Për SPAK-un dhe personalisht për drejtuesin e saj, Altin Dumani, është rritur besimi, vlerësimi dhe mbështetja nga shqiptarët, ndërkohë që paralelisht, po sulmohet nga elita e politikës mafioze politike, madje dhe me komision parlamentar e paralajmërim për shkrirje.
Por, për vjedhjet që i janë bërë Shqipërisë, SPAK ka lënë jashtë “sitës” së hetimit, ish- ministra “sheikë” të pushtetit të PD, të cilët kanë rekorde të rënda ekonomike e financiare.
Në shumë mesazhe që i vijnë “Pamfleti”-it, njerëzia çuditet, pse SPAK nuk merr nën hetim ish-ministrat Ridvan Bode, Genc Ruli, Genc Pollo e Tritan Shehu; heshtja ndaj të cilëve, ka krijuar dyshimin e arsyeshëm, se kanë lidhje me kupolën e SPAK, ose kanë paguar për të mos u prekur.
Këta kanë pasuri të shumta dhe ortakëri në kompanitë brenda e jashtë Shqipërisë, pastrojnë miliarda në ndërtime, turizëm, transporte, fonde bankare, kompani offshore e parajsa fiskale.
SPAK do ta shtojë e forcojë besimin publik, nëse merret edhe me bëmat e Ritvan Bodes, Genc Rulit, Genc Pollos e Tritan Shehut, për aferat kur ishin ministra dhe kalimin në hetim të pasurive.
Në muajin prill 2015, Inspektorati i Pasurive kallëzoi Ritvan Boden për 500 mijë Euro pasuri të pajustifikuara, e mos deklarim të shumë pronave të tjera; por prokuroria nuk e preku; ndërsa në dhjetor 2018, Edi Rama e emëroi Anëtar Bordi në Bankën e Shtetit, ku edhe vazhdon të jetë akoma.
SPAK i ka provat dhe dosjet e aferave të Ritvan Bodes, si ideator e zbatues i masakrës ekonomiko- financiare gjatë 8 viteve ministër Financash, me vlerë totale 10 miliardë Euro, konstatuar nga KLSH dhe auditet e ministrive në vitet 2014-2016.
Ai shiti 4 HEC-e të shtetit me 10% të çmimit të tyre real; shiti ARMO me vlerë sa 1 vit prodhim; zhduku 30 milionë USD nga loja e shit-blerjes së hotel “Dajti”; dhuroi koncesionin e Lotarisë Kombëtare e Pullave Fiskale, me humbje për shtetin 32 milionë Euro në vit.
Fshiu 4 miliardë Euro taksa, rent minerare e detyrime e normë fitimi për shtetin, të kompanive “Bankers”, “Albcrom”, e “Beralb” të Bakrit; dhe me presion u grabiti 10 milionë Euro tregtarëve me kasat fiskale, që e kishte biznes të tij etj.etj.; ndërsa në vitet 2015-2024 u përfshi me dhëndrin Arenc Myrtezani në aferën e landfilleve dhe në krimin e kredive me vajzën e djalin.
SPAK të marrë dosjet e aferave të Genc Rulit, i cili gjatë viteve 2005-2009 si ministër Ekonomie, firmosi 215 koncesione HEC-esh në lumenj e parqe natyrore; zhduku 900 milionë Euro të ardhura nga KESH dhe 1.8 miliardë Euro nga nafta, gazi, kromi, bakri dhe taksat e turistike.
Gjatë 4 viteve ministër Bujqësie, Genc Ruli ka dosjen e 87 milionë Euro tenderë fiktivë për diga lumore; mashtrim që shkaktoi përmbytjet në veri; ndërsa në emër të fermerëve, bëri letra false në AZHBR e ministri, sikur u dha 110 milionë Euro grande e rimbursime të cilat u vodhën.
Emri i Genc Rulit është në pazarin që bëri me trafikantin Ervin Mata, duke falsifikuar pronësinë e truallit te ish-ekspozita dhe ua dhuroi për kulla, por ka shitur me 10-15% të vlerës, 312 pasuri shteti troje e objekte në Tirenë, Durrës, Vlorë, Sarandë, Fier, Lezhë, Shkodër, Elbasan e Korçë.
Në pazar me Sali Berishën, ish-ministri Genc Ruli, falsifikoi dosjen e pronësisë së truallit të kompleksit “Partizani” dhe ia dha Jamarbër Malltezit për kulla, ndërsa SPAK e thirri vetëm 1 herë 10 minuta dhe nuk e futi në dosjen hetimore “Berisha- Malltezi- Bektashi”.
SPAK duhet të marrë dosjet e Genc Pollos, gjatë viteve 2005- 2008 kur ishte ministër Arsimi dhe në vitet 2010-2013 si ministër I Telekomunikacion-Inovacionit, me aferën 40 milionë Euro të fibrave optikë; 15 milionë Euro për 9 shkolla në zona rurale, të cilat nuk u ndërtuan kurrë.
SPAK duhet të hetojë burmin e pasurive prej sheiku që ka Tritan Shehu, me pistë 25 milionë USD fonde e donacione kur ishte ministër Shëndetësie dhe shitjen e 50 mijë m2 truall me 0,001 lekë/m2 ku është ndërtuar spitali privat “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku Tritan Shehu ka 6 njësi shërbimi spitalor, labaratorik e farmacautik dhe 15% të pronësisë së parkingut.
Provë për hetim të Tritan Shehut, SPAK ka faktin, që ka qenë drejtor i firmës “Shqiponja” të kontrabandës së karburanteve, armëve e drogës me mafien serbo-malazeze dhe me leje të Sali Berishës në atë kohë president etj.,etj./Pamfleti