Kur ndërhyrja nga jashtë përçan, përfaqësimi zbehet dhe udhëheqësit shndërrohen në instrumente të huaja, rezultati nuk është fitore politike, por shuarje historike.
Nëse ju besohet sondazheve, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut do të humbin më shumë se disa komuna në zgjedhjet lokale të 19 tetorit. Do të humbin narrativën kombëtare, orientimin institucional dhe peshën si faktor kushtetues. Dhe ajo që është më e rëndë, do ta humbasin me dorën e vet, me heshtjen e Tiranës, me miratimin e Kosovës dhe me ndihmën aktive të një strukture që është ndërtuar për t’i zhbërë, jo për t’i përfaqësuar.
Koalicioni “Vlen”, që në pamje të parë u shit si një frymë e re për bashkimin e shqiptarëve, në fakt është një projekt i transplantuar, që përfaqëson një bosht të rremë të Prishtinës, të shërbyer nga Albin Kurti dhe të përdorur mjeshtërisht nga Hristijan Mickoski. Nën petkun e opozitës shqiptare është ndërtuar një urë për dërgimin e votës shqiptare në skutat më të errëta të nacionalizmit maqedonas. Nuk ka nevojë për teori konspirative. Mjafton të shihen faktet: VMRO ka deklaruar se do t’i japë votat e veta në raundin e parë kandidatëve të VLEN në komunat shqiptare, për të shmangur çdo balotazh ku do të mund të rifutej BDI me ndonjë pazar.
Kjo nuk është strategji politike, është arkitekturë etnike. Është dizajnuar për të nxjerrë nga loja një strukturë që, me të gjitha mëkatet dhe dështimet e veta, kishte ndërtuar një përfaqësim të qëndrueshëm institucional. Ali Ahmeti mund të ketë gabuar, mund të jetë lodhur, mund të jetë pushtetizuar, por ai kishte një koordinatë kombëtare që sot mungon.
Në vend të saj, kemi një përzierje stilesh dhe lojërash që e kanë bërë politikën shqiptare të Maqedonisë një ngërç kulturor: pak Turqi, pak Iran, pak Vetëvendosje, pak LSDM, shumë Mickoski – dhe gjithnjë e më pak Shqipëri, e edhe më pak Kosovë.
Në gjithë këtë qerthull, Shqipëria zyrtare është një spektatore e paralizuar, e paaftë për të artikuluar një interes kombëtar. Kosova është shndërruar në një eksportuese të ndasive të veta: eksporton konflikte, mosbesim dhe një model të centralizuar autoritar, që s’funksionon as në Prishtinë. Albin Kurti është shfaqur më shumë si dirigjent i një dekonstruimi shqiptar sesa si përfaqësues i një vizioni bashkues. Ndikimi i tij mbi liderët e Vlenit, veçanërisht përmes takimeve të mbyllura dhe financimeve të buta, e ka kthyer atë në një aktor aktiv të fragmentimit, jo të bashkimit.
Zgjedhjet e 19 tetorit janë më shumë se një votë për komuna. Janë një referendum i heshtur për atë se çfarë do të thotë të jesh shqiptar në një shtet shumëkombësh që është rikthyer në një krizë të vjetër: atë të dominimit etnik të shumicës. Kur shqiptarët copëtohen në emër të “ndryshimit”, atëherë ndryshimi nuk sjell risi, por zhbërje.
Në këtë panoramë të shkapërderdhur politike, mungesa e PDSH-së dhe e Menduh Thaçit në zgjedhje nuk është një akt dorëzimi. Është një akt vetëpërmbajtjeje. Një vendim i vështirë për të mos u bërë pjesë e një gare ku gjithçka është e simuluar: Koalicionet janë të imponuara, rivalitetet janë të fabrikuara dhe përfaqësimi është i iluzionuar.
Dhe në një garë të tillë, ku shqiptarët nuk e caktojnë më vetë orientimin e tyre politik, por shërbejnë si instrument për arritjet e të tjerëve, refuzimi është mënyra më e sinqertë për të treguar se kjo nuk është loja jonë.
PDSh dhe Menduh Thaçi thonë se nuk janë tërhequr për shkak të dobësisë. Janë tërhequr për të mos forcuar një mashtrim. Për të mos dhënë legjitimitet një procesi që i largon shqiptarët nga përfaqësimi historik drejt feudeve personale, lokale, që shërbejnë më shumë si bunkerë elektoralë sesa si pikë lidhjeje me interesin kombëtar.
Kur të shuhet zhurma e fushatës, kur të qartësohet boshllëku që po mbetet pas këtyre zgjedhjeve, do të duhet të rindërtohet diçka më e thellë: një strukturë që flet me gjuhën e interesit afatgjatë, e jo me sloganet e ditës. Një përfaqësim që fton mendjen, jo thjesht votën. Një vizion që i flet historisë, jo vetëm hartës.
Vetëm kështu mund të thuhet pastaj, se , PDSH nuk ka dalë nga skena. Ajo ka zgjedhur të mos bëhet pjesë e një skene të rreme. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo do të mbetet si një nga pak aktorët që nesër mund të flasin pa u turpëruar nga roli që luajnë sot. Sepse në politikë, heshtja në kohë mashtrimi është më e zhurmshme se të bërtiturat e shërbimit. Dhe ndonjëherë, mungesa është më përfaqësuese se prania.
Nëse në Dibër, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Çair shqiptarët do të shkojnë drejt një gare ku fituesit nuk janë bartës të vizionit, por përfaqësues të thyerjeve mes tyre, atëherë ajo që do të pasojë nuk do të jetë një qeverisje e re vendore, por një përshpejtim i zbehjes kombëtare.
Dështimi nuk është vetëm matematikor. Dështimi është konceptual. Kur nuk ke një projekt, por vetëm një reagim ndaj tjetrit, atëherë nuk ndërtuan të ardhmen, por zbrazin të tashmen.
Dhe në këtë zbrazëti, nuk është çudi që sërish do të fitojë VMRO. Sepse ata kanë një strategji të qartë, ndërsa shqiptarët kanë vetëm fjalime në studio televizive. Dhe heshtje kur duhet të flasin. Dhe garë personale kur duhet të jenë bashkë.
Prandaj, zgjedhjet e 19 tetorit nuk janë vetëm një test për partitë. Janë një akt gjykimi për gjithë klasën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Dhe akti i parë i një dështimi të paralajmëruar./TemA