Partia Socialiste po tregon çdo ditë e më shumë se është e vendosur për të shkarkuar presidentin Ilir Meta nga detyra. Për këtë të fundit mazhoranca ka ngritur një komision hetimor, i cili po heton veprimtarinë dhe deklaratat e bëra nga kreu i shtetit, para, gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Dje komisioni ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku fillimisht ka miratuar planin për hetimin dhe shkarkimin e presidentit Meta. Më herët komisioni hetimor ka miratuar me shumicë votash dy kandidaturat e propozuara nga anëtarët për ekspertët ligjorë që do të hetojnë nëse me thirrjet që ka bërë për kaos dhe dhunë kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Dy ekspertë ligjorë të Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta janë Erind Mërkuri dhe Artan Spahiu.
Policia dhe SPAK dosje në komision
Më tej mbledhja e Komisionit Hetimor “Meta” ka vijuar me diskutimet mbi përgjigjet e marra nga institucionet, në lidhje me objektin e komisionit për shkeljet e kryera nga presidenti Ilir Meta, gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit.
Kryetari i komisionit, Alket Hyseni theksoi se dosja ndaj Metës po kopsitet, ndërsa zbuloi se në tryezën e komisionit hetimor kishin shkresa nga SPAK, nga AMA, nga Policia e Shtetit dhe nga Bashkia e Tiranës në lidhje me procesin e hetimit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Por gazeta ka mësuar se Partia Socialiste pritet të gozhdojë Metën, pasi ndaj tij, ka tashmë plot fakte që do t’i përdorë si armë, në mënyrë që ta fundosë. Sipas informacioneve nga komisioni hetimor, policia dhe Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka çuar disa dosje në komision për takimet e fshehta të kryera dhe bërë nga presidenti Meta gjatë fushatës zgjedhore.
Pra, fakti që këto të dhëna ndodhen në duart e anëtarëve të Komisionit Hetimor, tregon se mazhoranca socialiste do ta ketë të lehtë që të bindë anëtarët e Komisionit Hetimor dhe më pas deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që të votojnë pro shkarkimit të Metës nga detyra, pasi ai me përfshirjen në fushatë dhe deklaratat politike e thirrjet për kaos që ka artikuluar gjatë kësaj kohe, ka shkelur Kushtetutën.
Nga ana tjetër, sikundër pohuan të njëjtat burime, mësohet se në komision ka mbërritur edhe një informacion se Shërbimi Informativ Shtetëror ka paralajmëruar presidentin Ilir Meta të mos takohet me dy persona, pasi sipas SHISH, ata kishin lidhje me Agimin e Artë. Madje, sa i takon këtij informacioni, mësohet se anëtarët e komisionit hetimor kërkuan që t’i shkohet deri në fund për të mbërritur në përfundimin nëse presidenti Meta e ka marrë seriozisht këtë paralajmërim të SHISH. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kreu i shtetit është takuar apo jo me këta dy persona gjatë fushatës elektorale dhe se kjo gjë do të zbulohet nga hetimi që do të kryejë Komisioni Hetimor dhe informacionet që do japin institucionet ligjzbatuese.
Komisioni seancë dëgjimore me kreun e SHISH
Por të gjendur përballë kësaj situate, deputeti Myslim Murrizi ka ngritur dy çështje në mbledhjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Murriz sugjeroi që të vihet në dispozicion praktika e shkarkimit të presidentit të Italisë në vitin 1993, ndërsa kërkoi që në seancën hetimore të thirrej edhe kreu i SHISH edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, në mënyrë që të mësojë më shumë detaje rreth veprimtarisë së presidentit Ilir Meta.
“Ne do të jemi deputetë deri me datën 9 shtator. Ne nuk bëjmë gjyqe do të shprehemi me votë. Është hera e parë që një Komision Hetimor ka edhe një organ tjetër. E para është votimi në seancë dhe vendimi atij Kuvendi. Nëse do të jetë 94 do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese. Do doja që ta shtrinim pak kërkesën ne arshivat e Parlamentit. Do doja të kishim në dispozicion praktikën e shkarkimit të presidentit të Italisë në ‘93 pas kërkesës së një deputeti. Të na vihet në dispozicion praktika në Itali se çfarë hapash kanë ndjekur, unë nuk mjaftohem me Lituaninë. Do të doja të kishim shefin e SHISH apo dhe drejtorin e Policisë së Shtetit, të zhvillohej një seancë dëgjimore”, deklaroi Murrizi./Rigels Seliman