Edhe pse sesioni parlamentar u mbyll për këtë viti, mazhoranca qeverisëse është e vendosur për të përshpejtuar procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra. Mazhoranca nuk ka humbur kohë, ndërsa ditën e sotme ka thirrur mbledhjen e radhës të komisioni hetimor që po heton veprimtarinë e kreut të shtetit para dhe pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, duke treguar se për socialistët kjo nuk është lojë, pavarësisht se afati i këtij komisioni është shtyrë me katër muaj.
Përmes një njoftimi, Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se sot në orën 11:00 do të mblidhet komisionin hetimor, ndërsa mes të tjerash në rendin e ditës do të jetë edhe ndryshimi i planit hetimor. Mazhoranca pak ditë më parë ka bërë pjesë të axhendës së këtij komisioni edhe shkeljet me dekretimin e Marsida Xhaferllarit në Kushtetuese, ndërkohë që miratimi i këtyre shtesave mbi objektin e punës do të bëhet sot. “Miratimi i procesverbalit të mbledhjeve të komisionit datë 18.09.2019 dhe 03.12.2019; Miratimi i shtesave në Planin e Hetimit të Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, si dhe për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës së ndjekur nga Presidenti i republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”, thuhet në njoftimin e Parlamentit.
Ndryshon plani hetimor për të fundosur presidentin
Por ndryshimi i objektit të planit hetimor dhe nxitimi për të mbledhur komisionin edhe pse Kuvendi nga data 18 dhjetor ka marrë zyrtarisht pushimet, tregon qartë se mazhoranca nuk është tërhequr dhe se është e vendosur për të shkarkuar presidentin Ilir Meta nga detyra. Sinjalin se mazhoranca është e vendosur për ta shkarkuar Metën e dha dy ditë më parë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërkohë që kjo vendosmëri tregohet qartë me thirrjen e mbledhjes së komisionit hetimor sot.
Sipas informacioneve, në miratimin e shtesave të planit hetimor do të futen të gjitha shkeljet e konsumuara nga kreu i shtetit në lidhje me Gjykatën Kushtetuese. Mazhoranca ka evidentuar 4 pika kyçe, të cilat do t’i bëjë pjesë e planit hetimor, ku mes të tjerash socialistët akuzojnë presidentin Ilir Meta se ka shkelur Kushtetutën me nxjerrjen e dekretit për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare në Gjykatën Kushtetuese. Sipas PS, me nxjerrjen e këtij dekreti, Meta ka vepruar kundër kompetencave të tij që i jep Kushtetuta dhe ligji, duke shtuar se ai në mënyrë të përsëritur po përdor në mënyrë abuzive pushtetin që i ka ngarkuar Kushtetuta. Kështu që, ndryshimi i planit hetimor pritet të fundosë presidentin Meta, pasi për socialistët këto shkelje tregojnë qartë se Meta nuk e meriton të qëndrojë president. Po ashtu, gazeta ka mësuar se gjatë hetimeve për këto katër shkelje, mazhoranca pritet të kërkojë informacione nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Presidenca, duke i administruar ato si prova dhe fakte kundër kreu të shtetit, në mënyrë që ta ketë më të lehtë vulosjen e shkarkimit të Metës.
Disa nga shkeljet që do shtohen në objektin e punës
Përveç se e akuzon presidentin Ilir Meta se ka shkelur Kushtetutën me nxjerrjen e dekretit për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare në Gjykatën Kushtetuese, mazhoranca pretendon se zonja Xhaferllari ka marrë një mandat të paligjshëm si gjyqtare e Kushtetueses, fakt ky që cenon ligjshmërinë e vendimmarrjeve të kësaj gjykate. Një tjetër shkelje e Metës është se ai nuk ftoi në ceremoninë e betimit Arta Vorpsin, e cila u përzgjodh nga KED si anëtare e Kushtetueses pas mbarimit të afateve të Metës. Po ashtu, kreu i shtetit nuk e njeh Vorpsin si gjyqtare kushtetuese, i cili po refuzon të zbatojë një detyrim ligjor e kushtetues, çka për mazhorancën përbën një abuzim me pushtetin që i ka ngarkuar Kushtetuta. /Rigels Seliman