Pas akuzave që kanë lëshuar për financimin rus në PD dhe pas raportit të CIA-s që e konfirmonte një gjë të tillë, Partia Socialiste i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë kreut të SPAK që të nisë menjëherë hetimet për këtë çështje.
Nga Kryesia, në një deklaratë për mediat, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla theksoi dje se SPAK duhet të thërrasë urgjentisht Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, të cilët sipas tij “kanë ngjyer gishtat në çorbën e rublave ruse” dhe të japin shpjegime.“Nën qeshnit kur ne ju tregonin që PD ka marrë financime ruse dhe kur shërbimi sekret amerikan CIA-n me dokumente konfirmoi që PD ka marrë financime ruse.
Kjo çështje nuk është më një çështje për të pasur dyshime. Në një vend anëtar të NATO-s keqardhja ime më e madhe është që ende SPAK nuk ka filluar një hetim sesi një parti politike ka përfunduar në borderotë e Kremilinit. I bëj thirrje Krajës që për çështje të sigurisë kombëtare kjo prokurori të nisë menjëherë këtë çështje. Urgjent të thirren Basha Berisha që kanë ngjyer gishtat dhe xhepat e PD në çorbën e rublave ruse.
I bëj thirrje çdo demokrati të këtij vendi, që në këto kushtet që na duhet sa më shumë solidaritet me Kosovë, të heqë dorë nga shpërdorimi i saj çfarë ka mbetur nga PD për interesat e ngushta të një individi”, deklaroi ai. Ndërkohë, Balla shigjetoi edhe ndërkombëtarët kur tha se Shqipërisë nuk i bën dot askush presion për Amnistinë Fiskale. Sipas tij, Qeveria po punon me ekspertët e Bashkimit Europian për të nxjerrë një draft final. Sipas tij, shumë vende të BE e kanë bërë vetë këtë amnisti.
“Shqipërisë dhe kuvendit nuk i bën dot askush presion. Nevoja për amnisti fiskale është çdo ditë e më e madhe. Kjo ka ndodhur në shumë vende te BE. Edhe Shqipëria, në kushtet e luftës na duhet të sigurojmë të ardhura shtesë. Përshëndes vendimin e Shqipërisë që ka përfshirë edhe taksën për prodhuesit e mëdhenj të energjisë elektrike. Ne do të punojmë ngushtësisht me ekspertët më të mirë të BE”, nënvizoi Balla.