Partia Socialiste bëhet e para forcë politike e cila shpall emrat e 5 nga 6 kandidatët e saj për zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit.
Ishin drejtuesit politik në qarqe ata të cilët anonçuan emrat e të besuarve për për këtë garë elektorale.
Kryesia socialiste nuk mundi të vendosë për kandidatin e Lushnjës. Shpjegimet i dha drejtuesi politik i qarkut Fier, Taulant Balla.
Ambicia e sociliatëve është fitimi të gjashta bashkive. Beteja më e fortë për ta do jetë Shkodra një bastion i PD të cilin në këto zgjedhje të pjesshme PS do të tentojë ta fitojë.
Për Bashkinë e Lushnjës vijojnë ende diskutimet lidhur me emrin e Eriselda Sefës, kryetare e komanduar në Bashkinë Lushnjë dhe Krenar Haxhiut, drejtor i OSHEE Lushnje. Emri i kandidatit sipas burimeve nga PS do të jepet të martën e 1 Shkurtit.
Emrat e kandidatëve për Vorën dhe Rrogozhinën u bënë me dije nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Ky i fundit ka konfirmuar se në Bashkinë e Vorës do të jetë kandidatë Blerim Shera, ndërsa në Bashkinë e Rrogozhinës, Edison Memolla.
Në Bashkinë Durrës socialistët do të kandidojnë Emirjana Sakon e cila kryen prej dy vitesh funksionin e kryetares, si e komanduar, ndërsa për Bashkinë e Shkodrës, socialistët garojnë me Majlinda Angoni, e cila prej dy vitesh mban detyrën e Prefektes.
Ndërsa në bashkinë Dibër u zgjodh një bankier, Rrahim Spahiu dhe jo kryetari aktual i komanduar, Shkëlqim Murrja./Ekskluzive.al
Konkretisht emrat e propozuar janë:
Për Bashkinë Durrës, PS garon me Emirjana Sakon, aktualisht kryetare në detyrë.
Për Bashkinë Shkodër, PS garon me Majlinda Angonin, aktualisht prefekte e qarkut Shkodër.
Për Bashkinë Dibër, PS garon me Rrahim Spahiu, me karrierë të gjatë në administratën publike dhe atë bankare.
Për Bashkinë Rrogozhinë, PS garon me Edison Memolla, aktualisht kryetar i komanduar.
Për Bashkinë Vorë, PS garon me Blerim Shera, arsimtar.