeshtësie dhe mjaft me arrogancën e njerëzve që krenohen dhe rrisin famën, se janë administratorë sigurisht të besuar nga publiku, por jo të zgjedhurit e tij zyrtarë për të bërë dhe shoë-n e përditshëm, i cili nuk i ngjan aspak asaj dëshire të madhe që dhuruesit kanë me qëllimin final të dhurimit të parave të tyre. Mjaft më me delirin e shitmendjes së tillë! Po dëmtohet imazhi i konceptit dhuratë, donacion dhe bamirësi. /Nga Besi BEKTESHI