Kujtim Koxha, autori i masakrës së Matit, ka qenë person mjaft problematik me të afërmit e tij dhe me banorët e fshatit. Por djuke i’u referuar kazanit që herë e emëron kryeplak e herë kryetar PS, e vërteta është se autori i masakrës së djeshme nuk mbante asnjë funksion, duke u konsideruar si njeri anormal në fshatin Shëlli.
Zyrtarë të Komisariatit të Matit saktësuan se para disa vitesh ai është konfliktuar me vëllain e tij. Një vit më parë është përfshirë në një sherr tjetër në Shëlli. Ai është dhunuar keq nga disa banorë, në rrethana të paqarta dhe pas disa javësh në spital është rikthyer pranë familjes.
Pesë muaj më parë është vënë në krye të disa banorëve të fshatit për të penguar një firmë private që nxirrte mermer në afërsi të Shëlliut. Deri në janar të këtij viti ai ishte kryetar i organizatës socialiste të fshatit, por për shkak të problemeve që kishte krijuar, është shkarkuar nga drejtuesit lokalë të PS-së Mat.
Këtë gjë e konfirmoi edhe Kreu i PS-së së Matit, Hasan Pasha, se Kujtim Koxha ishte shkarkuar nga funksioni në PS pikërisht për shkak të akteve të dhunshme dhe problematikave që ai kishte sjellë në fshatin ku banonte.
Kryebashkiaku e mohon se Koxha e ka kryer krimin për çështjen e rrugës dhe kërkoi nga strukturat shtetërore zbardhjen e plotë të saj.
Ai ka mbledhur në mbrëmje administratën e bashkisë për të organizuar ceremoninë mortore të tri viktimave dhe për t’u ardhur në ndihmë familjeve të tyre./Ekskluzive.al