Partia Socialiste ka lëshuar dje të tjera akuza sa i takon pushimit të hetimeve mbi lobimin e Partisë Demokratike në SHBA. Gjykata vendosi të nxjerrë të palarë kreun demokrat Lulzim Basha nga afera e lobimeve dhe ka bërë që socialistët të shtojnë dozat e akuzave.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar dje sërish, lidhur me pushimin e çështjes nga Gjykata e Tiranës për lobimet ruse në ngarkim të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Balla ka publikuar disa dokumente të publikuara në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, për të kuptuar dosjen “Basha”.
Sipas Ballës, faktet e reja plotësojnë kushtet për një kallëzim të ri. Gjithashtu Balla ka publikuar në Facebook një video, ku Basha deklaron publikisht se PD ka marrë një kontribut prej 500 mijë dollarë, përmes një skeme tërësisht në përputhje me ligjin amerikan të shqiptaro-amerikanëve në SHBA. Numri dy i PS, Balla i ka kërkuar Lulzim Bashës të bëjë publike listën e mbi 100 “dashamirësve” që kanë paguar 500 mijë dollarë në SHBA për Partinë Demokratike. Sipas Ballës, hetimi i plotë i kësaj dosje të rëndë është në interesin e vetë Partisë Demokratike, emri i së cilës gjendet në dokumentet e deklaruara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë.
“Nuk është aspak e vërtetë kjo që mund të jetë një marrëveshje, apo lëshim. Unë jam sekretari i përgjithshëm dhe kreu i grupit të PS, kam qenë personi që kam ngritur kallëzimin penal për këtë çështje. Sa i përket çështjes së lobimit, mund të them se ende sistemi i drejtësisë ka prokurorë dhe gjyqtarë të cilët nuk e kanë kaluar testin e vetingut”, tha Balla.
Reagon Braçe
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe zëvendëskryeministri Erion Braçe. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Braçe ka deklaruar se kryedemokrati Basha është duke u përpjekur që të fsheh imunitetin për të mos u gjykuar kurrë. Sa i përket argumenteve të opozitës në lidhje me këtë çështje, të cilët shprehen se nuk ka prova, Braçe i është përgjigjur Bashës duke i thënë se provat janë aty dhe janë mëse të dukshme.
“Nuk janë letra bakalli, janë dokumente zyrtare të depozituara në agjencinë më serioze në botë. Janë me firmë të Nik Muzin e Lulëzim Bashës. Prokurorët e gjykatësit në Tiranë nuk kanë lejuar të hetohet e gjykohet rreth tyre! Zero! Kur nuk hetohet nuk ka prova, afërmendsh! Por në zyra amerikane ato janë, janë publike-në dallim nga këtu, i shohin e i marrin të gjithë. Prova thotë se Nik Muzin njeriu nën kontrate me PD ka deklaruar zyrtarisht, me shkrim se ka marrë për llogari të PD 670 mijë dollarë! Tani, ose gënjen ai nën betim dhe përgjigjet në Amerikë për këtë, ose gënjejnë këtu Lulzim Basha e zarat e tij dhe kane imunitet e as hetohen e as gjykohen”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Braçe.
Vendimi i Gjykatës për Bashën
Gjykata e Tiranës në gjyqin paraprak që u zhvillua në datën 13 janar, vendosi pushimin e çështjes së lobimit për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e partisë Ilir Dervishi. Gjyqtari Lazër Sallaku i ka cilësuar dy vjet hetime nga prokuroria e Tiranës, si të pavlefshme duke rrëzuar kësisoj akuzën që kishte ngritur organi i akuzës për falsifikim kundër Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së. Sipas tij një gjë e tillë nuk faktohet.