Sali Berisha nuk tërhiqet nga protesta e 6 dhjetorit, ditën kur në Tiranë do të mbahet samiti i BE- Ballkani Perëndimor. Në një prononcim për gazetarët, ai tha se protesta do të jetë madhështore dhe se ato nuk e lëshojnë Bulevardin. I pyetur se ku do të protesojnë nëse kordoni i policisë do të vendoset te ura e Lanës, Berisha u shpreh se gjithçka do të jetë në dorë të protestuesve.
‘Madhështore, madhështore! Jo, liderët europianë nuk janë si Edi Rama. Liderët europianë janë liderë të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të tyre, dhe ata e dinë se nga vota e lirë buron shteti ligjor burojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Tani gjithçka është në dorë të protestuesve dhe të organizatorëve. Ato do të vendosen insitu, por ne bulevardin nuk e lëshojmë!’- u shpreh Berisha.
Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat ditën e sotme tha se masat që do të marren në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor dhe se do të jenë standarde të vendosura nga Këshilli Evropian e shtoi se siguria e liderëve evropianë do të garantohet. Kryeministri nënvizoi se janë masa sigurie të bazuara në kritere dhe standarde që duhet t’i garantojë çdo vend që merr përsipër organizimin e një samiti të këtyre përmasave, ndërsa shtoi se nuk do të jetë ditë pushimi zyrtare, ndryshe nga sa ishte raportuar.
Kujtojmë që ky Samit që është një ndër ngjarjet më të rëndësishme për vendin, po zhvillohet në një kohë kur klima politike në Tiranë nuk është e qetë. Kjo sepse po në 6 dhjetor, Sali Berisha ka paralajmëruar një protestë dhe pavarësisht se Policia dhe Bashkia nuk i kanë dhënë leje, ai këmbëngul që protesta do zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Tirana do të blindohet me forca të shumta sigurie. Rreth 1500 efektivë pritet të jenë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e samitit.