Kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla ka dhënë dje alarmin se PD-LSI po tentojnë të bllokojnë reformën në drejtësi. Nga foltorja e Kuvendit, Balla duke u ndalur tek nisma e opozitës për veting në politikë, deklaroi se nëpërmjet këtij akti po synohet të bllokohet SPAK dhe BKH, duke konfirmuar dhe atë që shkruante dje gazeta “SOT”. Duke sjell nëpër mend modelin Rumun, Balla tha se do të jenë organet e reja që do bëjnë vetingun e politikanëve. “Por këtë Partia Demokratike nuk e do! Partia Demokratike ka sjellë në Kuvend dy faqe letër me të cilat jo vetëm që i ngrihet një trung me ferra para Vettingut të drejtësisë, por që synohet të bllokohet Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Në këtë kontekst më lejoni t’ju them se mjafton të marrim shembullin e një vendi si Rumania ku Byroja Kombëtare e Hetimit të tyre dhe njësia Anti-Korrupsion ka çuar përpara drejtësisë dhe ka ndëshkuar 13 ministra, 38 deputetë e senatorë të vendit përkatës. Ja, ky është modeli më i mirë i Vetingut të politikës. Nuk bëhet vetingu i politikës duke ndenjur nëpër hotele apo në mungesë të kryetarit të Partisë Demokratike nuk dihet ku ka shkuar opozita. Nuk bëhet Vetingu i politikës duke mbajtur një fjalim kryetari i opozitës në hotelin e radhës. Thirrja ime është që PD dhe LSI duhet të jenë sot këtu për të votuar këto tre vendime që çojnë përpara Reformën në Drejtësi dhe Vetingun në drejtësi”, tha ai.
Balla: Opozita pazare për të rrëzuar reformën
Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla u shpreh se opozita kërkoi Pazar për të ndryshuar ligjin e vetingut. Balla tha se pavarësisht indiceve të opozitës për të bërë pazare me reformën në drejtësi, mazhoranca nuk do të pranojë kurrë një veting të politikës pa u hetuar pasuritë e familjarëve. “Kur ne filluam këtë sesion Partia Demokratike kërkoi pazar për të ndryshuar shtatë ligjet e Vetingut. Ne nuk e ofruam sepse nuk bëhemi kurrë pjesë e një pazari për të ndryshuar ligjin e Vetingut, sepse ne nuk do bëjmë kurrë pazar në kurriz të Vetingut në drejtësi. Pasi nuk morën ‘kurrë’ përgjigje për pazarin e kërkuar hynë në një diskutim, i cili ka përfunduar që ditën e parë që kemi miratuar Reformën në Drejtësi. Sepse për të gjithë ata shqiptarë, njerëz të thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi, më lejoni ta them shumë qartë se Reforma në Drejtësi ka pasur dhe ka thelb të vet objektivin fundor dhe kryesor atë të Vetingut të politikës. Ne kurrsesi nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojmë kurrë një Veting të politikës pa u hetuar pasuritë e familjarëve, pa u hetuar korrupsioni 27-vjeçar i politikës”, u shpreh Balla.
Deputeti i PS: Prokuroria të zbardhë ngjarjen në Fushë-Krujës
Deputeti i PS, Taulant Balla u ndal edhe tek çështja e Fushë-Krujës. Ai i bëri thirrje prokurorisë që ta zbardh sa më shpejt çështjen dhe të mos vijojë më të zgjasë hetimet. Sipas Ballës kjo ngjarje do të jetë historia e turpit e radhës e Lulzim Bashës. “Sa për çështjen tjetër atë të baltës dhe shpifjes ne e kemi bindje që nuk bëhet më politikë në vitin 2018 me baltë e me shpifje. Thirrja ime sot për shpifjen më të fundit të serisë së radhës “Babale 2”, Prokurorisë i kërkoj të hetojë menjëherë. Mjaft më me muaj për të zbardhur një çështje. Një çështje që është tërësisht e zbardhshme brenda pak ditësh. Unë, Rrahman Rraja apo Artur Bushi kemi qenë apo jo në komisariatin e Fushë Krujës. Ka plot prova për ta vërtetuar. Ju garantoj kolegë deputetë që kjo histori do të jetë një histori e radhës e turpit të Lulzim Bashës të përfshirë në një shantazhim të deputetëve, të kryetarit të grupit parlamentar të shumicës këtu në Kuvend, ku garantoj që nuk shantazhohem kurrë, nga Lulzimi jo e jo, se të të shantazhojë Lulzimi është turp”, tha Balla./Endri Arizi