Mazhoranca qeverisëse duket se do t’i shkojë deri në fund shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra. Edhe pse Komisioni i Venecias në raportin paraprak i ka dhënë në një farë mënyre të drejtë presidentit Meta sa i takon përplasjeve të tij me Parlamentin për vakancat në Gjykatën Kushtetuese, për Partinë Socialiste nuk ka asnjë tërheqje.
Ditën e djeshme u mblodh grupi i PS në drejtimin e kreut të tij, Taulant Balla, ku një ndër çështjet që është prekur shkurtimisht ka qenë pikërisht shkarkimi i Metës. Burime nga kjo mbledhje theksuan për gazetën se zoti Balla është shprehur se mazhoranca ka marrë nga Venecia atë që kërkonte në përputhje me objektin e komisionit hetimor dhe se për socialistët raporti paraprak i Komisionit të Venecias nuk kishte lidhje me pyetjet që Kuvendi kërkoi që të interpretoheshin nga ky institucion. Pak kohë më parëmazhoranca i dërgoi gjashtë pyetje Komisionit të Venecias për të dhënë një mendim në lidhje me përplasjen me Ilir Metën.
Pyetjet kërkojnë nga ekspertët ndërkombëtarë një mendim që lidhet me dy momentet kulmore të përplasjes mes mazhorancës dhe Presidencës sa u takon emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Momenti i parë ka të bëjë me refuzimin nga ana e presidentit Ilir Meta për të organizuar ceremoni betimi për Arta Vorpsin. Ndërsa momenti i dytë për të cilin kërkohet ekspertiza e Komisionit të Venecias lidhet me emërimin e Marsida Xhaferllarit. PS akuzon presidentin Meta se me këtë emërim ka kryer katër shkelje të tjera.
PS asnjë tërheqje për shkarkimin e Metës
Duke qenë se socialistët në asnjë rast dhe rrethanë nuk kërkojnë nga Venecia që të shprehet nëse duhet apo jo të shkarkohet presidenti Meta nga detyra, mësohet se Balla është shprehur para deputetëve socialistë se mazhoranca do t’i shkojë deri në fund shkarkimit të presidentit dhe se më pas do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese që të japë verdiktin final. Po ashtu, mësohet se pavarësisht se çfarë ka kthyer përgjigje Komisioni i Venecias në raportin paraprak, mazhoranca socialiste është e vendosur për tëshkarkuar Metën nga detyra dhe se për këtë asaj i mjafton shkelja e Kushtetutës që presidenti konsumoikur anuloi zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Për këtëçështje Venecia ka kthyer përgjigje përfundimisht dhe akuzon drejtpërdrejt zotin Meta se ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe caktimin e 13 tetorit si datë të re, kur qytetarët duhet t’iu drejtoheshin kutive të votimit. Madje, Venecia thekson se anulimi i zgjedhjeve nuk parashikohet në Kushtetutë edhe në Kodin Zgjedhor. Kjo do të thotë se Partia Socialiste është e bindur që kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën dhe se duhet të shkarkohet. Pra, sikundër e pohoi edhe deputeti Balla në mbledhje grupi, mazhoranca nuk do të tërhiqet dhe se fjalën e fundit do ta ketë Gjykata Kushtetuese për Metën.
Ja si do procedohet
Por përveç bindjes që presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, Partia Socialiste ka bërë gati edhe objeksionet, të cilat do t’i dërgojë Komisionit të Venecias. Në kushtet kur Venecia i dha në një farë mënyrë të drejtë Metës, gazeta ka mësuar se mazhoranca ka përgatitur një dosje voluminoze, përmes së cilës kërkon dhe shpreson që Komisioni të bëjë ndryshime tek raporti përfundimtar. Madje, një gjë të tillë e zbuloi dje edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Kjo e fundit duke folur për mediat tha se Venecia nuk ka dhënë ende opinionin përfundimtar, ndërsa paralajmëroi se Kuvendi do të dorëzojë argumenta të tjera plotësuese deri në datë 13 mars, të cilat sipas saj, mund të ndryshojnë dhe qëndrimin. “Është një fotografim i parë i situatës, nëse nuk do kishte mundësi që secila palë të paraqiste argumentet ligjorë, nuk do kishte një opinion përfundimtar. Argumentet shtesë do dorëzohen deri në datën 13. Ka argumenta. Nëse s’do ishte kështu, atëherë do të ishte një raport përfundimtar. Kuvendi ka një sërë argumentesh për të paraqitur, se në fund të fundit ne nuk na intereson për të kuptuar kush ka të drejtë”, deklaroi Gjonaj./
SHKRUAR NGA RIGELS SELIMAN